Çfarë rëndësie ka njoftimi për njohje të një shteti palestinez nga Spanja, Irlanda dhe Norvegjia?

FILE - People march during a pro-Palestinian rally in Madrid on Dec. 2, 2023.

Spanja, Irlanda dhe Norvegjia thanë të mërkurën se do të njihnin shtetin palestinez më 28 maj, një hap drejt realizimit të aspiratës së kahershme palestineze, që vjen mes zemërimit ndërkombëtar mbi numrin e viktimave civile dhe krizën humanitare nga ofensiva e Izraelit në Rripin e Gazës.

Vendimet pothuajse të njëkohshme të dy vendeve të Bashkimit Evropian dhe Norvegjisë, mund të nxisin një valë njohjesh të një shteti palestinez nga vendet e tjera të BE-së dhe mund të nxisin hapa të mëtejshëm në OKB, duke thelluar izolimin e Izraelit. Malta dhe Sllovenia, të cilat gjithashtu janë anëtare të Bashkimit Evropian, që përbëhet nga 27 vende, mund të ndjekin shembullin e Spanjës dhe Irlandës.

Rreth 140 nga 190 vendet anëtare të OKB-së e kanë njohur tashmë shtetin palestinez.

Njoftimi për njohje nga tre vendet evropian mund të jetë një vendim i rëndësishëm.

PSE KA RËNDËSI?

Vendimi i OKB-së i vitit 1948 për krijimin e Izraelit parashikonte një shtet fqinj palestinez, por rreth 70 vjet më vonë kontrolli i territoreve palestineze mbetet i ndarë dhe përpjekjet e palestinezëve për anëtarësim me të drejta të plota në OKB janë bllokuar.

Shtetet e Bashkuara, Britania dhe vende të tjera perëndimore kanë mbështetur idenë e një shteti të pavarur palestinez, që do të ekzistonte përkrah Izraelit, si një zgjidhje për konfliktin më të ndërlikuar të Lindjes së Mesme, por ato këmbëngulin që shtetësia palestineze të arrihet përmes një zgjidhjeje të negociuar. Por, nuk ka pasur negociata thelbësore mes Izraelit dhe palestinezëve që nga viti 2009.

Ndonëse dy vendet e BE-së dhe Norvegjia nuk do të njohin një shtet ekzistues, por vetëm mundësinë e një shteti të tillë, hapi i tyre simbolik ndihmon në forcimin e pozitës ndërkombëtare të palestinezëve dhe shton trysninë mbi Izraelin për të filluar negociatat për përfundimin e luftës.

Ky veprim i jep rëndësi shtesë këtij problemi në Lindjen e Mesme përpara zgjedhjeve të 6-9 qershorit për Parlamentin Evropian, në të cilat rreth 370 milionë njerëz kanë të drejtë vote dhe pritet të sjellin një rritje të madhe të së djathtës ekstreme.

PSE TANI?

Trysnia diplomatike mbi Izraelin është rritur ndërsa lufta e tij me Hamasin tashmë ka hyrë në muajin e tetë. Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një shumicë të konsiderueshme më 11 maj për t'i dhënë "të drejta dhe privilegje" të reja Palestinës, një shenjë e mbështetjes ndërkombëtare në rritje për një votim për anëtarësimin e saj me të drejta të plota. Autoriteti Palestinez aktualisht ka statusin e vëzhguesit në OKB.

Udhëheqësit e Spanjës, Irlandës, Maltës dhe Sllovenisë thanë në mars se po shqyrtonin mundësinë e njohjes së një shteti palestinez si "një kontribut pozitiv" drejt përfundimit të luftës Izrael-Hamas.

Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez tha të mërkurën se "kjo njohje nuk është kundër askujt, nuk është kundër popullit izraelit". “Është një veprim në favor të paqes, drejtësisë dhe në përputhje me qëndrimet morale”, shtoi ai.

CILAT JANË PASOJAT E NJOHJES?

Ndonëse dhjetëra vende e kanë njohur Palestinën, asnjë nga fuqitë kryesore perëndimore nuk e ka bërë këtë dhe nuk është e qartë se çfarë ndryshimi mund të sjellë vendimi e tre vendeve evropiane.

Lexoni edhe këtë Spanja, Irlanda dhe Norvegjia do të njohin Palestinën si shtet

Megjithatë, njohja e tyre do të shënonte një arritje të rëndësishme për palestinezët, të cilët besojnë se kjo i jep legjitimitet ndërkombëtar luftës së tyre.

Kjo nuk ka të ngjarë të ketë ndikim në terren në aspektin afat shkurtër. Bisedimet e paqes janë bllokuar dhe qeveria e vijës së ashpër e Izraelit ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër shtetësisë palestineze.

CILA ËSHTË PËRGJIGJA E IZRAELIT?

Izraeli reagoi me shpejtësi të mërkurën duke tërhequr ambasadorët e tij në Irlandë, Norvegji dhe Spanjë.

Qeveria izraelite i kritikoi ashpër diskutimet për pavarësinë e Palestinës, duke i konsideruar ato një "shpërblim" për sulmin e Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, në të i cilin u vranë 1200 njerëz dhe mbi 250 të tjerë u morën peng. Udhëheqësit e Izraelit kundërshtojnë çdo lëvizje për të legjitimuar palestinezët në rrafshin ndërkombëtar.

Vendimet, si ato të tre vendeve evropiane të mërkurën, do të forcojnë pozitat e palestinezëve dhe do të minojnë procesin e negociatave, thotë Izraeli, duke këmbëngulur se të gjitha çështjet duhet të zgjidhen përmes negociatave.

Izraeli shpesh i përgjigjet vendimeve të vendeve të tjera, që konsiderohen se janë kundër interesave të tij, duke thirrur ambasadorët nga këto vende dhe gjithashtu duke ndëshkuar palestinezët përmes masave si ngrirja e transferimit të të ardhurave nga mbledhja e taksave për Autoritetin Palestinez.

KUSH E KA NJOHUR PALESTINËN SI SHTET?

Rreth 140 vende e kanë njohur tashmë Palestinën, më shumë se dy të tretat e vendeve anëtare të OKB-së.

Disa fuqi të mëdha kanë dhënë shenja se qëndrimi i tyre mund të jetë duke evoluar mes protestave kundër ofensivës së Izraelit në Rripin e Gazës, ku, sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, janë vrarë mbi 35 mijë palestinezë. Në raportet e Ministrisë së Shëndetësisë në Rripin e Gazës mbi numrin e të vrarëve nuk bëhen dallime mes civilëve dhe militantëve.

Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se njohja e Palestinës nuk mund të ndodh për sa kohë që Hamasi mbetet në Rripin e Gazës, por kjo mund të arrihet përmes negociatave mes Izraelit dhe udhëheqësve palestinezë.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha në shkurt se nuk është “tabu” që Franca të njohë shtetin palestinez.