Në universitetet amerikane në të gjithë vendin janë zhvilluar protesta kundër luftës së Izraelit me Hamasin. Në disa raste ka patur përleshje me policinë dhe konfrontime mes grupeve studentore. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Robin Guess, njofton se pavarësisht rreziqeve, studentët gazetarë dhe organizatat e tyre të lajmeve po kryesojnë mbulimin e ngjarjeve.
Your browser doesn’t support HTML5
Këtë javë policia e qytetit të Nju Jorkut arrestoi protestuesit në Universitetin Columbia. Por para ndërhyrjes, policia u përpoq të largonte nga universiteti studentët gazetarë.
Ata i thanë Zërit të Amerikës se nuk kishin mbetur shumë prej tyre për të raportuar ngjarjen kur policia u fut për të spastruar nga protestuesit një godinë të universitetit.
“Policia kufizoi rreptësishtë qasjen e pjesëtareve të shtypit, përfshirë studentët gazetarë që ishin në kampus. Disa pjesëtarë të shtypit jashtë godinës i larguan nga kampusi tërësisht. Është shumë shqetësuese sepse ata nuk ishin aty për të dokumentuar apo dëshmuar aksionin e policisë në një situatë tepër të ndjeshme”, thotë Meghnad Bose, student gazetar në Universitetin Columbia.
Ai dhe studentë të tjerë gazetarë thonë se u shkel liria e tyre e shtypit. Megjithatë, puna e tyre ka frymëzuar të tjerët.
“Sidomos kur dëgjon radion e Universitetit Columbia. Ky është një mësim mjaft i dobishëm për të gjithë ne studentët gazetarë, që ta dimë ekzistencën e përshtypjeve që duan të krijojnë zyrtarët. Por edhe raportimet tona lejohen që t’i sfidojnë ato”, thotë për Zërin e Amerikës Franziska Wild, studente redaktore në Universitetit Georgetown.
Në pjesën perëndimore të Shteteve të Bashkuara, policia ndërhyri të enjten në një kamp me tenda të protestuesve pro-palestinezë në Universitetin e Kalifornisë në qytetin Los Anxhelos.
Studentët gazetarë ishin në vijën e parë kur policia hyri për të çmontuar kampin dhe arrestuar protestuesit. Gazeta e tyre shkruante se të paktën katër nga gazetarët e tyre u sulmuan nga individë të panjohur.
“Ajo që po bëjnë ata flet për rëndësinë e qartë dhe të madhe të gazetarëve studentë në institucionet akademike, për të ofruar përditësime të rregullta për fakultetin dhe studentët për atë që po ndodh në kampuset e tyre, veçanërisht në rrethanat aktuale”, thotë George Dutton, me Universitetin e Kalifornisë në qytetin Los Anxhelos.
Studentët gazetarë thonë se siguria është shqetësimi kryesor. Disa punojnë në grupe. Të tjerët mbajnë mbishkrime për t’u identifikuar se janë pjesëtarë të shtypit. Puna e tyre po merr vlerësime të larta.
Bordi i Çmimit Pulitzer, i cili jep çmime për arritjet e jashtëzakonshme në gazetarinë amerikane, i vlerësoi studentët gazetarë për mbulimin e palodhur të protestave ndërsa përballen me rreziqe.
Organizatat ligjore po i ndjekin nga afër zhvillimet, duke vënë në dukje se ndaj studentëve gazetarë është qëlluar me plumba gome, janë spërkatur me piper dhe universitet kanë marrë masa lidhur me raportimet e tyre. Zëri i Amerikës bisedoi me zotin Jonathan Falk, avokat në Qendrën Juridike të Shtypit Studentor në Uashington.
“Kur studentët gazetarë grumbullohen së bashku me ata protestues, të cilët po përpiqen t’i mbulojnë, kjo i dëmton të gjithë.”
Studentët gazetarë në Universitetin George Washington i mbuluan ngjarjet në kampus për muaj të tërë. Kjo është një përpjekje e përbashkët e tetë shkollave në zonën e Uashingtonit. Shumë gazetarë kanë raportuar që nga ngritja e tendës së parë në mes të prillit.
“Na njoftuan se po ndodh diçka dhe të përgatitemi. Bashkë me pjesën tjetër të ekipit të lajmeve, u ulëm dhe përpiluam një plan mbulimi”, thotë Eddy Binford-Ross, studente gazetare në Universitetit Georgetown.
Disa studentë gazetarë i thanë Zërit të Amerikës se ata thjesht po vazhdojnë të bëjnë të njëjtën gjë që bënin përpara se kampuset e tyre të bëheshin pjesë e lajmeve ndërkombëtare dhe mbulimi i tyre të tërhiqte vëmendjen e publikut.