Holobox ofron komunikim me video i ngjashëm me hologramin

Kompania holandeze ‘Holoconnects’ është eksperte në fushën e iluzioneve holografike. Aktualisht kjo kompani po ofron komunikim individual me video në përmasa reale përmes një kutie dy metra të lartë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Deana Mitchel, kjo mënyrë komunikimi të jep ndjesinë që personi me të cilin bisedoni është fizikisht i pranishëm në mjedisin ku ndodheni.

Your browser doesn’t support HTML5

Holobox ofron komunikim me video i ngjashëm me hologramin

Jurrien Spoelstra nuk kishte mundësi të merrte pjesë fizikisht në konferencën e fundit SXSW në Austin të Teksasit, por kjo nuk e pengoi atë që të bisedonte me pjesëmarrësit në konferencë.

Duke përdorur pajisjen e kompanisë së tij tre dimensionale “Holobox”, dy metra të lartë, Spoelstra zhvilloi biseda të drejtpërdrejta nga Holanda.

Kompania “Holoconnects” thotë se produkti i tyre, i cili gjithashtu ofrohet në një variant me përmasa më të vogla, ofron biseda më intime dhe tërheqëse. Pjesëmarrësit në konferencë ishin në gjendje ta provonin këtë pajisje dhe madje ta shihni veten.

Steve Sterling është drejtor i kompanisë “Holoconnects” për Amerikën e Veriut.

“Ofrojmë një mënyrë komunikimi më të ndjeshme për përdoruesit, pasi qartësia e madhe e lidhjes me video i bën ata të duken sikur janë vërtetë aty”.

Kompania përdor fjalën hologram për ta përshkruar produktin e tyre, por zoti Sterling thotë se në fakt është një kuti 3D me pajisje të posaçme që mundëson shfaqjen e figurës në rezolucionin 4K në një ekran që ka një ndriçim tejet të lartë, çka të jep ndjesinë e thellësisë.

Pajisja po përdoret si një mjet marketingu nga markat e njohura dhe si ekran orientues me prekje për klientët në një rrjet hotelesh evropiane.

Roel Gijsbers drejton agjencinë e marketingut “270 Gradë”. Ekipi i tij krijoi teknologjinë që i lejon përdoruesit të ndërveprojnë me Holobox-in.

“Teknologjia jonë mundëson që Holobox të përdoret në një mënyrë komerciale për produktet”.

Holobox-i mund të përdoret edhe për qëllime të tjera. Kjo spikere dixhitale, avatar, u krijua nga kompania e quajtur AiVATAR. Aktualisht po përdoret në Korenë e Jugut për të drejtuar një emision informativ.

Zëri i Amerikës bisedoi me menaxherin e firmës AiVATAR, Seonho Lee.

“Duam të bashkëpunojmë me Holoconnects për të treguar se çfarë mund të bëjnë njerëzit dixhital”.

Firma Holoconnects thonë se produkti i tyre do të përdoret në disa spitale këtë vit, duke e bërë të mundur që pacientët të komunikojnë me specialistët e shëndetit në mbarë botën.