Tiranë, gazetarët protestojnë para Kuvendit për sulmet ndaj tyre dhe për cënimin e lirisë së shprehjes

Protesta e gazetarëve shqiptarë para Kuvendit

Në Tiranë, gazetarë dhe punonjës të tjerë të mediave protestuan sot në hyrje të Kuvendit për të drejtat e tyre, si dhe kundër dhunës e presioneve, që u bëhen për shkak të punës.

Kjo protestë u mbajt në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, ndërsa Shqipëria renditet midis vendeve ku liria e shprehjes cënohet dhe gazetarët kërcënohen për shkak të shkrimeve të tyre investigative.

Your browser doesn’t support HTML5

Shqipëri, gazetarët protestojnë para Kuvendit për sulmet ndaj tyre dhe cënimin e lirisë së shprehjes

Gazetarët mbanin në duar si postera pikërisht lajmet mbi dhunën ndaj tyre, ndërsa numëronin 30 sulme ndaj medias dhe reporterëve shqiptarë në 15 muajt e fundit.

Në prag të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit gazetarët shqiptarë dhe punonjës të mediave vendosën sot të protestonin për të drejtat e tyre, ndërsa pohojnë se puna e tyre sa vjen e vështirësohet, ndërsa presionet rëndohen përherë e më shumë.

Gazetarja Ola Xama, tha për Zërin e Amerikës se kishte ardhur të protestojë për të gjithë kolegët, jo vetëm për veten time dhe për incidentin që i ndodhi asaj me kryebashkiakun Erjon Veliaj.

“Incidenti që ndodhi me mua më bëri të kuptoj që gazetarët duhet të jenë më aktivë për të kërkuar të drejtat e tyre. Duke e lënë pas dore veten dhe të bësh gazetari, bëhet edhe më e vështirë. Në Shqipëri sot është akoma më e vështirë që të bësh gazetari të pavarur se sa vite më parë. Struktura e tregut mediatik tregojnë se të varura janë mediat. Por nga ana tjetër edhe censura dhe autocensura janë dy elementë, të cilët i shoh në rritje. A mendohem shumë para nëj publikimi? Po. A kam frikë para një publikimi se çfarë mund të më ndodhë? Po. Kjo nuk ëhstë një gjendje e mirë. Sot jam e vendosur që ta mund gjendjen e frikës. Nesër nuk e di. Po ashtu disa nga kolegët kanë nisur të praktikojnë vetëcensurimin për të mos rënë pre e fushatave të desinformimit me gjuhë shpifëse shumë të ulët, sidomos për një grua dhe një nënë në realitetin shqiptar”, thotë zonja Xama.

Gazetarët zhvilluan sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa krijuan një korridor në hyrjen e deputetëve, dhe mbanin në heshtje postera me lajmet e dhunës kundër tyre.

Gazetari Isa Myzyraj thotë për Zërin e Amerikës se të jesh gazetar në Shqipërinë e sotme është mjaft e vështirë, sepse 30 sulme ndaj mediave kanë ndodhur në Shqipëri nga janari 2023 deri në maj 2024.

“Shqipëria është një vend shumë i vogël për të patur një intensitet kaq të lartë sulmesh ndaj gazetarëve. Një punonjës shërbimi pranë një medie u vra me armë zjarri në krye të detyrës për ruajtjen e saj gjatë vitit 2023, ndërsa gazetarëve u janë dërguar mesazhe personale kërcënuese, shantazhuese nga ana e pushtetarëve vendorë si në rastin e gazetares Ola Xama, e cila është kërcënuar nga kryebashkiaku Erjon Veliaj. Kryeministri Edi Rama ka patur një sjellje tërësisht të rrezikshme ndaj gazetarëve, e cila ka nxitur një fushatë shpifjesh, urrejtjeje dhe gjuhë denigruese ndaj gazetarëve. Problemet kryesore lindin në zyrat e institucioneve shtetërore dhe eksportohen nëpër redaksitë e medias, ku ka probleme të mëdha me censurën dhe vetëcensurën. Interesat e ngushta mes pronarëve dhe politikës shkojnë përtej gazetarëve, por nëse duam të jemi të lirë, ne duhet t’i sfidojmë këto lidhje”, thotë zoti Myzyraj.

