Instituti Ndërkombëtar Republikan publikoi sot rezultatet e një sondazhi të zhvilluar gjatë shkurtit në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku shtrenjtimi i jetesës, papunësia dhe korrupsioni renditen në të gjithë rajonin si tre problemet kryesore më shqetësuese.
Your browser doesn’t support HTML5
Një pjesë e madhe e të anketuarve në Mal të Zi (38%), në Maqedoninë e Veriut (31%), në Bosnje e Hercegovinë (29%), në Serbi (28%), në Kosovë (28%) dhe në Shqipëri (22%) mendojnë se kostot e jetesës dhe çmimet e larta janë problemi më i rëndësishëm, me të cilin përballet vendi i tyre. Për Malin e Zi shqetësimi për kostot e jetesës është më shumë se dyfishuar nga viti 2022 (18%), ndërsa shqetësimi për papunësinë (15%) është ulur dy herë.
Papunësia, sipas anketës, është problemi tjetër kryesor me të cilën përballen vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosova (29%) e rendit si shqetësim të parë, ndonëse me një përmirësim të dukshëm nga viti 2022 (46%). Në Shqipëri, ku anketa është realizuar për herë të parë, Bosnje e Hercegovinë, në Mal të Zi e renditin papunësinë si shqetësimin e dytë më të madh, ndërsa në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut, papunësia renditet si shqetësimi i tretë më i madh.
Korrupsioni në Maqedoninë e Veriut, renditet si problemi i dytë më i madh, i përkeqësuar me tre herë në krahasim me vitin 2022. Edhe në Serbi korrupsioni është po ashtu shqetësimi i dytë më i madh. Ndërsa në Shqipëri, Mal të Zi, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë korrupsioni renditet si problemi i tretë më shqetësues nga të anketuarit.
Pjesa dërrmuese, në të 6 vendet pohojnë se korrupsioni është një problem serioz për vendet e tyre: 97% në Shqipëri, 90% në Maqedoninë e Veriut, 89% në Malin e Zi, 88% në Kosovë, 86% në Bosnje e Hercegovinë dhe 83% në Serbi. Të anketuarit në Shqipëri perceptojnë si ndër më të korruptuarit, kryeministrin dhe qeverinë, shërbimet publike, drejtësinë, partitë politike dhe oligarkët, ndërsa në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Serbi më shumë të korruptuar perceptohen partitë politike, shërbimet publike, drejtësia dhe oligarkët.
Qytetarët e anketuar, vlerësojnë se shqetësime kryesore si çmimet, papunësia dhe korrupsioni, duhet të trajtohen me përparësi të lartë nga qeveritë e vendeve të tyre.
Në Serbi vetëm 6 për qind e të anketuarve e cilësojnë temën e Kosovës si një problem të rëndësishëm, me të cilin po përballet vendi i tyre, ndërsa vetëm 4 për qind e tyre mendojnë se Kosova duhet të jetë një përparësi kryesore për t’u trajtuar nga qeveria. Ata kanë renditur para saj, shumë shqetësime të tjera si ekonomia, korrupsioni, varfëria, papunësia, shëndetësia dhe kriminaliteti.
Sipas këtij sondazhi rajonal, në Maqedoninë e Veriut janë shtuar skeptikët lidhur me drejtimin nga po shkon vendi. Dy vjet më parë 75% e të anketuarve mendonin se Shkupi po ecte në drejtimin e gabuar, ndërsa tani ata që kanë këtë mendim janë shtuar në 78 për qind.
Tre të katërtat e të anketuarve në Bosnjë dhe Hercegovinë, mendojnë se vendi i tyre po shkon në rrugën e gabuar. Në Shqipëri pak më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar, ndërsa 42% pohuan se vendi është në rrugën e duhur.
Kosova shënon sivjet një përmirësim optimist të situatës. Dy vjet më parë 55 për qind mendonin se Prishtina po shkonte në drejtimin e gabuar, ndërsa sot 65 për qind e të anketuarve mendojnë se Kosova është në rrugën e duhur. Në Malin e Zi më shumë se gjysma e të anketuarve (52%) mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e duhur, përkundër pjesës tjetër (41%) e cila mendon të kundërtën.
Në Serbi më shumë se gjysma e të anketuarve (56%) janë të kënaqur me rrugën që po ndjek vendi i tyre, afërsisht i njëjti rezultat me dy vjet më parë. Në mënyrë të përsëritur, nga viti 2020, 2022, 2024, më shumë se gjysma e të anketuarve në Serbi (57%) mendojnë se ajo për të cilën Serbia ka më shumë nevojë aktualisht është qëndrueshmëria dhe vazhdimësia, kundrejt pjesës tjetër (40%) që thotë se duhet ndryshimi, i cili sipas tyre duhet të përfshijë politikanët kryesorë dhe partitë në pushtet, situatën ekonomike, standartet kulturore dhe administrative.
Sondazhi i IRI-t ka një kapitull për standartet demokratike dhe të drejtat e njeriut. Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit vlerësojnë se po ecën "keq" dhe "shumë keq" demokracia (58%), të drejtat e njeriut (62%), ekonomia (86%), ndërsa po ecin "mirë" dhe "shumë mirë" liria e medias (54%) dhe sundimi i ligjit (78%). Në Shqipëri të anketuarit pohuan se janë "keq" dhe "shumë keq" demokracia (54%), të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), ndërsa po ecën "mirë" dhe "shumë mirë" liria e medias (51%). Lidhur me sundimin e ligjit, të anketuarit, janë të ndarë përgjysmë në vlerësim të mirë dhe të keq.
Të anketuarit në Kosovë vlerësojnë se po ecin "mirë" dhe "shumë mirë" demokracia (80%), të drejtat e njeriut (75%), liria e medias (83%), sundimi i ligjit (63%), ndërsa për ekonominë 71 për qind e tyre thonë se është "keq" dhe "shumë keq". Në Malin e Zi pohuan se janë "mirë" dhe "shumë mirë" demokracia (59%), të drejtat e njeriut (54%), liria e medias (62%), ndërsa "keq" dhe "shumë keq" vlerësojnë ekonominë (74%) dhe sundimi e ligjit (58%).
Të anketuarit në Serbi vlerësojnë "mirë" dhe "shumë mirë" demokracinë (58%), të drejtat e njeriut (60%), lirinë e medias (59%), mbizotërimin e ligjit (53%), ndonëse ekonominë e cilësojnë (69%) "keq" dhe "shumë keq". Në Bosnje dhe Hercegovinë pas një vlerësimi të "mirë" për demokracinë (53%) dhe lirinë e medias (62%), të tjerat, për të anketuarit shkojnë "keq" dhe "shumë keq", të drejtat e njeriut (53%), ekonomia (74%), sundimi i ligjit (60%).
Liria e medias vlerësohet si një temë më vete në anketimin e IRI-t. 82% e të anketuarve në Kosovë mendojnë se media atje është e lirë për të mbuluar çështje në mënyrë të pavarur. Këtë mendim kanë 64% e të anketuarve në Mal të Zi, 61% në Bosnje e Hercegovinë, 60% në Serbi, 53% në Maqedoni të Veriut dhe 51% në Shqipëri.
Besimi tek politikanët dhe institucionet është në nivele të ulëta në të gjithë gjithë vendet e rajonit. Në Shqipëri, sipas anketës, mosbesimi më i lartë është ndaj parlamentit (77%) dhe ndaj partive politike (76%). Afro 60 për qind e të anketuarve pohojnë se nuk kanë besim tek asnjë politikan. Mosbesimi shprehet ndaj KQZ-së (59%), ndaj gjykatave (58%), ndaj presidentit (52%), ndaj kryeministrit (51%). Ata janë të ndarë, në mënyrë të barabartë (49%-49%) në besimin ndaj medias, ndërsa institucionet që besojnë më shumë janë ushtria (51%), institucionet fetare (59%) dhe policia (63%).
Edhe në Kosovë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (66%) dhe ndaj gjykatave (51%). Të anketuarit atje janë të ndarë (50%/48%) në besimin ndaj parlamentit, ndërsa ata shprehin besim të lartë ndaj medias (54%/44%), ndaj KQZ-së (60%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj presidentit (66%), ndaj institucioneve fetare (85%), ndaj policisë (89%) dhe ndaj ushtrisë (91%).
