Kryeministri sllovak në gjendje të rëndë pas plagosjes me armë zjarri

Pamje nga incidenti ku u plagos kryeministri i Sllovakisë

Kryeministri populist i Sllovakisë, Robert Fico, është në gjendje të rëndë si rezultat i plagosjes me armë zjarri, në përfundim të një tubimi politik të mërkurën, thuhet në faqen e tij në Facebook.

Stacioni televiziv sllovak, TA3, njoftoi se 59-vjeçari Fico u godit me armë zjarri në stomak pas katër të shtënave pranë Shtëpisë së Kulturës në qytetin Handlova. Kryeministri po takohej me mbështetësit e tij në qytetin që gjendet rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit. Televizioni sllovak njoftoi për ndalimin e një të dyshuari.

Në një postim në llogarinë e zotit Fico në rrjetin Facebook thuhej se udhëheqësi “është qëlluar disa herë dhe është në rrezik për jetën. Në këtë moment ai po transportohet me helikopter në Banska Bystrica, për shkak të nevojës për ndërhyrje të menjëhershme dhe se Bratislava ishte shumë larg. Orët e ardhshme do të jenë vendimtare”.

Policia ndalon një person pas incidentit ku u qëllua kryeministri i Sllovakisë.

Të shtënat në Sllovaki ndodhin tre javë përpara zgjedhjeve vendimtare për Parlamentin Evropian, në të cilat partitë populiste dhe të ekstremit të djathtë në bllokun 27-anëtarësh duket se do të shënojnë përparime.

Nënkryetari i parlamentit të Sllovakisë, Lubos Blaha i shtyu punimet deri në një njoftim të dytë, njoftoi agjencia sllovake e lajmeve TASR.

Partitë kryesore në opozitë, Sllovakia Progresive dhe Liria dhe Solidariteti, anuluan një protestë të planifikuar kundër një plani të debatueshëm të qeverisë për të reformuar radion dhe televizionin publik. Opozita thotë se kjo do t’i jepte qeverisë kontroll të plotë mbi transmetimet publike.

“Dënojmë absolutisht dhe fuqishëm dhunën dhe plagosjen e kryeministrit Robert Fico”, tha Michal Simecka, kreu i partisë Sllovakia Progresive. “Në të njëjtën, kohë u bëjmë thirrje të gjithë politikanëve që të përmbahen nga çdo qëndrim dhe hap që mund të kontribuojë në rritjen e mëtejshme të tensioneve”.

Presidentja Zuzana Caputova e dënoi sulmin, siç u shpreh ajo “brutal dhe të pamëshirshëm” ndaj kryeministrit.

“Jam e tronditur”, tha zonja Caputova. “I uroj Robert Ficos shumë forcë në këtë moment kritik dhe një rikuperim të shpejtë nga ky sulm.”

Zoti Fico, kryeministër për herë të tretë dhe partia e tij e majtë Smer, fituan zgjedhjet parlamentare të 30 shtatorit në Sllovaki, duke organizuar një rikthim politik pas fushatës me një mesazh pro-rus dhe anti-amerikan.

Kritikët janë të shqetësuar se Sllovakia nën kryeministrin Fico do të braktiste kursin pro-perëndimor të vendit dhe do të ndiqte rrugën e Hungarisë nën kryeministrin populist Viktor Orbán.

Mijëra njerëz kanë protestuar vazhdimisht në të gjithë Sllovakinë kundër politikave të kryeministrit Fico.

Dhuna politike është dënuar nga udhëheqësit në të gjithë Evropën, megjithëse aktualisht nuk dihen motivet e sulmit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dënoi atë që ajo e cilësoi si një "sulm të turpshëm".

“Akte të tilla dhune nuk kanë vend në shoqërinë tonë dhe minojnë demokracinë, të mirën tonë të përbashkët më të çmuar”, tha zonja von der Leyen në një postim në rrjetin X.

Kryeministri çek, Petr Fiala, e quajti incidentin "tronditës", ndërsa uroi shërimin sa më të shpejtë të kryeministrit. Ai tha se dhuna nuk duhet toleruar dhe se nuk ka vend për të në shoqëri. Deri në vitin 1992, Republika Çeke dhe Sllovakia kanë qenë pjesë e Çekosllovakisë.

Kryeministri polak, Donald Tusk, shkroi në rrjetin social X: “Lajme tronditëse nga Sllovakia”, duke shtuar se mendjen e kishte tek kryeministri gjatë këtij momenti kaq të vështirë, siç u shpreh ai.