Inceneratori i Tiranës, Balluku në SPAK: Ka bërë pis të madh e të vogël

  • VOA

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, pas daljes nga Prokuroria e Posaçme

Në Shqipëri zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku iu shtua të mërkurën listës së zyrtarëve të lartë socialistë që janë thirrur në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për çështjen e inceneratorit të Tiranës. Më 30 prill, për të njejtën çështje, kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj qëndroi gati 7 orë para hetuesve, të cilët e kishin kërkuar të paraqitej për të dhënë shpjegime.

Lexoni edhe këtë Inceneratori i Tiranës, Veliaj 7 orë shpjegime në Prokurorinë e Posaçme

Zonja Balluku, hyri në mjediset e Prokurorisë së Posaçme, pak përpara orës 16.00 për të dalë prej andej rreth orës 19.30. “Duhet të jepja disa sqarime që besoj të kenë shërbyer në zbardhjen e kësaj dosje”, shjegoi zëvendëskryeministrja Balluku në dalje nga Prokuroria, pa u zgjatur në detaje. Ajo e distancoi prerë vetveten, kur deklaroi se “kjo dosje ka bërë pis të madh e të vogël dhe i ka ardhur koha të zbardhet, për të ndarë një herë e mirë, të mirën nga e keqja, punën e ndershme nga abuzimi pafalshëm”. Një koment që duket i ndryshëm nga qëndrimet e mbajtura nga eksponentët socialistë, të cilët nuk kanë folur për procesin, duke e e kufizuar gjithshka të “përgjegjësitë individuale”.

Në gusht të vitit të kaluar, Prokuroria e Posaçme vuri nën sekuestro impiantin e trajtimit të mbetjeve në Tiranë. Kontrata për ndërtimin e tij, me kosto të investimit të parashikuar prej 128 milionë euro (pa TVSH) u firmos në vitin 2017. Por ende pas 7 vitesh, impianti i djegies nuk ekziston, dhe gjithçka funksionon vetëm si një landfill i zakonshëm. Kjo çështje u ngrit disa herë gjatë aktivitetit të Komisionit Hetimor parlamentar për çështjen e inceneratorëve, të drejtuar nga deputetja demokrate Jorida Tabaku, edhe kur përpara këtij komisioni u paraqit zonja Balluku.

Ndonëse procedurat u nisën dhe u çuan përpara nga Ministria e Mjedisit, ishte më pas Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila mori rolin e autoritetit kontraktor, që në kohën kur në krye të saj ishte zoti Damian Gjiknuri, i zëvendësuar më pas nga zonja Balluku. Kjo ministri ishte përgjegjëse për verifikimin dhe kontrollin e zbatimit të detyrimeve kontraktore, ndërsa nën autoritetin e saj vepron dhe njëzia e zbatimit të projektit, me përfaqësuesë dhe nga Bashkia e Tiranës e Ministria e Mjedisit.

Në muajin dhjetor, Gjykata e Posaçme firmosi, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, nga të cilët 6 me arrest shtëpie. Mes të arrestuarve ishte dhe Taulant Tusha, Drejtor i Përgjithshëm i Punëve Publike në Bashkinë e Tiranës, një nga postet më të rëndësishme dhe më me peshë, i konsideruar si një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj. Në arrest përfundoi dhe për një tjetër ish drejtor i Bashkisë, ndërkohë urdhërat e Prokurorisë prekën sërish dhe ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka, si dhe ish deputetin socialist Alqi Bllako, si dhe dy sipërmarrësit Mërtiri e Zoto, të konsideruar si pronarët “de facto” dhe të impiantit të Tiranës, sikundër dhe në dy të tjerët në Elbasan dhe Fier.

Lidhjet e dyshuara me Zoton dhe Mërtirin, përfshinë në hetime dhe ish zëvendëskryeministrin Arben Ahmetaj, në arrati, që kur ndaj tij, verën e kaluar u lëshua dhe një urdhër arresti për disa vepra penale që nga “shpërdorimi i detyrës” te “mosdeklarimi i pasurisë”, "korrupsioni” apo dhe “pastrimi i parave”. Mbi të rëndojnë dyshime për përfitime financiare, dhe ndikim për të favorizuar procedurat e kontratave koncensionare për inceneratorët. Zoti Ahmetaj ka hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij.