Zëvendës-Shefi i Shtatmadhorisë ruse arrestohet nën akuzat për marrje ryshfeti

  • VOA

Fotografi zyrtare e Zv/shefit të Shtatmadhorisë Ushtarake ruse Vadim Shamarin. Ai është arrestuar të enjten nën akuza për marrje ryshfeti, sipas mediave ruse/Ministria Ruse e Mbrojtjes via AP

Mediat ruse njoftuan të enjten se Zv/shefi i Shtatmadhorisë Ushtarake Ruse është arrestuar nën akuzat për marrje ryshfet të përmasave të gjëra.

Gjenerali Vadim Shamarin është një nga katër zyrtarët e lartë ushtarakë të arrestuar gjatë muajit të fundit nën akuzat për marrje ryshfeti.

Zëvendës-ministrit të mbrojtjes Timur Ivanov i është shqiptuar një masë paraburgimi më 23 prill për marrje ryshfeti.

Gjenerali Yuri Kuznetsov, drejtues i departamentit të personelit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe Gjenerali Ivan Popov, ish komandant i armatës të 58 të Rusisë, po ashtu përballen me akuza të ngjashme.

Sipas njoftimeve shtëpia e zotit Shamarin është bastisur në kuadër të hetimeve. Ai do të mbahet në paraburgim për 2 muaj dhe mbetet e paqartë se si ai do t’iu përgjigjet akuzave.

Që nga viti 2020, ai mbikëqyri njësitin ushtarak për komunikim të armatës ruse.

Kremlini nuk dha detaje të tjera për rastin, duke theksuar se operacionet kundër korrupsionit po zbatoheshin nëpër disa agjenci shtetërore.

“Lufta kundër korrupsionit është angazhim i vazhdueshëm”, deklaroi zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov. “Nuk bëhet fjalë për fushatë. Është angazhim i vazhdueshëm. Është pjesë përbërëse e aktivitetit të organeve tona të rendit.”

Zëvendës-drejtori i burgut federal për rajonin e Moskës, Vladimir Telayev, po ashtu u arrestua të enjten nën akuzat për marrje ryshfeti në shkallë të gjerë, sipas mediave vendase. Hetuesit i kërkuan një gjykate në Moskë që ta dërgojë atë në paraburgim.