Në Maqedoninë e Veriut të anketuarit shprehin shumë mosbesim ndaj gjykatave (81%), ndaj parlamentit (77%), ndaj kryeministrit (74%), ndaj partive politike (70%), ndaj presidentit (68%), ndaj KQZ-së (65%), si dhe ndaj policisë (51%). Megjithatë ata kanë besim tek media (50%/49%), tek ushtria (60%) dhe tek institucionet fetare (67%).
Të anketuarit në Malin e Zi shprehin mosbesim ndaj partive (69%), ndaj parlamentit (54%), ndaj mediave (55%). Ata pohuan se kanë besim ndaj KQZ-së (50%), ndaj kryeministrit (50%), ndaj gjykatave (52%), ndaj presidentit (59%, ndaj policisë (66%), ndaj besimeve fetare (71%), dhe ndaj ushtrisë (80%).
Në Serbi mosbesimi është po ashtu i konsiderueshëm ndaj partive (66%), ndaj gjykatave (60%), ndaj medias (54%), ndaj parlamentit (51%). Megjithatë të anketuarit shprehin besim tek policia (51%), te kryeministri (58%), te presidenti (62%), te ushtria (63%) si dhe te institucionet fetare (66%).
Në Bosnje dhe Hercegovinë mosbesimi më i lartë shprehet ndaj partive politike (78%), ndaj parlamentit (68%), ndaj kryeministrit (63%), ndaj KQZ-së (59%), ndaj Presidencës (59%), ndaj gjykatave (55%), ndërsa të anketuarit shprehin besim të lartë ndaj mediave (54%), ndaj ushtrisë (64%), ndaj institucioneve fetare 72%, dhe ndaj policisë 75%.
Nga anketimi i Institutit Ndërkombëtar Republikan mbi politikën e jashtme del një përkrahje e gjerë pro-Perëndimore e Shqipërisë dhe Kosovës në krahasim me vendet e tjera, ku përkrahja pro-Perëndimore është zbehur edhe në vendet anëtare të NATO-s si Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, dhe ku Serbia mbetet në fund të listës. 87 për qind e të anketuarve në Kosovë dhe 82 për qind të anketuarve në Shqipëri mendojnë se këto vende duhet të ndjekin vetëm politika pro perëndimore dhe pro Bashkimit Europian. Kosova dhe Shqipëria janë shtetet më pro-perëndimore në Ballkan. Studimi konstaton se ky mendim në Kosovë është rritur me 10 për qind, nga 77% dy vjet më parë.
Përkrahja për orientimin euro-atlantik në rajon po lëkundet përballë vonesave të integrimit apo ndjenjave pro-ruse, megjithatë për shqiptarët drejtimi perëndimor vazhdon të vlerësohet si drejtimi i vetëm. Ndërsa për të tjerët gjërat duket se kanë ndryshuar. Maqedonia e Veriut ka shënuar rënie në mbështetjen e politikave perëndimore nga 41% në 31%, Mali i Zi ka mbetur në vetëm 36 për qind, Bosnje e Hercegovina ka një rënie nga 42 për qind në 39%, ndërsa Serbia është në nivelin 10%. Qytetarët në këto katër vende, mendojnë se krahas Perëndimit duhet të mbajnë marrëdhënie me Rusinë, madje në rastin e Serbisë 12% mendojnë se Beogradi duhet të ndjekë vetëm politika pro-Ruse, kundrejt 10% politikave pro-Perëndimore.
Sa i takon integrimit në NATO spikasin Kosova dhe Shqipëria. 88% e të anketuarve në Kosovë kërkojnë anëtarësim të plotë në NATO, një rritje me 13% nga viti 2022, ndërsa 91% e shohin pozitv rolin e saj në botë. Në Shqipëri, anëtare e Aleancës prej shumë vitesh, 85% e të anketuarve mbështesin Aleancën, 91% e vlerësojnë pozitiv për vendin anëtarësimin e saj, dhe 86% e tyre e shohin pozitiv rolin e saj në botë. Mbështetja për anëtarësimin në NATO në Maqedoninë e Veriut është 52%, rreth 70% e shohin si pozitiv për vendin, dhe 65% e shohin pozitv rolin e saj në botë.
