Çështja penale ndaj ish-presidentit Trump në dorën e jurisë; Çfarë ndodh në vazhdim?

Godina e gjykatës në Manhatan ku zhvillohet procesi ndaj ish-presidentit Trump

NJU JORK – Pasi dëgjuan për 16 ditë dëshmitë e gati 24 dëshmitarëve dhe për disa orë të tjera argumentat mbyllëse të palëve, ka ardhur momenti që anëtarët e jurisë të thonë fjalën e tyre në çështjen penale ndaj ish-presidentit Donald Trump.

Juria u tërhoq të mërkurën për të filluar procesin e shqyrtimit të çështjes së parë penale ndaj një ish-presidenti amerikan. Juria, e përbërë nga shtatë burra dhe pesë gra, ka detyrën të vendosë nëse zoti Trump është apo jo fajtor për 34 akuzat në lidhje me falsfikimin e të dhënave të kompanisë së tij.

Prokurorët thonë se zoti Trump falsifikoi të dhënat për të fshehur rimbursimet për ish-avokatin e tij Michael Cohen, i cili i pati paguar aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels 130 mijë dollarë në javët e fundit të fushatës elektorale të vitit 2016, që ajo të mos bënte publike pretendimet e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump të një dekade më parë.

Ish-presidenti dhe njëkohësisht kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane ka deklaruar pafajësinë, ka mohuar të ketë patur marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels dhe thotë se pagesat për zotin Cohen u evidentuan siç duhet në regjistrat e kompanisë, si shpenzime ligjore.

Ish-presidenti Trump në sallën e gjyqit (29 maj 2024)

PËR ÇFARË PO VENDOS JURIA?

Nëse juria e gjen fajtor zotin Trump, ajo duhet të vendosë unanimisht se ai shkruajti një të dhënë false në regjistrat e kompanisë së tij, ose detyroi dikë tjetër ta bënte këtë veprim, dhe se e bëri këtë me synimin për të shkelur ose për të komplotuar për të shkelur ligjin e shtetit të Nju Jorkut, sipas të cilit është i paligjshëm zgjedhja në funksione publike me mjete ilegale.

Shpallja fajtor do të thotë që të gjithë anëtarët e jurisë të bien dakord se është bërë diçka e paligjshme për të ndihmuar në zgjedhjen e zotit Trump. Por, nuk është e domosdoshme që ata të bien unanimisht dakort se cili ishte aspekti i paligjshëm. Në këtë rast, anëtarët e jurisë mund të zgjedhnin mes tre veprave të mundshme të paligjshme:

  • Ata mund të vendosin se një prej personave të përfshirë në konspiracion shkeli Ligjin Federal për Fushatat Elektorale, që në vitin 2016 e bëri të paligjshme që një person të japë mbi 2,700 dollarë për fushatën presidenciale. Ligji gjithashtu ua ndaloi korporatave që të kontribuojnë për një fushatë elektorale.

  • Juria mund të vendosë se janë falsifikuar të dhëna të tjera biznesi, përfshirë vërtetimet për taksat federale që kompania i dha zotit Cohen, të dhënat bankare në lidhje me pagesat që zoti Cohen i dha zonjës Daniels, apo një faturë e lëshuar kur kompania e revistës National Enquirer pagoi ish-modelen Karen McDougal, e cila pretendonte se kishte një lidhje jashtëmartesore me zotin Trump, që e ka mohuar këtë gjë.

  • Anëtarët e jurisë mund të vendosin se janë dhënë informacione false në lidhje me deklaratat e taksave.

KU ZHVILLOHEN DISKUTIMET E JURISË?

Në një sallë me dyer të mbyllura që është e rezervuar për jurinë.

Ndërsa vazhdojnë diskutimin 12 anëtarët e jurisë, gjashtë anëtarët rezervë, të cilët kanë ndjekur gjithashtu të gjitha punimet e çështjes gjyqësore, do të qëndrojnë në një dhomë tjetër të veçantë, në godinën e gjykatës. Nëse ndonjë nga anëtarët e jurisë nuk është në gjendje të vazhdojë, për shkak të ndonjë sëmundjeje apo arsye të tjera, një prej anëtarëve rezervë e zëvendëson, por shqyrtimi duhet të fillojë nga e para.

Juria filloi shqyrtimin e çështjes pasi iu dhanë udhëzime të detajuara në lidhje me ligjet që kanë të bëjnë me këtë çështje, se çfarë duhet provuar që të shpallin fajësinë e të akuzuarve, si dhe detyrën që kanë për të shpallur pafajësinë nëse nuk ka prova të mjaftueshme. Anëtarët e jurisë duhet t’ua dorëzojnë telefonat e tyre celularë oficerëve të gjykatës.

ÇFARË DO TË BËHET E DITUR RRETH KËTIJ PROCESI?

Shumë pak. Procesi mbahet sekret, megjithëse anëtarët e jurisë mund t’i dërgojnë mesazhe të shkruara gjykatësit, nëpërmjet oficerëve të gjykatës.

Një shënim i parë i tillë u dërgua pas gati 3 orësh e gjysëm. Juria kërkoi të ridëgjonte një pjesë të dëshmisë së zotit Cohen dhe të ish-botuesit të revistës National Enquirer, David Pecker. Në vazhdim, ndërsa juristët po përgatisnin materialin e kërkuar, anëtarët e jurisë dërguan edhe një shënim të dytë, ku kërkonin të ridëgjonin udhëzimet e gjykatësit Juan Merchan në lidhje me ligjet që vlejnë për çështjen në fjalë.

