Qeveria e Kosovës i dërgoi sot një letër Këshillit të Evropës me zotimin për të hartuar një projekt statut të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për ta dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese deri në fund të muajit maj, ndonëse që më parë udhëheqësit kryesorë evropianë e kishin bërë të qartë se një mundësi e tillë nuk është “as e përshtatshme dhe as e zbatueshme”.
Një qëndrim të tillë, kishin shprehur në një letër të datës 15 maj dërguar kryeministrit Kurti, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe kryeministrja italiane Georgia Meloni.
Në letrën që e ka siguruar Zëri i Amerikës, ata i përgjigjen një komunikimi me kryeministrin Kurti ku ai ka hedhur propozimet e tij për të gjetur një rrugëdalje që do të mundësonte anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në dritën e trysnisë për hedhjen e hapave drejt themelimit të Asociacionit.
Kryeministri Kurti kishte theksuar në letrën e tij se projekt statuti i hartuar nga diplomatët perëndimorë që u dorëzua në tetor të vitit të kaluar, “është vetëm një projekt” për të cilin nuk janë pajtuar palët dhe se kërkesa ndaj Kosovës që ta dërgojë atë në Gjykatën Kushtetuese rrezikon edhe procesin e bisedimeve meqë bie ndesh me parimin e barazisë, që parashikohet në marrëveshjen e arritur mes palëve në Bruksel dhe në Ohër vitin e kaluar.
Kryeministri Kurti kishte shprehur në letër gatishmërinë për një projekt statut të ri, ndërsa kishte lënë të hapur mundësinë që projekt statuti i Bashkimit Evropian të shqyrtohej fillimisht nga ekspertët ligjorë të Këshillit të Evropës.
Në përgjigjen e udhëheqësve evropianë thuhet se këto masa nuk trajtojnë nevojën urgjente për hapa vendimtarë drejt krijimit të Asociacionit dhe rrezikojnë të dëmtojnë më tej dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
“Së pari, projekt statuti i paraqitur nga përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, nuk është thjesht një “propozim xhentëlmenësh”. Është një model solid, i hartuar me kujdes me ndihmën e juristëve dhe ekspertëve evropianë, bazuar në praktikat më të mira ekzistuese në Evropë. Ai merr plotësisht parasysh të gjitha vijat tuaja të kuqe si dhe kuadrin kushtetues dhe ligjor të Kosovës. Si i tillë, ai gëzon mbështetjen tonë të plotë. Le të theksojmë edhe një herë se ne nuk duam një Kosovë jofunksionale, Asociacioni nuk është në asnjë mënyrë i krahasueshëm me Republikën Serbe”, thuhet në letër.
Sipas udhëheqësve të lartë evropianë, dërgimi i projekt statutit te ekspertët e Këshillit të Evropës nuk do të përbënte hap të domosdoshëm vendimtar pasi opinioni i tyre nuk do të jetë ligjërisht i detyrueshëm. “Kjo mund të arrihet vetëm duke e dërguar atë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në mënyrë që të jetë i pranueshëm për Gjykatën. Së treti, propozimi juaj për përgatitjen e një projekti të ri në konsultim me kryetarët apo zëvendësit aktualë të kryetare të komunave (në veri të Kosovës) nuk është as i përshtatshëm dhe as i zbatueshëm për shkak të rrethanave aktuale në këto komuna”, thuhet në letër, në të cilën nënvizohet se “ekziston rrezik real që pa përparim vendimtar për Asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.
“Topi është në fushën tuaj. Ne besojmë sinqerisht në udhëheqjen tuaj”, thuhet në letrën e udhëheqësve evropianë.
Të enjten megjithatë, ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se i ka nisur një letër Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e cila “përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”.
Lexoni edhe këtë Kosova i shkruan Këshillit të Evropës se po përgatit projekt statut për AsociacioninNë letër thuhet mes tjerash se projekt statuti i frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert ne janar të vitit 2023, do t'i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj.
Në muajin prill Kosova mori dritën jeshile nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t’u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por, vendet kryesore evropiane kushtëzuan votimin me hedhjen e hapave të parë drejt themelimit të Asociacionit, sipas një projekt statuti që në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha javën e kaluar se qeveria e tij nuk e pranon kushtëzimin me themelimin e Asociacionit.
“Draft statuti i (Miroslav) Lajçakut dhe emisarëve të tjerë të Quintit si dokument dështoi të zyrtarizohej pasi u refuzua. Si i tillë është një jodokument, pra është një non-paper. Qeveria e Kosovës nuk mund të dërgoj dokumente të cilat nuk i ka pranuar e nuk janë zyrtare në Gjykatë Kushtetuese, kjo kërkesë ndaj nesh ka qenë dhe mbetet absurde”, tha kryeministri Kurti.
Një marrëveshje e arritur vitin e kaluar ndërmjet palëve për normalizimin e marrëdhënieve, parashihte mes tjerash që Prishtina të fillojë punën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.
Kosova nuk hodhi hapat e kërkuar, ndërsa Serbia u vu në fushatë për të penguar anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës.
Përmbushja e marrëveshjeve është kusht për të dyja vendet që të përparojnë drejt integrimeve evropiane.