Në Mal të Zi anëtarësimin në NATO e mbështesin 61%, e shohin si të dobishëm për vendit 39% e tyre, ndërsa 55% e shohin si pozitiv rolin e Aleancës në botë. Në Bosnje e Hercegovinë 50% e të anketuarve shprehen për anëtarësim të plotë në NATO dhe 57% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë. Ndërsa në Serbi vetëm 3% cilësojnë anëtarësimin e plotë e shprehin si të dobishëm për të ardhmen e vendit dhe vetëm 2% e shohin pozitivisht rolin e saj në botë.
Integrimin në BE e duan të gjithë. Sipas anketës së IRI-t, nëse sot do të mbahej një referendum për anëtarësimin në BE, atëherë do të votonin pro 92% e Shqipërisë, 89% e Kosovës, 79 për qind e Malit të Zi, 68% e Bosnje e Hercegovinës, 68% e Maqedonisë së Veriut, si dhe 40 për qind e Serbisë, por 34 për qind e serbëve janë gati të votojnë kundër anëtarësimit në BE. Shumica (62%) në Kosovë mendojnë se oferta e BE-së për anëtarësim ndaj vendeve të Ballkanit perëndimor është serioze. Po ashtu edhe 59% në Mal të Zi, 54% në Shqipëri dhe 44% në Bosnje e Hercegovinë. Por nga ana tjetër 54% e të anketuarve në Serbi dhe 47% e tyre në Maqedoninë e Veriut mendojnë se BE-ja nuk është serioze me këto oferta.
Sondazhi i IRI-t i kushton vëmendje edhe vlerësimeve mbi marrëdhëniet e vendeve me jashtë dhe ndikimet nga jashtë. Të anketuarit në Shqipëri cilësojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin SHBA-të (56%), Italinë (10%), Turqinë (8%), Kosovën (5%) dhe Gjermaninë (4%). Ata në Kosovë mendojnë si aleatë më të rëndësishëm për vendin e tyre SHBA-të (80%), Shqipërinë (6%), Gjermaninë (5%) dhe Turqinë (3%). Por Maqedonia e Veriut sheh si aleatë më të rëndësishëm Serbinë (34%), SHBA-të (17%), Turqinë (12%), Rusinë (8%) dhe Shqipërinë (5%). Edhe të anketuarit në Malin e Zi shohin si aleatë Serbinë (32%), SHBA-të (20%), Rusinë (9%), Turqinë (6%), Bosnje e Hercegovinën (3%). Në Serbi shohin si aleatë më të rëndësishëm Rusinë (46%), Kinën (14%), Hungarinë (5%), Greqinë (3%), Gjermaninë (2%). Ndërsa të anketuarit në Bosnje e Hercegovinë shohin si aleatë të rëndësishëm për vendin e tyre Turqinë (22%), Serbinë (16%), Rusinë (13%), SHBA-të (12%) dhe Kroacinë (9%).
Si kërcënimin më të madh për vendin e tyre të anketuarit në Shqipëri shohin Serbinë (36%), Rusinë (32%) dhe Greqinë (9%). Në Kosovë si kërcënim shohin Serbinë (83%) dhe Rusinë (8%). Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësojnë si kërcënim Bullgarinë (23%), Rusinë (12%), Kosovën (10%), Shqipërinë (9%) madje edhe SHBA-të (8%). Në Malin e Zi të anketuarit shohin si kërcënim për vendin e tyre SHBA-të (19%), Rusinë (17%), Serbinë (10%) madje edhe Kosovën (7%). Ndërsa në Serbi të anketuarit shohin si kërcënim SHBA-të (36%), Shqipërinë (18%), Kosovën (10%), Kroacinë (5%), Britaninë e Madhe (5%). Bosnje e Hercegovina sheh si kërcënim Serbinë (27%), SHBA-të (20%), Rusinë (15%), madje edhe Shqipërinë (3%), dhe Turqinë (2%).
