Bashkimi Kristian Demokrat, CDU, partia kryesore e opozitës gjermane, është goditur nga një sulm i fuqishëm kibernetik. Autoritetet thanë të shtunën se si rezultat i sulmit ata janë detyruar të shkëpusin nga rrjeti pjesë të infrastrukturës së saj kibernetike.
“Rrjeti i CDU-së në internet u godit rëndë nga një sulm kibernetik”, thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë. Specialistë të sigurisë po punojnë intensivisht për të mbrojtur rrjetin dhe hetuar sulmin, si dhe për të parandaluar dëme të mëtejshme, thuhet më tej në deklaratë. Ministria nuk ofroi detaje në lidhje me shtrirjen e sulmit apo autorët e dyshuar.
“Megjithatë, mënyra e kryerjes së sulmit tregon për një aktor shumë profesionist”, thuhet në deklaratë.
Sulmi ndaj partisë opozitare gjermane, CDU, vjen pas një serie operacionesh evropiane kundër krimit ndërkombëtar kibernetik që çoi në katër arrestime në Ukrainë dhe Armeni të enjten.
Gjermania tha se autoritetet e sigurisë i kanë shtuar të gjitha masat mbrojtëse kundër kërcënimeve dixhitale dhe hibride, duke shtuar se incidenti nxori në pah se sa e rëndësishme ishte kjo, veçanërisht përpara zgjedhjeve për Parlamentin Evropian që zhvillohen nga 6 deri më 9 qershor.
CDU-ja ka hequr dhe izoluar pjesë të infrastrukturës së saj kibernetike, tha partia opozitare në një deklaratë të veçantë, duke shtuar se autoritetet publike kishin nisur hetimet.