Suedia stërvitet për të mbrojtur veten dhe partnerët e NATO-s

SWEDEN MILITARY UKRAINE

Suedia, anëtarja më e re e NATO-s, njoftoi këtë javë një plan tre-vjeçar për të ofruar mbështetje shtesë për Ukrainën në një vlerë prej më shumë se 7 miliardë dollarësh. Vendimi vjen mes shqetësimeve që lidhen me agresionin në rritje të Rusisë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Myroslava Gongadze vizitoi bazën ushtarake Kvarn të Suedisë.

Your browser doesn’t support HTML5

Suedia stërvitet për të mbrojtur veten dhe partnerët e NATO-s

Në bazën e ushtrisë suedeze, Kvarn, forcat amerikane dhe suedeze po zhvillojnë aftësitë e tyre ushtarake në betejat urbane. Gjatë kësaj stërvitjeje, ushtarët amerikanë po simulojnë çlirimin e një qyteti të pushtuar nga rusët, rolin e të cilëve e luajnë forcat suedeze.

Johan Strom është rreshter major i forcave të armatosura suedeze dhe kreu i Qendrës së Stërvitjes Luftarake të Ushtrisë suedeze për operacionet në terrenin urban në Kvarn. Ai thotë se ky objekt që përdoret për stërvitje është një nga më të avancuarit nga pikëpamja teknologjike në Evropë, i pajisur me sisteme lazer dhe video kamera.

"E veçanta e këtij objekti është se çdo ndërtesë është një lojtar në sistemin tonë të simulimit", thotë ai.

Objekti u ndërtua 10 vite më parë për të kryer stërvitje në një mjedis të vërtetë luftarak. Zoti Strom shpjegon se lufta e Rusisë në Ukrainë ka shtyrë ushtrinë suedeze të intensifikojë stërvitjen e saj për të rritur aftësitë e saj mbrojtëse.

"Intensiteti i luftës në Ukrainë vazhdon të rritet që nga viti 2014 dhe ka një ndjenjë edhe më të madhe urgjence në Evropë, në botë, si edhe në Suedi", shton ai.

Suedia ka një nga forcat ushtarake më të fuqishme në rajon. Komandanti i bazës ushtarake në Kvarn, nënkoloneli Ola Sandberg, shpjegon se vendi i tij ka forcuar trupat ushtarake për arsye historike. Ai vë theksin tek përpjekjet e tyre të vazhdueshme për stërvitje dhe përgatitje.

Si një vend jo-anëtar i NATO-s gjatë Luftës së Ftohtë dhe një vend neutral gjithashtu, Suedisë i duhej të ndërtonte një aftësi të fortë ushtarake, të ishte në gjendje të mbrohej dhe të kishte gjithashtu një kompleks të madh ushtarako-industrial ku të mbështetej kjo forcë”.

Tashmë si një vend anëtar i NATO-s, Suedia do të shpenzojë këtë vit për mbrojtjen më shumë se 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të saj. Synimi është forcimi i NATO-s me aftësi të rëndësishme detare dhe ajrore, si dhe t’i sigurojë asaj kontrollin mbi Detin Baltik e hyrjen në Arktik.

Përveç avantazheve teknologjike, ushtria suedeze përfiton nga një sistem rekrutimi neutral ndaj gjinisë, i cili ofron një grup më të gjerë nga mund të përzgjidhen ushtarët dhe oficerët, thotë komandantja e batalionit, nënkolonelja Liridona Dauti. Rreth 4 milionë suedezë, pothuajse një numër i barabartë grash, vajzash e burrash, të moshës 17 deri në 47 vjeç, konsiderohen të përshtatshëm për shërbimin ushtarak.

Nuk ka dallim mes gjinive dhe kjo është në fakt forca e trupave suedeze të mbrojtjes. Nuk ka rëndësi se çfarë gjinie është një person. Ajo që ka rëndësi është se çfarë detyre do të zgjedhë”, thotë ajo.

Ushtarakja, nënë e tre djemve e në pritje të një fëmije të katërt, e sheh me shqetësim faktin se si sulmi rus në Ukrainë ka ndryshuar me shpejtësi mjedisin e sigurisë në Evropë.

Liridona Dauti thotë se djemve të saj mund t’u duhet të shkojnë ushtarë, por ajo dhe vendi i saj po bëjnë gjithçka që munden sot, për t’u siguruar që nuk do të kenë nevojë të luftojnë në të ardhmen.