Për të anketuarit në Shqipëri vendet më të favorshme janë SHBA-të (92%), Gjermania (91%), Kosova (91%), Turqia (84%), Maqedonia e Veriut (65%), Mali i Zi (64%), Kroacia (62%), madje edhe Bosnje e Hercegovina (40%), ndërsa cilësojnë si vendet më të pafavorshme Rusinë (85%) dhe Serbinë (84%).
Në Kosovë vendet më të favorshme vlerësohen SHBA-të, Gjermania, Shqipëria, Turqia, Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina dhe Mali i Zi, ndërsa më pak të favorshmet Serbia (91%), Rusia (89%) dhe Kina (79%).
Të anketuarit në Maqedoninë e Veriut cilësuan si vendet më të favorshme Turqinë (77%), Gjermaninë (73%), Malin e Zi (72%), Kroacinë (69%), Serbinë (70%), Bosnje e Hercegovinën (66%), Kinën (56%), SHBA-të (49% /43% jo), Rusia (40% /41% jo), ndërsa më pak të favorshmit përmendin Shqipërinë (50%) dhe Kosovën (58%).
Në Malin e Zi të anketuarit vlerësojnë si të favorshëm për vendin e tyre Bosnje e Hercegovinën (75%), Serbinë (71%), Maqedoninë e Veriut (70%), Gjermaninë (68%), Kinën (66%), Turqinë (65%), Kroacinë (58%), Rusinë (55%), SHBA-të (50%). Vendet më pak të favorshme për malazezët janë Shqipëria (59%) dhe Kosova (54%).
Sipas sondazhit, në Serbi shihen si më të favorshme Rusia, Kina, Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina, Mali i Zi, Turqia, por më pak të favorshme Shqipëria (86%), SHBA-të (75%), Kroacia (73%), Kosova (67%) dhe Gjermania (49%/).
Në Bosnje e Hercegovinë vlerësojnë si vendet më të favorshme Gjermaninë (73%), Turqinë (69%), Malin e Zi (64%), Maqedoninë e Veriut (60%), Kroacinë (53%), SHBA-të (53%), Kinën (51%) dhe Kosovën (49%), ndërsa si vendet më të pafavorshme renditin Rusinë (57%), Serbinë (56%) dhe Shqipërinë (51%).
Vendet e Ballkanit Perëndimor janë të ndara edhe sa i takon luftës në Ukrainë. 49 për qind e të anketuarve serbë mendojnë se sulmi i Rusisë në Ukrainë është i justifikueshëm, ndërsa 37% që mendojnë të kundërtën. Në Maqedoninë e Veriut 53% mendojnë se sulmi rus ndaj Ukrainës është i pajustifikueshëm, kundrejt 33% që e justifikojnë atë. Në Mal të Zi 61% e të anketuarve e cilësojnë si të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt 31% që e justifikojnë. Në Bosnje e Hercegovinë 65% e të anketuarve e cilësojnë sulmin rus ndaj Ukrainës si të pajustifikueshëm kundrejt 27% që e quajnë të justifikueshëm atë. Në Kosovë 72% e të anketuarve e cilësojnë të pajustifikueshëm sulmin rus ndaj Ukrainës, kundrejt vetëm 15% pro, ndërsa në Shqipëri 82% e të anketuarve e cilësojnë atë sulm të pajustifikueshëm, kundrejt vetëm 9 për qind që e justifikojnë atë. Shqipëria dhe Kosova mbajnë gjerësisht anën e Ukrainës përkatësisht me 78% dhe 73%.
Në Maqedoninë e Veriut 54% e të anketuarve shprehen se nuk mbështesin asnjërën nga palët. 54% e serbëve mbështesin Rusinë në konfliktin ushtarak, në Bosnje e Hercegovinë dhe Mal të Zi janë të ndarë midis mbështetjes për Rusinë, mbështetjes për Ukrainën dhe asnjërës nga palët. Ndërsa 73% në Kosovë, 57% në Shqipëri dhe 34% në Bosnje e Hercegovinë mendojnë se Rusia është përgjegjëse për konfliktin ushtarak. 43% në Serbi, 27% në Maqedoni të Veriut mendojnë se përgjegjës është Perëndimi. Në Malin e Zi 27% bëjnë përgjegjës Rusinë dhe 26% mbajnë përgjegjës Perëndimin për atë konflikt. 68% për qind në Serbi dhe 44% në Mal të Zi mendojnë se Rusia do ta fitojë luftën, ndërsa 50% në Shqipëri dhe 47 për qind në Kosovë mendojnë se Ukraina do të fitojë.
