Shifrat e fundit tregojnë se ka rënë numri i emigrantëve që kalojnë kufirin në mes të Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Aline Barros, kalimet e paligjshme zakonisht shtohen në pranverë, por zyrtarët thonë se gjatë muajit prill ato ranë me më shumë se 6% në krahasim me muajin marsin.
Your browser doesn’t support HTML5
Një grup emigrantësh kalojnë pranë gardhit të çelikut që shënon kufirin midis Shteteve të Bashkuara dhe Meksikës.
Ata kanë ecur mbi 14 kilometra në Shtetet e Bashkuara për të arritur në këtë kamp, në fshatin Sasabe të Arizonës. Këtu, ata presin t'i dorëzohen oficerëve të patrullës kufitare amerikane. Shumica thonë se do të kërkojnë azil në Shtetet e Bashkuara .
“Pasi gjërat në vendin tim në Afrikë nuk po shkojnë mirë, vendosa të vij këtu”, thotë Achraf Duro-Nile nga Togo.
Emigrantët e përshkruajnë udhëtimin e tyre për në Shtetet e Bashkuara si të rrezikshëm.
“Kisha frikë për sigurinë time pasi u desh të kalonim një pyll të madh në Panama. Nuk ishte e lehtë, por ia dolëm”, thotë më tej ai.
Zyrtarët amerikanë publikuan shifrat e reja që tregojnë se kalimet e paligjshme të kufirit nga Meksika ranë me më shumë se 6% në prill, një gjë e pazakontë kjo për stinën e pranverës.
Agjencia federale amerikane ‘Doganat dhe Mbrojtja Kufitare’ thotë se ka regjistruar rreth 129,000 emigrantë përgjatë kufirit jugperëndimor. Në muajin mars u regjistruan mbi 137,000 emigrantë dhe në dhjetor rreth 250,000 emigrantë.
Qeveria amerikane thotë se rënia vjen si rezultat i rritjes së përpjekjeve nga Meksika për të ndaluar kalimet e paligjshme. Emigrantët, megjithatë vazhdojnë të vijnë nga vende të ndryshme të botës.
“Ka shumë njerëz që vijnë nga Afrika Perëndimore, përgjithësisht gjuhë dhe kultura që ne dhe migrantët e tjerë nuk i njohim. Kjo do të jetë gjithmonë pak sfiduese”, thotë John Modlin nga Patrulla Kufitare.
Zyrtarët e Doganave dhe Mbrojtjes Kufitare thonë pavarësisht rënies së numrit, situata është vështirësuar së fundmi pasi kontrabandistët po i nxisin emigrantët të kalojnë në zona më të izoluara, si kjo në qytetin Tucson (Tyson) në Arizona.
“Detyrohemi të shkojmë në këto zona që jo domosdoshmërisht kanë rrugë të asfaltuara. Ne megjithatë bëjmë përpjekje t’i arrijmë këto zona, të përcaktojmë nëse ndonjëri prej tyre ka nevojë për ndihmë dhe t’i largojmë prej andej”, thotë zoti Modlin.
Që nga maji i vitit 2023, zyrtarët amerikanë të emigracionit dëbuan më shumë se 720,000 individë. Shumica kishin kaluar kufirin jugperëndimor në mënyrë të jashtligjshme.
Në kampin në Sasabe, aktivistët e organizatave humanitare u ofrojnë migrantëve ushqim dhe ujë.
“Më parë shumica e migrantëve ishin nga Meksika dhe Amerika Qendrore. Ata ende vazhdojnë të vijnë, por tani ka shumë njerëz që vijnë nga Afrika. Ne kemi takuar njerëz edhe nga Bangladeshi dhe nga India. Kalimi i kufirit këtu të kujton Organizatën e Kombeve të Bashkuara”, thotë Mark Sanders, punonjës i organizatës humanitare “Green Valley Sahuarita”.
Rënia e kalimeve në kufi nuk ka ndikuar në kritikat e republikanëve për administratën e Presidentit Biden.
“Njerëzit do të vazhdojnë të vijnë nëse mendojnë se mund të hyjnë jashtligjshëm”, thotë Jodey Arrington, ligjvënës republikan.
Zyrtarët amerikanë thonë se do të mbeten vigjilentë për të kuptuar ndryshimet e modeleve të migracionit.