Departamenti amerikan i Drejtësisë: monopoli i ‘Ticketmaster” dhe “Live Nation” rrit çmimet e biletave për koncertet

UASHINGTON – Departamenti amerikan i Drejtësisë njoftoi ngritjen e një padie për monopol ndaj kompanisë Ticketmaster dhe kompanisë së saj mëmë Live Nation Entertainment. Dy kompanitë akuzohen për organizimin e një monopoli të paligjshëm për koncertet në Amerikë, duke eliminuar konkurencën dhe duke rritur çmimet për publikun.

Padia e paraqitur në gjykatën federale në Manhatan mbështetet edhe nga prokurorët e 30 shteteve dhe synon të thyejë monopolin që ka përjashtuar nga tregu kompanitë e vogla për organizimin e aktiviteteve dhe që ka dëmtuar artistët.

“Mendojmë se kompania Live Nation mbështetet në sjellje të paligjshme kundër konkurencës, për të ushtruar kontrollin e saj monopolist mbi sektorin e aktiviteteve publike në Shtetet e Bashkuara, në dëm të publikut, artistëve dhe kompanive të vogla organizatore”, shprehet në një deklaratë prokurori i përgjithshëm Merrick Garland. “Rezultati është që publiku paguan çmime më të larta, artistët kanë më pak mundësi për të marrë pjesë në koncerte, kompanitë e vogla organizatore përjashtohen nga tregu dhe mbeten pak alternativa të tjera për shërbimin e biletarisë. Ka ardhur koha që të ndahen kompanitë Live Nation-Ticketmaster”.

Departamenti i Drejtësisë e akuzon kompaninë Live Nation për një seri praktikash që i mundësojnë të dominojë në skenat e muzikës live, ndër të tjera nëpërmjet kontratave afatgjata që ua ndalojnë sallave të koncerteve gjetjen e një shërbimi alternativ për shitjen e biletave, ndalimin e futjes në funksionim paralelisht të disa shërbimeve të biletarisë dhe kërcënimin se mund të humbasin të ardhura nëse publiku nuk zgjedh t’i blejë biletat nëpërmjet kompanisë Ticketmaster. Departamenti i Drejtësisë thotë se kompania Live Nation gjithashtu kërcënoi ta ndëshkonte një prej kompanive mëmë, nëse nuk ia ndalonte një kompanie të saj konkurimin për të fituar kontratat për promovimin e artistëve.

Kompania Live Nation mohon të jetë angazhuar në praktika që shkelin ligjet anti-monopol. Kur u njoftua për herë të parë se ndaj kompanisë po bëhej një hetim federal në vitin 2022, u shpreh nëpërmjet një deklarate se kompania Ticketmaster zotëron një pjesë kaq të madhe të tregut për shkak të “hendekut të madh që ekziston mes cilësisë së sistemit Ticketmaster dhe sistemeve të tjera kryesore të biletarisë”.

Por, kompanitë konkurente të shitjes së biletave janë ankuar prej kohësh se kompania Live Nation ua bën të vështirë aktivitetin në treg, me praktika tërheqjeje nga bashkëpunimi nëse nuk përdorin shërbimin e biletarisë Ticketmaster.

Padia është shembulli më i fundit i përqasjes së fortë anti-monopol të administratës së presidentit Joe Biden ndaj kompanive që akuzohen për monopol të paligjshëm duke eliminuar konkurentët dhe duke rritur çmimet. Në muajin mars, Departamenti i Drejtësisë ngriti padi ndaj kompanisë Apple, duke e akuzuar për monopol në tregun e telefonave inteligjentë. Administrata e drejtuar nga presidenti demokrat ka ngritur padi edhe ndaj kompanive Google, Amazon dhe kompanive të tjera gjigande të teknologjisë.

“Veprimi i sotshëm është një hap përpara për ta bërë epokën e muzikës live më të qasshme për artdashësit, artistët dhe industrinë që i mbështet ata”, u shpreh në një deklaratë zëvendës prokurorja e përgjithshme Lisa Monaco.

Kompania Ticketmaster, që u bashkua me kompaninë Live Nation në vitin 2010, është kompania më e madhe në botë për shitjen e biletave, me rreth 500 milionë bileta në vit, në mbi 30 vende. Rreth 70% e biletave për koncertet kryesore në Shtetet e Bashkuara shiten nëpërmjet kompanisë Ticketmaster, sipas të dhënave nga një padi e paraqitur nga konsumatorët në vitin 2022. Sipas Departamentit të Drejtësisë, kjo kompani zotëron ose ka nën kontroll mbi 265 objekte koncertesh në Amerikën e Veriut dhe dhjetëra amfiteatra.

Kjo kompani e shitjes së biletave shkaktoi revoltim në nëntor 2022 kur faqja e saj në internet u bllokua gjatë shitjeve të hershme për turin në stadiume të këngëtares Taylor Swift. Kompania tha se faqja e saj u mbingarkua nga artdashësit dhe nga sulmet e programeve automatike, që shtireshin si konsumatorë, me qëllim blerjen masive të biletave për t’i shitur më pas në faqe të tjera interneti. Kjo fiasko u pasua nga seanca dëgjimore në Kongres dhe miratim ligjesh në legjislaturat e shteteve për t’u ofruar më shumë mbrojtje konsumatorëve.

Departamenti i Drejtësisë pati lejuar bashkimin e kompanive Live Nation dhe Ticketmaster, me kushtin që kompania Live Nation të binte dakort që të mos ndëshkonte për dhjetë vitet e ardhshme objektet e koncerteve që zgjidhnin një kompani tjetër për shitjen e biletave. Në vitin 2019, Departamenti i Drejtësisë bëri hetim dhe konstatoi se kompania Live Nation e kishte shkelur marrëveshjen “në mënyrë të përsëritur” dhe departamenti vendosi ta zgjasë periudhën e kushtëzimit deri në vitin 2025.