Sondazhi i IRI-t në Ballkanin Perëndimor sjell kështu një pamje mjaft komplekse në zhvillimet e brendshme të secilit vend sa i takon ekonomisë problematike, vlerësimeve ndaj politikës dhe qeverisjes, raporteve të tensionuara apo mosbesuese mes njëri tjetrit, dhe qëndrimeve të tyre ndaj integrimeve në NATO dhe BE, apo zhvillimeve si sulmi rus ndaj Ukrainës, që ka provokuar luhatje në politikat e jashtme të kryeqyteteve në këtë rajon.
Intervista me John Fluharty, drejtori për Shqipërinë i Institutit Ndërkombëtar Republikan
Zëri i Amerikës: Cila është mbresa juaj kryesore lidhur me rezultatet e anketës në Shqipëri dhe Ballkanin Perëndimor, ku njerëzit janë më së shumti të shqetësuar për shtrenjtimin e jetesës, papunësinë dhe korrupsionin?
John Fluharty: Së pari falenderoj Zërin e Amerikës që më interviston përsëri mbi punën tonë. IRI është shumë i kënaqur për anketën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht sepse kjo është hera e parë që kjo anketë kryhet edhe në Shqipëri. Të dhënat tregojnë ato që njerëzit janë të shqetësuar së pari për vendet e munguara të punës, kostot e jetesës, për ekonominë, ndërsa korrupsioni vjen i treti. Mendoj se këto janë tregues domëthënës sa i takon zgjedhjeve të vitit 2025, për atë çka partitë politike duhet të bisedojnë me njerëzit. Nëse shihni shifrat e Shqipërisë, gjeni se besimi ndaj partive politike dhe ndaj drejtuesve politike është shumë i ulët. Dhe nga kjo vjen pyetja: Çfarë duhet të flasin partitë politike njerëzve mbi punësimin dhe ekononë, në mënrë që të bëjnë për vete votat e tyre.
Zëri i Amerikës: Shumica e njerëzve thanë se nuk besojnë tek partitë politike dhe kanë besim të ulët ndaj parlamentit. A mund të komentoni këto rezultate?
John Fluharty: Njerëzit duhet të pyesin veten: Pse unë po zgjedh këta njerëz? A po zgjedh persona që të më shërbejnë mua, që të më krijojnë një klimë të përshtatshme për tregun e lirë, për rritjen e ekonomisë, për të pakësuar korrupsionin, dhe që parlamenti të zbatojë ligjet që luftojnë korrupsionin? Apo unë po zgjedh persona, që t’u shërbej atyre? E mendoj këtë gjë çdo ditë në Shqipëri, që shqiptarët kanë shtysën të zgjedhin drejtues të fortë, që u japin atyre siguri. Një dialog i vërtetë duhet bërë midis këtyre dy qasjeve nga tani deri në zgjedhjet e 2025. Mendoj se partitë politike duhet të drejtojnë këtë diskutim: Përse mbahen zgjedhjet? A zgjidhen këtu persona, që sjellin siguri për qytetarët, apo zgjidhen persona që krijojnë hapësirë për qytetarët, në mënyrë që këta vet të bëjnë më të mirën e tyre?
Zëri i Amerikës: Një pyetje tjetër del nga anketa në lidhje me politikanët e vjetër dhe politkanët e rinj? Si mundet shoqëria që të nxjerrë dhe të mbështesë politkanë të rinj për të përballur sfida të reja?
