Michael Cohen, ish avokati i zotit Trump, pranoi të enjten se në vitet e kaluara ai shpesh ka gënjyer, duke i thënë një jurie në gjyqin penal të ish-presidentit në Nju Jork se në disa raste ai ka gënjyer për të ndihmuar zotin Trump dhe në raste të tjera për të mbrojtur familjen e tij.
Përmes pyetjeve të shumta, avokati mbrojtës i ish Presidentit Trump, Todd Blanche u përpoq ta portretizonte zotin Cohen, dëshmitarin kyç të prokurorisë, si një njeri të cilit nuk mund t’i besohet, se në thelb ai është i pandershëm, mashtrues dhe i dyshimtë.
Në një rast, zoti Cohen përmendi gënjeshtrat gjatë një dëshmie para një Komisioni të Kongresit për një projekt të planifikuar të ndërtimit të Kullës Trump në Moskë, që nuk u realizua kurrë.
Michael Cohen tha se gënjeshtrat kishin për qëllim të ndihmonin zotin Trump në atë kohë, por avokati Blanche e pyeti atë: "E dije që po gënjeje?"
"Po", u përgjigj zoti Cohen.
Në një rast tjetër, zoti Cohen tha se ai gënjeu një gjykatës federal në një çështje evazioni fiskal, sepse donte të mbronte bashkëshorten e tij, Laura. Ai gjithashtu tregoi për gënjeshtra që u kishte thënë në kohë të ndryshme hetuesve që kërkonin të hetonin veprimet e tij dhe të zotit Trump para dhe gjatë presidencës së tij, që zgjati nga viti 2017 deri në vitin 2021.
Avokati Blanche sugjeroi se zoti Cohen gjithashtu gënjeu kur mohoi se kishte kërkuar falje presidenciale nga ish Presidenti Trump përpara se ai të largohej nga detyra. Zoti Cohen u përgjigj duke thënë se ai e kishte eksploruar idenë vetëm me avokatin e tij, por nuk e kishte ngritur këtë çështje me zotin Trump.
Michael Cohen është dëshmitari i 19-të dhe i fundit i prokurorisë kundër zotit Trump dhe u paraqit në fund të katër javëve të dëshmisë në gjyqin e parë penal ndaj një presidenti amerikan.
Avokati Blanche është përpjekur t'i tregojë jurisë 12 anëtarëshe se zoti Cohen, i cili u kthye kundër ish Presidentit Trump pasi ishte mik i tij besnik për vite, ishte pjesërisht i motivuar nga hakmarrja sepse zoti Trump nuk e emëroi atë në një pozicion të lartë në administratën e tij kur ai ishte President.
Zoti Cohen tha se ai dëshironte postin e shefit të personelit të Shtëpisë së Bardhë gjatë mandatit të zotit Trump dhe e pranoi se i kishte thënë vajzës së tij se ishte i zhgënjyer kur ai nuk u emërua në këtë post. Ai tha se ishte avokati personal i zotit Trump gjatë 15 muajve të parë të presidencës së tij, por bëri pak punë ligjore për të.
Avokati Todd Blanche luajti një kasetë të zotit Cohen, në të cilën ai dëgjohet duke festuar me gëzim në një program të tij për lajmin mbi padinë ndaj zotit Trump në Nju Jork një vit më parë.
Në kasetë, zoti Cohen dëgjohet duke thënë se shpresonte "që ky njeri të përfundonte në burg" dhe "të kalbet brenda për atë që më bëri mua dhe familjes time".
Avokati Todd Blanche u përpoq të nënvlerësonte dëshminë e zotit Cohen në fillim të kësaj jave se ish Presidenti Trump e kishte miratuar pagesën prej 130 mijë dollarësh për aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels pak përpara zgjedhjeve të 2016-ës, për të siguruar heshtjen e saj për një marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore me zotin Trump.
Kjo është java e katërt e procesit. Megjithatë ka ende dy pikëpyetje të mëdha. Së pari nëse zoti Trump do të dëshmojë për të dhënë versionin e tij të ngjarjeve. Ai ka thënë se dëshiron të dalë si dëshmitar, por nuk dihet nëse do ta bëjë vërtet këtë. Po ashtu, mbetet e paqartë nëse mbrojtja do të sjellë ndonjë dëshmitar dhe sa mund të sjellë.
Ish Presidenti ka mohuar të ketë patur marrëdhënie intime me aktoren Daniels dhe po ashtu është shprehur i pafajshëm për të 34 akuzat që rëndojnë ndaj tij, nga ato për kundërvajtje, e deri në vepra penale të dënueshme me deri katër vjet heqje lirie.
Të premten nuk do të vazhdojë gjyqi, sepse ish Presidenti Trump do të marrë pjesë në ceremoninë e diplomimit të djalit të tij Barron, në një shkollë të mesme në Florida. Marrja në pyetje e zotit Cohen nga avokati Todd Blanche rifillon të hënën.