Irlanda, Norvegjia dhe Spanja njoftuan secila veç e veç të mërkurën njohjen e shtetit palestinez, duke përmendur luftën Izrael-Hamas në Gaza dhe nevojën për të arritur një zgjidhje me dy shtete, për hir të paqes së qëndrueshme në rajon.
“Lufta e vazhdueshme në Gaza e ka bërë të qartë se arritja e paqes dhe qëndrueshmërisë duhet të bazohet në zgjidhjen e çështjes palestineze”, tha kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre. “Lufta është pika më e ulët në konfliktin e zgjatur izraelito-palestinez. Situata në Lindjen e Mesme nuk ka qenë kaq e rëndë për shumë vjet”.
Norvegjia tha se ekziston një konsensus i gjerë ndërkombëtar mbi nevojën për një zgjidhje me dy shtete, duke përfshirë një votë shumicë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së këtë muaj për të njohur palestinezët si të kualifikuar për t'u bashkuar me këtë organizatë botërore.
Kryeministri i Spanjës Pedro Sánchez tha ndërkaq se vendimi bazohej në "paqe, e drejtësi...”.
"Ka ardhur koha për të kaluar nga fjalët në vepra", tha Sánchez.
Të tria vendet thanë se njohja e një shteti palestinez do të hyjë në fuqi më 28 maj.
Ministri i Jashtëm izraelit, Israel Katz, njoftoi menjëherë tërheqjen e ambasadorëve të Izraelit nga Irlanda dhe Norvegjia në përgjigje të njoftimeve të së mërkurës.
Ministri Katz tha se njohja e një shteti palestinez është një shpërblim për Hamasin dhe Iranin dhe një "padrejtësi për kujtesën" e atyre që u vranë në sulmin e Hamasit në Izrael me 7 tetor.
“Izraeli nuk do të qëndrojë i heshtur përballë atyre që dëmtojnë sovranitetin e tij dhe rrezikojnë sigurinë e tij”, tha ministri Katz.
Kryeministri i Irlandës, Simon Harris, tha se Irlanda e njeh pa mëdyshje Izraelin dhe të drejtën e tij për të ekzistuar "në mënyrë të sigurt dhe në paqe me fqinjët e tij". Kryeministri Harris bëri thirrje që të gjithë pengjet që aktualisht mbahen nga Hamasi në Gaza, të lirohen.
Ai vuri në dukje historinë e vetë Irlandës dhe rëndësinë e njohjes nga kombet e tjera.
Disa vende të Bashkimit Evropian kanë lënë të kuptohet në javët e kaluara se planifikojnë të njohin shtetin palestinez, duke argumentuar se një zgjidhje me dy shtete është thelbësore për paqen e qëndrueshme në rajon.
Vendimi mund të nxisë vrull për njohjen e një shteti palestinez nga vendet e tjera të BE-së dhe mund të nxisë hapa të mëtejshëm në Kombet e Bashkuara, duke thelluar izolimin e Izraelit.