Stuhitë e fuqishme shkaktuan vdekjen e të paktën 14 njerëzve të dielën në Teksas, Oklahoma dhe Arkansas, duke shkatërruar shtëpi dhe një stacion kamionësh, ku po strehoheshin dhjetëra vetë.
Shtatë të vdekur u raportuan në Teksas, pranë kufirit me shtetin e Oklahomës, ku tornadot natën e së shtunës shkatërruan një zonë rurale pranë një parku shtëpish portative, thanë zyrtarët. Stuhitë vranë gjithashtu dy persona dhe shkatërruan shtëpi në Oklahoma, ku të plagosurit përfshinin mysafirë në një dasmë në natyrë. Dhjetëra mijëra banorë ta rajonit mbetën pa energji elektrike.
Ne mesin e të vdekurve janë dy fëmijë, njëri 2 dhe tjetri 5 vjeç, tha drejtuesi i policisë.
Të paktën katër persona u raportuan të vdekur në Arkansas, duke përfshirë një grua 26-vjeçare e cila u gjet e vdekur jashtë një shtëpie të shkatërruar në Olvey.
Një person tjetër vdiq në qarkun Benton të Arkansasit. Melody Kwok, drejtoreshë e komunikimit në këtë qark, tha se shumë njerëz të tjerë u plagosën dhe se punonjësit e urgjencës po u përgjigjeshin ende thirrjeve të shumta për ndihmë.
Zyrtarët konfirmuan gjithashtu dy viktima në qarkun Mayes të Oklahomës.
Autoritetet kanë lëshuar paralajmërime për tornado dhe stuhi të shkatërrimtare gjatë fundjavës së Ditës së të Rënëve në Shtetetet e Bashkuara. Sipas tyre, përveç Teksasit, Oklahomës dhe Arkansasit, stuhitë pritet të përfshijnë edhe Ilinoin, Mizurin, Kentakin, Karolinën e Veriut dhe Virxhinian.