Udhëheqësi kinez Xi Jiping do ta kalojë pjesën më të madhe të turneut të tij 5 ditor në Evropë në dy vende të vogla, në gjysmën lindore të kontinentit, një rajon që Pekini e ka përdorur si pikë mbështetëse për të zgjeruar synimet e saj ekonomike në Evropë. Pas qëndrimit në Paris të hënën, nga ku nisi udhëtimin e tij të parë në Evropë pas 5 vitesh, Presidenti Xi do të vizitojë Hungarinë dhe Serbinë, dy vende me udhëheqës autokratikë, që shihen si miqësore ndaj Kinës dhe të afërta me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin. Ndërsa drejtuesit kryesorë evropianë kanë ndjekur politika mbrojtëse për të kufizuar ndikimin e Pekinit dhe Moskës në kontinent, qeveritë e udhëheqësve nacionalistë Viktor Orban në Hungari dhe Aleskandër Vuçiç në Serbi, kanë nxitur lidhjet ekonomike me Kinën, duke u hapur udhë investimeve të mëdha në infrastrukturë, energji dhe teknologji. I vetmi vend i Bashkimit Europian pjesë e nismës së Presidentit Xi “Një brez, një rrugë”, Hungaria ka mbajtur një pozicion të ndërmjetëm mes anëtarësimit të saj në BE dhe NATO dhe një qëndrim të hapur, të pazakontë, për marrëdhënie diplomatike dhe tregtare me autokracitë lindore.
Tamas Matura, ekspert mbi çështjet e Kinës dhe profesor në Universitetin “Corvinus” në Budapest thotë se në Hungari gjenden investime të mëdha kineze dhe fabrika prodhimi dhe se antagonizmi i saj për të kryer tregti me vendet që shenjohen për probleme me demokracinë dhe të drejtat e njeriut, i ka hapur një shteg kryesor Kinës drejt Evropës.
“Dy miqtë e fundit të vërtetë” në Bashkimin Europian
“Qeveria hungareze është vërtet partneri i fundit i vërtetë i Kinës në gjithë Evropën”, thotë zoti Matura. “Eshtë tejet e rëndësishme që kinezët të vendosen në një vend që është brenda kufijve të Bashkimit Europian dhe miqësor ndaj sistemit politik kinez”. Një nga përfitimet e mëdha që Kina të vendosë baza brenda Bashkimit Europian është shmangia e kostos së tarifave. Komisioni Europian po shqyrton mundësinë e rritjes së tarifave për importin e automjeve elektrike kineze, aktualisht në nivelin 10 për qind, me qëllim mbrojtjen e tregut europian të prodhimit të automobilëve, shtyllë kryesore për Gjermaninë, ekonomia më e madhe e bllokut europian prej 27 anëtarësh. Sidoqoftë, në dhjetor, Hungaria njoftoi se një nga prodhuesit më të mëdhenj të makinave elektrike, prodhuesi kinez BYD, do të çelë fabrikën e parë në Evropë, në jug të Hungarisë, një ndërhyrje e papritur që mund të përmbysë konkurrencën në industrinë e automobilëve në kontinent. Ndryshimi ka filluar të ndihet në Budapset, ku një kompani automjetesh ka nisur të tkurrë furnizimin me automjete europiane duke prezantuar modele të prodhuesit kinez të makinave elektrike BYD. Mark Schiller, drejtor marketingu dhe strategjie i kompanisë së tregtimit të automjeteve Schiller Auto Group tha se prodhuesit europianë janë “shumë mbrapa” Kinës për kalimin tek prodhimi i makinave elektrike. Kompania e tij së fundmi ka ndërprerë shitjen e makinave të prodhuesit gjerman Opel dhe është kthyer nga prodhimet e kompanisë kineze BYD. “Ishte një ndryshim i madh”, tha zoti Schiller.
Një tjetër investim
Televizioni shtetëror i Hungarisë u duk se konfimoi të hënën njoftimet e mëparshme se Presidenti Xi dhe kryeministri Orban do të udhëtonin në qytetin jugor Pecs për të bërë publik një tjetër investim në industrinë e prodhimit të automobilëve elektrikë që përfshin kompaninë kineze ‘Great Wall Motor’. Në një konferencë për shtypin, Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto kritikoi ashpër gazetarët për raportimin e marrëveshjes së mundshme, duke thënë se ata që përmendin kompani të veçanta përpara se sa marrëveshjet të pëmbyllen, “po veprojnë qartësisht kundër interesave kombëtare hungareze”. Njoftimi për udhëtimin e mundshëm të Presidentit Xi në qytetin Pecs u hoq më vonë nga faqja e internetit të televizionit shtetëror. Deri në publikimin e këtij artikulli, zyra e kryeministrit hungarez Orban nuk iu përgjigj një sërie kërkesash për informacion mbi agjendën e zotit Xi. Në Serbi, Kina ka blerë miniera dhe fabrika, ndërsa përmes kredive prej miliarda dollarësh janë financuar investime në rrugë, ura dhe objekte të reja.
