Kamionët e parë me ndihma shumë të nevojshme për Rripin e Gazës kaluan mbi një port lundrues të sapondërtuar nga ushtria amerikane në brigjet e Rripit të Gazës të premten, ndërsa kufizimet izraelite në pikat kufitare dhe luftimet e ashpra vazhdojnë të pengojnë hyrjen e ushqimit dhe ndihmave të tjera për civilët atje.
Këto janë dërgesat e para të një operacioni, që zyrtarët ushtarakë amerikanë parashikojnë se mund të përfshijë dërgimin e deri në 150 kamionëve me ndihma në ditë në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli po vazhdon ofensivën shtatë-mujore kundër Hamasit.
Por Shtetet e Bashkuara dhe organizatat humanitare paralajmërojnë gjithashtu se porti i përkohshëm nuk mund të zëvendësojë dërgesat e nevojshme tokësore me ushqim, ujë dhe karburant në Rripin e Gazës. Para luftës, mesatarisht 500 kamionë në ditë hynin në Rripin e Gazës.
Suksesi i operacionit mbetet gjithashtu i pasigurt për shkak të rrezikut të një sulmi të mundshëm nga militantët, pengesat logjistike dhe mungesën në rritje të karburantit për kamionët e ndihmave për shkak të bllokadës izraelite në Rripin e Gazës, që u vendos pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor, në të cilin u vranë 1200 njerëz dhe u morën peng 250 të tjerë. Në ofensivën 7 mujore të Izraelit në Rripin e Gazës janë vrarë më shumë se 35 mijë palestinezë, thonë zyrtarët lokalë të shëndetësisë.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane njoftoi për lëvizjen e ndihmave humanitare përmes një deklarate të premten, duke thënë se ndihma e parë kaloi në Gazë në orën 9 të mëngjesit dhe tha se asnjë ushtar amerikan nuk zbarkoi në tokë gjatë këtij operacioni.
"Kjo është një përpjekje e vazhdueshme, shumëkombëshe për të ofruar ndihmë shtesë për civilët palestinezë në Gazë nëpërmjet një korridori detar që është tërësisht humanitar dhe do të përfshijë mallra të dhuruara nga një numër vendesh dhe organizatash humanitare", tha komanda amerikane.
Ushtria amerikane përfundoi ndërtimin e portit të përkohshëm lundrues të enjten.