John Fluharty: Ka disa çështje në këtë pikë. Së pari, njerëzit aktivistë nëpër parti duhet të vendosin se cili është roli i drejtuesve të partive. Këta nuk ka arsye pse të jenë përgjegjës për gjithçka, por ata janë mjeti për të shkuar tek njerëzit dhe për t’i dëgjuar ata, teksa kërkojnë si të lehtësohen reformat, si të rritet ekonomia. Njerëzit duhet t’i shohin drejtuesit partiakë në këtë mënyrë, pra që ata të mbledhin dhe të përmbushin kërkesat e qytetarëve.
Zëri i Amerikës: Çfarë synoni të mësoni me pyetjen në anketën tuaj, nëse vendi po shkon drejtimin e duhur apo në drejtimin e gabuar?
John Fluharty: Ne duam të mësojmë se çfarë mendojnë vërtet qytetarët. Përgjijget e kësaj pyetje, kur bashkohen me pyetjet nëse i besojnë partitë politike, apo nëse i pëlqejnë politikanët, atëherë del një pamje e qartë se çfarë duhet ndryshuar dhe ku janë hapësirat për politikanë të rinj. Kryesorja është që njerëzit të ndjehen të aftë se kanë në dorë të veprojnë për të bërë atë që e duan si rrugën më të mirë sipas ndjenjave të tyre.
Zëri i Amerikës: Si i komentoni ju rezultatet e anketës mbi integrimin euro-atlantik të rajonit?
John Fluharty: Shqipëria më shumë se çdo vend tjetër në rajon beson tek demokracia, liria dhe tek vlerat perëndimore dhe shqiptarët pohuan në shifrat e kësaj ankete se dëshirojnë të lëvizin në këtë drejtim. BE-ja është një institucion demokratik, që lufton korrupsionin dhe ka shumë kërkesa e standarte të përfshira në rrugën e anëtarësimit. Njerëzit në mendjet e tyre kanë besim tek demokracia e një institucioni më të madh demokratik siç është BE-ja, dhe ata i thonë me veten e tyre se kështu ata janë vërtet pjesë e Perëndimit. Në gjithë rajonin mund të shihet qartë se Shqipëria është një partner i qëndrueshëm për këto vlera.
Zëri i Amerikës: Disa vende në rajon kanë pritshmëri të larta për integrimet euro-atlantike, por ende të paarritura. A keni ndonjë koment për këtë pjesë?
John Fluharty: Këto janë pjesë e një procesi, që kërkon kohë, reforma dhe negociata për Shqipërinë dhe vende të tjera në rajon, derisa BE të sigurohet që kërkesat dhe standartet u arritën dhe ato janë gati. Më e rëndësishmja është siguria që ato janë në rrugën e duhur, dhe që qeveria të përparojë në këtë proces duke dialoguar me njerëzit, si në nivel qendror ashtu edhe në pushtetin vendor derisa të arrihen kriteret.
Zëri i Amerikës: Disa vende në rajon e shohin Rusinë si një kërcënim. A keni një koment për ndikimet e Rusisë në këtë rajon, mbështetur në të dhënat e anketës?
John Fluharty: Nëse shihni shifrat, njerëzit mendojnë se ka probleme që vijnë për shkak të Rusisë, për shkak të paqëndrueshmërisë në rajon, e cila mund të nxitet nga Rusia. Kjo mund të vijë në mënyra të ndryshme. Mendoj se ka mundësi që kjo të jetë një problem.
Zëri i Amerikës: Sipas mendimit tuaj, cili është mesazhi më i rëndësishëm, që qytetarët kanë dhënë përmes kësaj ankete?
John Fluharty: Mesazhi kryesor i qytetarëve përmes kësaj ankete, sipas mendimit tim, është që njerëzit po u thonë drejtuesve politikë dhe qeverive se ata duan një demokraci më të fortë. Ata shohin një kërcënim nga Rusia dhe shtysa të tjera që mund të dëmtojnë demokracinë e tyre. Ndaj drejtuesit politikë duhet të ndërmarrin çdo hap të mundshëm që të ecin në rrugën e duhur që synojnë njerëzit. E dyta është se zgjedhjet po afrohen. Ka shumë punë për të bërë me njerëzit, që të rindërtohet besimi i tyre tek proceset politike dhe tek sistemi politik.