Hungaria dhe Serbia kanë një marrëveshje me Pekinin për modernizimin e hekurudhës që lidh dy kryeqytetet Budapest dhe Beograd, pjesë e nismës “Një brez, një rrugë”, për t’u lidhur me portin e Pireut në Greqi, që kontrollohet nga një kompani kineze. Porti paraqet një pikë kryesore hyrëse për mallrat kineze drejt Europës Qendrore dhe Lindore. Pjesa më e madhe e projektit, i cili pas një sërë vonesash pritet të përfundojë në 2026, është financuar përmes kredive nga bankat kineze, një lloj kapitali që Hungaria dhe Serbia kanë qenë të etura të përdornin. Sipas të dhënave të qendrës së kërkimeve AidData në Kolegjin “William& Mary” në Virxhinia, udhëheqësit kinezë kanë dhënë kredi me vlerë prej më shumë se sa 22 miliardë dollarë për 9 vende në Evropën Qendrore dhe Lindore gjatë viteve 2000-2021. Nga kjo shumë, 9.4 miliardë dollarë kanë shkuar për Hungarinë dhe 5.7 miliardë dollarë për Serbinë, duke tkurrur kapitalin për vendet e tjera të rajonit. Presidenti Vuçiç ka thënë se është “i nderuar” që zoti Xi, të cilin shpesh e cilëson si “mik”, po e viziton të martën. Ai tha para vizitës se Serbia do të kërkojë investime të mëtejshme kineze, veçanërisht në teknologjitë e avancuara. Por analisti ekonomik, Mijat Lakiçeviç tha se nuk priste marrëveshje të mëdha oër investime sepse “për gjithçka që Serbia bën me Kinën tanimë është rënë dakord”.
Lexoni edhe këtë Presidenti Xi nis vizitën në Serbi në 25 vjetorin e bombardimeve të NATO-s ndaj ambasadës kinezeStimujt ekonomikë hugarezë
Hungaria, gjithashtu ka krijuar një mjedis të favorshëm ekonomik për Kinën, duke u mundësuar kompanive kineze lehtësim bujar të taksave, subvencione dhe mbështetje infrastrukturore, si edhe i ka ndihmuar ato të tejkalojnë burokracinë hungareze. “Atyre u shtrohet tapeti i kuq dhe qeveria merr veprime të cilat u shkojnë për shtat këtyre kompanive. Kjo është një epërsi e madhe”, thotë analisti për çështjet e Kinës, Tamas Matura.
Në afërsi të Debrecenit, qyteti i dytë më i madh i Hungarisë, po vazhdojnë punimet për ndërtimin e impiantit për bateritë e makinave elektrike, që do drejtohet nga gjigandi kinez CATL, me vlerë prej 7.3 miliardë euro në një territor prej 222 hektarësh, investimi më i madh i drejtpërdrejtë i huaj në Hungari. Këto investime vijnë në një kohë që ekonomia e ngadaltë e Hungarisë është penguar më tej nga inflacioni i lartë dhe ngrirja e financimeve me vlerë prej miliarda dollarësh nga ana e Bashkimit Europian, për shkak të historikut të kryeministrit Orban lidhur me dobësimin e demokracisë dhe shtetin e së drejtës. Ndërsa fondet europiane janë ngrirë, thotë zoti Matura, Kina ka qenë në gjendje të mbushë gropat në buxhetin e Hungarisë. Fondet e BE-së pothuajse e kanë ndërprerë financimin e ekonomisë së Hungarisë, "ndaj tani atje ka dëshpërimisht nevojë për të parë alternativa të tjera, burime të tjera të kapitalit financiar," tha ai.
Zoti Orban është treguar i hapur mbi arsyet se përse u është dhënë përparësi investimeve kineze; ai beson se ekonomitë perëndimore janë në rënie dhe se Kina është në rritje.