Gjykatësi Merchan i lexoi kërkesat në sallën e gjyqit dhe diskutoi me prokurorët dhe avokatët mbrojtës për mënyrën se si t’u përgjigjej. Në vazhdim, anëtarët e jurisë u sollën në sallë në mënyrë që gjykatësi t’u drejtonte një pyetje: nëse dëshironin të gjitha udhëzimet ligjore, apo vetëm një pjesë të tyre. Pasi u shpjegoi se mund të përgjigjeshin nëpërmjet një letre tjetër, gjykatësi i dërgoi në shtëpi, duke e mbyllur kështu procesin për këtë ditë.

Rileximi i udhëzimeve do të vazhdojë të enjten në mëngjes dhe do të bëhet duke u lexuar me zë nga një transkript i gjykatës. (Anëtarët e jurisë nuk e kanë transkriptin në sallën ku qëndrojnë, por atyre u jepet një kompjuter portativ me dokumentat dhe materialet e tjera të prezantuara gjatë gjyqit).

Personat që vëzhgojnë punimet e gjykatës mund të spekulojnë rreth procedurës së shqyrtimit duke gjykuar nga përmbajtja e letrave që dërgon juria, por askush nuk mund ta dijë këtë me siguri.

Anëtarët e jurisë do të dërgojnë një letër edhe në rastin kur duan të sinjalizojnë se kanë arritur të marrin një vendim, ose ndonjëherë për të thënë se kanë ngecur.

KU QËNDRON NDËRKOHË ISH-PRESIDENTI TRUMP?

Ish-presidenti nuk është e nevojshme të qëndrojë në sallën e gjyqit, por duhet të qëndrojë brenda godinës së gjykatës. Gjatë procesit gjyqësor, në dispozicion të tij, avokatëve të tij dhe personelit të sigurisë, është vendosur një mjedis tjetër përballë sallës së gjyqit.

Ish-presidenti Trump duke folur me gazetarët ndërsa juria ka filluar procesin e shqyrtimit (29 maj 2024)

SA MUND TA VAZHDOJË JURIA PROCESIN E SHQYRTIMIT?

Për aq kohë sa mund t’iu nevojitet. Orari i rregullt i gjykatës është zakonisht 9:30-16:30, me një pushim për drekën (anëtarëve të jurisë u sillet ushqimi në mjedisin ku qëndrojnë). Por ndonjëherë gjykatësit i zgjerojnë oraret sipas kërkesave të jurisë. Nuk ekziston ndonjë kufizim se për sa ditë mund të vazhdojë shqyrtimi.

A DËRGOHEN NË SHTËPI?

Po, në përfundim të çdo dite pune të gjykatës. Juria nuk është e izoluar. Kjo ka qenë më parë e detyrueshme për shumë çështje penale në shtetin e Nju Jorkut, por ky detyrim u hoq në vitin 2001 dhe izolimi i jurisë bëhet vetëm në raste të rralla.

ÇFARË NDODH NËSE ARRIHET NË NJË VENDIM?

Juria do të dërgojë një shënim, nëpërmjet një oficeri gjyqësor, për të njoftuar se është arritur vendim, por pa thënë se cili është konkretisht vendimi. Gjykatësi do të thërrasë në sallën e gjyqit zotin Trump, ekipin e avokatëve të tij dhe prokurorët dhe në vazhdim do të njoftojë se juria ka arritur në një vendim.

Në vazhdim, juria sillet në sallën e gjyqit dhe anëtari kryesues, në një Nju Jork kjo detyrë i jepet zakonisht kandidatit të parë të përzgjedhur për anëtar jurie, do të pyetet nëse juria e ka arritur vendimin. Nëse përgjigja është ‘po’, atëherë kryesuesi do të pyetet se cili është verdikti për secilën nga akuzat dhe ai do të përgjigjet “fajtor”, ose “jo fajtor”.

Në vazhdim juria do të pyetet si e tërë: “A është ky vendimi juaj?”. Prokurorët dhe avokatët mund t’ia drejtojnë këtë pyetje edhe individualisht secilit prej anëtarëve të jurisë.

ÇFARË NDODH NËSE NUK MERRET VENDIM?

Nëse juria dërgon një shënim ku thuhet se nuk munden të gjejnë dakortësi, gjykatësi, në konsultim me të dyja palët, duhet të vendosë se çfarë duhet bërë në vazhdim. Avokatët mbrojtës mund të kërkojnë pushimin e çështjes. Kjo kërkesë mund të miratohet, por zakonisht anëtarët e jurisë thirren për t’u instruktuar se si t’i vazhdojnë përpjekjet.

Prokurorët dhe avokatët mbrojtës shpesh debatojnë për gjërat që duhen thënë. Gjykatësi mund t’i referohet frazeologjisë së sugjeruar nga sistemi gjyqësor i Nju Jorkut, për t’i bërë thirrje anëtarëve të jurisë që të bëjnë të gjitha përpjekjet e mundshme për të arritur në një vendim dhe që të rishqyrtojnë pozicionin e tyre pa iu kundërvënë ndërgjegjes apo gjykimit personal vetëm për t’iu bashkuar të tjerëve.

Nëse ngërçi vazhdon, mesazhi mund të përsëritet apo të modifikohet. Po kështu edhe argumentat për pushimin e çështjes. Nuk ka rregulla të shkruara se për sa kohë mund të vazhdojë juria përpjekjet për të zgjidhur diferencat mes anëtarëve, përpara se të arrihet në një pushim të çështjes.