Presidenti Joe Biden dha të premten hollësi mbi një marrëveshje prej tre fazash, të propozuar nga Izraeli për militantët e Hamasit, që sipas tij do të çonte në lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë dhe mund t'i jepte fund luftës së ashpër, gati 8-mujore në Lindjen e Mesme
Presidenti Biden shtoi se Hamasi "nuk ka më kapacitete" për të kryer një sulm tjetër në shkallë të gjerë ndaj Izraelit.
Gjatë deklaratës dhënë në Shtëpinë e Bardhë, presidenti demokrat e cilësoi propozimin si një “udhërrëfyes për një armëpushim të qëndrueshëm dhe për lirimin e pengjeve”.
Presidenti tha se faza e parë e marrëveshjes së propozuar do të shtrihej në një periudhë 6 javore dhe do të përfshinte “armëpushim të plotë”, tërheqjen e forcave izraelite nga të gjjtha zonat e populluara të Gazës, lirimin e një numri të personave që po mbahen peng, përfshirë, gra, të moshuar dhe të plagosur, në këmbim të lirimit të qindra palestinezëve të burgosur.
Shtetasit amerikanë që po mbahen peng duhet të lirohen përgjatë kësaj faze dhe po ashtu trupat e pajetë të atyre që janë vrarë do duhej t’u ktheshin familjeve të tyre. Në këtë fazë, ndihma humanitare do të shtohet, 600 kamionë me ndihma do të hyjnë çdo ditë në Gazë.
Faza e dytë do të përfshijë lirimin e të gjithë pengjeve të mbetur gjallë, përfshirë ushtarët dhe forcat izraelite do të tërhiqen nga Gaza.
Faza e tretë parashikon fillimin e rindërtimit të Gazës, për çka do të nevojiten dekada të tëra, pas shkatërrimeve të shkaktuara nga lufta.
Por Presidenti Biden pranoi se zbatimi i marrëveshjes nuk do jetë i lehtë, duke thënë se një sërë "detajesh duhet të negociohen” për të kaluar nga faza e parë në të dytën.
Lexoni edhe këtë Forcat izraelite zgjerojnë ofensivën në RafahKomentet e zotit Biden erdhën pasi ushtria izraelite konfirmoi se forcat e saj tani po veprojnë në pjesët qendrore të Rafahut, ndërsa zgjerojnë ofensivën në qytetin jugor të Gazës. Presidenti Biden tha se ky "një moment vërtet vendimtar." Ai shtoi se Hamasi ka deklaruar se dëshiron armëpushim dhe se marrëveshje e propozuar nga izraelitë është një mundësi që ata ta provojnë "nëse e duan vërtet këtë (armëpushimin)".
Agjencia Reuters njofton se Hamasi lëshoi një deklaratë të premten duke thënë se e sheh pozitivisht propozimin të shpallur nga Presidenti Joe Biden për një armëpushim të përhershëm në Gazë.
Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli kishte autorizuar negociatorët për të paraqitur një marrëveshje armëpushimi në Gazë pasi Presidenti Biden zbuloi detaje të planit.
Izraeli është përballur me kritika në rritje nga faktori ndërkombëtar lidhur me strategjinë e tij të shkatërrimit të vazhdueshëm në Gazë, me një kosto të lartë në jetët e civilëve. Bombardimet izraelite dhe ofensivat tokësore kanë vrarë më shumë se 36,000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, që kontrollohet nga Hamasi, e cila nuk bën dallim midis luftëtarëve dhe civilëve.
Izraeli nisi luftën në Gazë pas sulmit të Hamasit më 7 tetor, në të cilin militantët sulmuan Izraelin jugor, vranë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe rrëmbyen rreth 250 vetë, sipas të dhënave izraelite. Izraeli thotë se rreth 100 persona mbahen ende peng në Gazë dhe po ashtu Hamasi po mban edhe trupat e pajetë të 30 pengjeve.