Qeveria e Sllovenisë njeh shtetin palestinez, vendimi duhet të miratohet nga parlamenti

Kryeministri slloven Robert Golob gjatë një konference shtypi, duke njoftuar për vendimin e qeverisë së tij për ta njohur shtetin palestinez më 30 maj, 2024/Reuters

Qeveria e Sllovenisë të enjten miratoi vendimin për të njohur shtetin palestinez, deklaroi Kryeministri Robert Golob, duke ndjekur hapat e Spanjës, Irlandës dhe Norvegjisë.

“Sot qeveria ka vendosur ta njohë Palestinën si shtet të pavarur dhe sovran”, deklaroi ai në një konferencë shtypi në Ljubianë.

Vendimi i qeverisë së vendit anëtar të Bashkimit Evropian duhet të miratohet gjithashtu nga parlamenti.

Veprimi i Sllovenisë është pjesë e një përpjekjeje më të gjërë të disa vendeve për të bashkërenduar trysninë ndaj Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit në Gazë.

Më 28 maj, Spanja, Irlanda dhe Norvegjia zyrtarisht njohën shtetin palestinez, duke nxitur reagimin e ashpër të Izraelit.

Nga 27 anëtarët e Bashkimit Evropian, Suedia, Qipro, Hungaria, Republika Çeke, Polonia, Sllovakia, Rumania dhe Bullgaria tashmë e kanë njohur shtetin palestinez. Ka gjasa që Malta të jetë shteti i ardhshëm që merr një vendim të ngjashëm.

Britania e Madhe dhe Australia po ashtu kanë njoftuar se po konsiderojnë aktin e njohjes së shtetit palestinez, por Franca ka thënë se aktualisht nuk është koha për një veprim të tillë.

Gjermania është rradhitur krahas aleatit kryesor të Izraelit, Shteteve të Bashkuara, duke kundërshtuar qasjen e njëanshme ndërkohë që këmbëngul që një zgjidhje me dy shtete mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

Parlamenti danez të martën hodhi poshtë një dekret për njohjen e shtetit palestinez.

Norvegjia, e cila kryeson një grup donatorësh ndërkombëtarë për palestinezët, deri vonë ka ndjekur kursin e Shteteve të Bashkuara, por së fundmi ka humbur besimin se një strategji e tillë do të sjellë rezultate.

Izraeli po lufton kundër Hamasit, i cili ka kontrollin e Gazës, që nga sulmi i 7 tetorit kur militantët e këtij grupi sulmuan vendbanime izraelite duke vrarë 1,200 banorë dhe duke rrëmbyer mbi 250 të tjerë, sipas të dhënave izraelite. Rreth 130 pengje besohet se ende mbahen në Gazë.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë në Gazë mbi 36,000 palestinezë janë vrarë në luftë gjatë shtatë muajve të fundit.