Gjyqësori në Malin e Zi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës

  • Ali Salaj

Podgorica

Institucionet gjyqësore në Malin e Zi ende nuk i kanë hetuar dhe dokumentuar krimet e luftës të ndodhura gjatë viteve ’90, dhe se përgjegjësitë për këto krime nuk janë vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare, thotë ish anëtari i Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi dhe avokati Loro Markiqi, i cili konsiderohet si njohës i mirë i këtyre çështjeve.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Markiqi e sheh si të domosdoshme ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, por megjithatë ai mendon se pa një vullnet politik të strukturave shtetërore dhe gjyqësore të Mali të Zi vështirë është të arrihet ndonjë përparim i dukshëm në këtë drejtim.

Your browser doesn’t support HTML5

Gjyqësori në Malin e Zi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës

Ekspertët thonë se institucionet gjyqësore në Malin e Zi ende nuk i kanë hetuar dhe dokumentuar krimet e luftës të ndodhura gjatë viteve ’90 dhe se përgjegjësitë për këto krime nuk janë vendosur në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Ish anëtari i Këshillit Gjyqësor të Malit të Zi dhe avokati Loro Markiqi, i cili konsiderohet si njohës i mirë i këtyre çështjeve, vë në dukje mungesën e vullnetit politik për gjykimin e drejt të këtyre rasteve.

“Vullneti politik për të ndjekur penalisht krimet e luftës dhe kriminelët e luftës ka munguar. Sidomos nuk ka pasur vullnet për t'i ndjekur kriminelët e luftës që bënë krime kundër shqiptarëve, sepse ndaj popujve tjerë ka qenë më ndryshe. Për këtë fajin nuk e ka vetëm gjyqësia, por edhe policia e prokuroria. Shpesh ka ndodhur që t'i akuzojnë njerëzit e gabuar me qëllim që ata më pastaj të lirohen si të pafajshëm”, tha zoti Markiqi.

Në këtë kuadër zoti Markiqi fajëson edhe faktorin politik shqiptar, i cili sipas tij nuk shfaqi ndonjë gatishmëri të duhur në parandalimin ose në nxitjen e disa proceseve gjyqësore ndaj komunitetit shqiptarë.

“Ndjekja e aktorëve të krimeve të luftës kundër shqiptarëve, faj ka edhe faktori politik shqiptar, që nuk arriti të bëjë trysninë e duhur në anulimin e disa vendimeve të njëanshme ndaj shqiptarëve në gjykatat malazeze”, tha zoti Markiq.

Zoti Markiqi e sheh si të domosdoshme ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale, por ai mendon se pa një vullnet politik të strukturave shtetërore dhe gjyqësore të Mali të Zi vështirë është të arrihet ndonjë përparim në këtë drejtim.

“Mendoj se ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale apo edhe i Kodit Penal ndihmon, por nuk e rregullon dhe nuk do ta bëjë ndryshimin e duhur në qasjen e Malit të Zi ndaj kësaj çështjeje. Mendoj se vendimtare në këtë aspekt është vullneti politik i strukturave politike dhe të gjyqësorit në Malin e Zi”, tha avokati i njohur Loro Markiq.

Në Raportin e Komisionit Evropian të publikuar në fund të vitit 2023, thuhet se rezultatet e Malit të Zi në ndjekjen penale të krimeve të luftës, janë të kufizuara. Prandaj avokati Markiqi vlerëson se Mali i Zi duhet të ballafaqohet me të kaluarën duke u angazhuar më shumë në trajtimin e rasteve të krimeve të luftës.