Zonja e parë dhe ministri i jashtëm i Ukrainës vizitojnë Serbinë, një aleate e Rusisë

Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, po qëndron në një vizitë të papritur në Serbi, një aleate e Rusisë, së bashku me zonjën e parë të Ukrainës, Olena Zelenska, një shenjë e ngrohjes së marrëdhënieve midis dy vendeve.

Në vizitën e tij të parë në Serbi që nga fillimi i agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022, ministri Kuleba u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e ri serb Milosh Vuçeviç, qeveria e të cilit përfshin disa ministra pro-rusë, dy nga të cilët ndodhën nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara.

Lexoni edhe këtë Vulin i sanksionuar nga SHBA, pjesë e qeverisë së re të Serbisë

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e kryeministrit serb pas takimit, thuhet se "Serbia është e përkushtuar të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe tërësinë tokësore të çdo shteti anëtar të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Ukrainën".

Edhe pse Serbia e ka dënuar agresionin rus ndaj Ukrainës, ajo ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Moskës duke ruajtur marrëdhënie të ngrohta dhe miqësore me aleatin e saj tradicional sllav.

Serbia ka shpallur qasjen e saj neutrale në lidhje me luftën në Ukrainë dhe autoritetet e saj thonë se Serbia nuk furnizon me armë asnjërën palë. Megjithatë, ka raportime se Serbia i ka dorëzuar Ukrainës armë përmes vendeve ndërmjetëse.

Vizita e ministrit Kuleba dhe zonjës Zelenska të cilët shetitën nëpër kryeqytetin serb të dielën bashkë me zonjën e parë serbe Tamara Vuçiç, u prit me kritika në Moskë. Komentet e lexuesve në mediat shtetërore ruse që e cilësonin vizitën si "të turpshme", u publikuan nga RIA Novosti.

Në atë që duket të jetë një përpjekje për “kontrollimin e dëmeve”, menjëherë pas bisedimeve të tij me ministrin Kuleba të hënën, kryeministri serb Vuçeviç u takua me ambasadorin rus në Beograd, për të vizituar së bashku një objekt të madh magazinimi të gazit rus që importohet në Serbi.

Presidenti pro rus Vuçiç ka takuar jozyrtarisht presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky tre herë në kuadër të konferencave ndërkombëtare. Serbia ka dërguar në Ukrainë ndihma humanitare dhe financiare.

Presidenti Vuçiç prej vitesh ka pretenduar se ndjek një politikë “neutrale”, duke balancuar lidhjet mes Moskës, Pekinit, Brukselit dhe Uashingtonit. Edhe pse ai ka thënë vazhdimisht se Serbia është e vendosur në aspiratat e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nën sundimin e tij autoritar vendi ballkanik duket se po i afrohet më shumë Rusisë dhe veçanërisht Kinës.

Lexoni edhe këtë Analizë: A po e humb Perëndimi betejën me Kinën për zemrën e Serbisë?

Gjatë një vizite të presidentit kinez Xi Jinping në Beograd javën e kaluar, Kina dhe Serbia nënshkruan një marrëveshje për të ndërtuar marrëdhënie "të hekurta" dhe një "të ardhme të përbashkët”.