Asambleja Parlamentare e NATO-s miratoi të hënën vendimin për ngritjen e statusit të Kosovës në anëtare të asociuar në këtë organizatë.
Shumica e vendeve votuan në favor, një ishte kundër ndërsa 14 abstenuan.
Që nga viti 2014 Kosova kishte statusin e anëtares vëzhguese ndërsa me ngritjen e statusit, parlamentit të Kosovës i lejohet të marrë pjesë në të gjitha veprimtaritë e Komiteteve dhe nënkomiteteve, seancat plenare ku mund të paraqesë rezoluta dhe ndryshime në rezoluta si dhe në seminaret Rose-Roth, në të cilat pjesëtarët e parlamenteve nga vendet anëtare dhe ato partnere të NATO-s takohen me zyrtarë qeveritarë, organizata të tjera ndërkombëtare, ekspertë nga universitete, grupe kërkimore dhe Organizata joqeveritare, për të diskutuar një çështje specifike të sigurisë me interes të përbashkët.
Lexoni edhe këtë Kosovë, mbahet seminari Rose-Roth i Asamblesë Parlamentare të NATO-sVendet e asociuara megjithatë nuk kanë të drejtë të votojnë për raportet, rezolutat apo udhëheqjen e Asamblesë Parlamentare dhe as nuk kontribuojnë në buxhetin e saj.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryesuesi i delegacionit të parlamentit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Driton Hyseni i tha Zërit të Amerikës se në dritën e këtyre zhvillimeve, parlamenti do të ketë një përfaqësim më të gjerë në kuadër të Asamblesë.
“Do të kemi një numër më të madh të deputetëve që do të përcjellin punimet e komisioneve të Asamblesë, do të kemi të bëjmë amendamentime dhe komentime në të gjitha dokumentet zyrtare që Asambleja do të nxjerrë e trajtojë e të cilat lidhen sidomos me avancimin e vlerave të NATO-s dhe zhvillimet të cilat lidhen qoftë me Kosovën, qoftë me Ballkanin Perëndimor por edhe Evropën në tërësi”, tha zoti Hyseni.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, në reagimin e saj në rrjetet sociale tha se NATO-ja është fati i Kosovës dhe kjo lëvizje do të sigurojë që zëri i njerëzve më pro NATO-s në botë të dëgjohet. “Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona së bashku me aleatët tanë për të çuar përpara edhe rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO”, shkroi ajo.
Kryeministri Albin Kurti e quajti "një hap të rëndësishëm në integrimin euro-atlantik të vendit, përkundër fushatës së Serbisë".
Autoritetet në Serbi kundërshtuan ashpër vendimin e Asamblesë parlamentare të NATO-s, duke theksuar se ai bie ndesh me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Njohës të çështjeve të sigurisë thonë se ngritja e statusit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të NATO-s është një lajm i mirë, por sipas tyre me rëndësi për vendin mbetet anëtarësimi në NATO.
Asambleja Parlamentare e NATO-s shërben si organizatë ndërparlamentare këshilluese për NATO-n dhe përfaqësohet prej 281 delegatëve nga 32 vendet anëtare të NATO-s.