Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se grupi militantëve të Hamasit, nuk duket se po përgatitet për të sulmuar forcat amerikane që po ndërtojnë një port të përkohshëm në brigjet e Gazës, që do të shërbejë për futjen në rajon të më shumë ndihma humanitare. Sipas korrespondentes së Zërit të Amerikës Carla Babb, komentet vijnë rreth një javë pas një sulmi me mortaja pranë vendit ku po punojnë forcat amerikane, që fatmirësisht, rezultoi pa viktima.
Your browser doesn’t support HTML5
Ndërsa forcat amerikane janë drejt përfundimit të një porti të përkohshëm në brigjet e Rajonit të Gazës, sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se nuk ka të dhëna që tregojnë se grupi i militantantëve të Hamasit do të sulmojë trupat amerikane. Porti po ndërtohet me qëllimin për të lehtësuar futjen në rajon të sa më shumë ndihmave humanitare përmes detit.
“Aktualisht nuk shikoj asnjë të dhënë që tregon se ata kanë një qëllim aktiv për të sulmuar forcat tona”, tha Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin.
Sipas ekspertëve Shtetet e Bashkuara kanë marrë masa të garatojnë sigurinë e trupave po punojnë në Gazë. Izraeli nga ana tjetër është zotuar gjithashtu t’i mbrojë.
Eksperti Brad Bowman nga Fondacioni për Mbrojtjen e Demokracive thotë se ndërsa Uashingtoni po përpiqet të fusë sa më shumë ndihma në Gazë, Hamasi dhe grupet e tjera militante kanë treguar shpërfillje për jetën e civilëve e sipas tij, një mundësi për të vrarë trupat amerikanë, do t’u jepte atyre kënaqësi.
“Ata që bënë sulmin terrorist të 7 tetorit të viti të kaluar në Izrael, që përdorin njerëz si mburojë, që mbajnë peng burra, gra dhe fëmijë të pafajshëm, ata janë po të njëjtët që nuk do të hezitonin të sulmonin ata që përpiqen të sjellin ushqim dhe ujë, për njerëzit e uritur”, tha ai.
Pikat izraelite të kontrollit kanë vonuar kamionët e ndihmave që të hyjnë në Gazë. Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera kanë hedhur nëpërmjet ajrit pako me ushqime për palestinezët në Gazë, por organizatat e ndihmës thonë se sasia e tyre është e pamjaftueshme.
Me ndërtimin e portit të përkohshëm pritet që në Rripin e Gazës të futen dhjetëra kamionë me ndihma çdo ditë.