Akuzohet për marrje ryshfeti; ligjvënësi Cuellar: Do vazhdoj fushatën për një mandat tjetër

Henry Cuellar

Ligjvënësi Henry Cuellar, i cili përfaqëson për dy dekada një zonë të Teksasit që shtrihet në kufi me Meksikën, i zgjedhur për herë të parë në vitin 2004 në Dhomën e Përfaqësuesve, ka mbajtur herë pas herë qëndrime kundër vijës së partisë së tij për çështje si armëmbajtja dhe imigracioni, por nuk është përballur me sfida të mëdha për t’u rizgjedhur.

I lindur në Laredo të Teksasit, ligjvënësi demokrat përballet me akuza federale për komplot dhe marrje ryshfeti.

Cuellar, 68 vjeç dhe bashkëshortja e tij 67 vjeçare, Imelda, u arrestuan të premten lidhur me një hetim të Departamentit të Drejtësisë për lidhjet e çiftit me Azerbajxhanin.

Ligjvënësi deklaroi se ishte i pafajshëm në lidhje akuzat dhe u zotua se do të vazhdojë fushatën për mandatin e 11, duke thënë se: “Gjithçka kam bërë në Kongres ka qenë në shërbim të popullit të Teksasit jugor”.

Çifti akuzohet se ka pranuar rreth 600,000 dollarë ryshfet nga një kompani energjetike e kontrolluar nga Azerbajxhani dhe një bankë në Meksikë. Në këmbim, ata dyshohet se ranë dakord që të çojnë përpara interesat e këtyre dy subjekteve në Shtetet e Bashkuara, thuhet në aktakuzë. Çifti u dorëzua pranë autoriteteve dhe dolën para një gjykatësi federal në Hjuston. Ata u liruan përkundrejt një garancie prej 100 mijë dollarësh secili. Familja e ligjvënësit Cuellar njihet në zonën kufitare të Teksasit.

Vëllai i tij është drejtues i organeve të rendit në Laredo dhe motra e tij, ish gjykatëse komune, po konkurron këtë vit si kandidate demokrate për legjislaturën e shtetit të Teksasit.

Disa nga aleatët e ligjvënësi Cuellar në qarkun që ai përfaqëson, i cili shtrihet nga Rio Grande deri në periferi të San Antonio, shprehën habi lidhur me aktakuzat, por thanë se do ta mbështesnin rizgjedhjen e tij.

Zoti Cuellar lëshoi një deklaratë të premten duke thënë se ai dhe gruaja e tij "janë të pafajshëm lidhur me akuzat".

Ata përballen gjithashtu me akuza të tjera si mashtrime bankare dhe pastrim parash. Nëse gjenden fajtorë, ata mund të dënohen me dhjetëra vite burg dhe konfiskim të pasurive të përfituara nga skemat e dyshuara.

Pagesat për çiftin fillimisht kaluan përmes një kompanie guaskë me qendër në Teksas, në pronësi të zonjës Imelda Cuellar dhe dy prej fëmijëve të çiftit, sipas padisë. Pagesat prej 25 mijë dollarë në muaj ishin nga një kompani energjetike në Azerbajxhan në bazë të një “kontrate false” gjoja në këmbim të shërbimeve të paspecifikuara të konsulence dhe këshillave strategjike.

“Në realitet, kontrata ishte një dredhi e përdorur për të maskuar dhe legjitimuar marrëveshjen korruptive midis Henry Cuellar dhe qeverisë së Azerbajxhanit”, thuhet në aktakuzë.

Dokumentet e gjykatës tregojnë se, në këmbim të parave ligjvënësi Henry Cuellar u përpoq të përdorte postin e tij publik për të ndikuar në politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara në favor të Azerbajxhanit dhe për të ushtruar trysni ndaj zyrtarëve të qeverisë amerikane për të ndihmuar përpjekjet lobuese të bankës meksikane për frenimin e zbatimit të politikave kundër pastrimit të parave dhe rregulloreve të huadhënies që kërcënonin biznesin e saj.

Në padi, mes tjerash, përmendet edhe mbështetja e ligjvënësit Cuellar për sigurimin e fondeve për Azerbajxhanin dhe një fjalim pro-Azerbajxhanit që ai mbajti në Dhomën e Përfaqësuesve.

Zoti Cuellar tha përmes një deklarate se kishte kërkuar këshilla ligjore nga Komiteti i Etikës i Dhomës së Përfaqësuesve dhe një firmë ligjore.

“Ne kërkuam një takim me prokurorët në Uashington për të shpjeguar faktet, por ata nuk pranuan ta diskutonin çështjen me ne dhe të dëgjonin shpjegimin tonë”, shtoi ai.

Secili prej tyre përballet me 14 akuza, përfshirë marrje ryshfeti, mashtrim, veprim si agjent i huaj gjatë postit zyrtar dhe pastrim parash. Disa nga akuzat parashikojnë një dënim maksimal prej 20 vitesh burg.

Ligjvënësi Cuellar nuk është i vetmi anëtar i Kongresit që përballet me akuza federale. Senatori demokrat Bob Menendez është në pritje të gjyqit lidhur me akuzat për korrupsion në Nju Jork. Republikani George Santos u shkarkua nga Dhoma e Përfaqësuesve vitin e kaluar dhe tani është në pritje të gjyqit lidhur me akuzat për shkelje të ligjeve të financimit të fushatës. Senatori Menendez dhe ish ligjvënësi Santos i kanë mohuar akuzat.