Ata përmendin incidente të zyrtarëve të lartë të qeverisë dhe pushtetit vendor me gazetarët, dhe besojnë se kjo sjellje e dhunshme ndaj shtypit përgatitet nga zyrat e shtetit dhe përhapet më gjerë në struktura të tjera të shoqërisë.

Gazetari Osman Stafa thotë për Zërin e Amerikës se sot ata po protestojnë për veten, sepse situata e mediave në Shqipëri po bëhet përherë e më dramatike, sepse politika e ka rritur presionin e saj ndaj mediave dhe ndaj gazetarëve.

“Disa lajme shumë të forta kohët e fundit nuk janë publikuar nga shumica e mediave, dhe kjo ka ardhur si pasojë e telefonatave që janë bërë nga zyra e kryeministrisë, duke cënuar punën e gazetarit si mision në Shqipëri. Gazetarët investigativë po kalojnë momentin më të vështirë, sepse presioni dhe këcënimet e politikës ndaj tyre, apo edhe mesazhet e drejtpërdrejta në telefon, duke e cilësuar gazetarin si “killer me pagesë” janë shumë të rënda dhe shumë problematike. Kërkojmë nga politika dhe arsyeja e protestës para Kuvendit lidhet me faktin se deputetët nuk janë fare të kujdesshëm madje shumë herë janë nismëtarët e kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve. Ne kërkojmë shumë reflektim nga ana e tyre, sepse ato çka deklarojnë publikisht ndaj mediave pasqyrohet edhe në sjelljet e drejtuesve më të largët vendorë, ku dhunohen gazetarët dhe kameramanët. Kjo është e patolerushme për Shqipërinë e vitit 2024 dhe për një vend kandidat për në BE”, thotë zoti Stafa.

Gazetarët janë skeptikë nëse protesta do të ndërgjegjësojë politikanët dhe nëse ata do të ndryshojnë sjellje, por ata u përpoqën të sjellin mesazhe pro lirisë së shprehjes dhe dinjitetit professional, ndërsa përballen si me presionet ashtu edhe me bllokimin e informacionit zyrtar, apo përgjigjet e vonuara dhe të paplota ndaj kërkesave për informacion.

Gazetarja Denada Kola Jushi thotë për Zërin e Amerikës se nga terreni konkret i shtypit dhe nga raportet ndërkombëtare shihet një përkeqësim i gjuhës ndaj gazetarëve.

“Përveç ngjarjeve konkrete të gazetarëve, ky përkeqësim shihet edhe kur ne nisim kërkesa për informacion zyrtarëve mbi tema të caktuara. Shpesh përgjigjet mungojnë, vonohen, dhe na pengojnë që të kemi informacionin e duhur. Sot është dita e duhur për t’u bashkuar në këtë protestë si ndaj rasteve të dhunës dhe sulmeve ndaj gazetarëve të terrenit, ashtu edhe ndaj rasteve të mungesës së informacionit të kërkuar prej institucioneve nga gazetarëve me qëllimin e vetëm të informimit të publikut. Edhe kur kthejnë përgjigje institucionet, ato përgjigje devijohen nga pyetja apo çështja për të cilën është kërkuar informacioni”, thotë zonja Kola Jushi.

Gazetarët janë të vetëdijshëm se kanë përpara edhe vështirësi të tjera si pronësia e mediave dhe censura e vetëcensura, ndërsa theksojnë se ka shumë raste, kur lajmet bllokohen me mesazhe nga zyrat e shtetit apo në mënyra të tërthorta.

Gazetari Klevin Muka thotë për Zërin e Amerikës se gazetarët pretendojnë të jenë zëri i qytetarëve dhe duhet të mbajnë një standard tjetër si profesionistë, në mënyrë që të respektohen më shumë nga gjithë faktorët në një demokraci, e kështu qytetari do të jetë më i përfaqësuar në media dhe kudo.

“Pa patur një zë të fuqishëm ne, nuk mund të ketë qytetari një zë të fuqishëm. Duhet të vetorganizohemi. Duhet të jemi padyshim më të fuqishëm se ç’jemi. Vitet e fundit ka ardhur duke u degraduar puna jonë. Shpesh herë kemi përfunduar, pa dëshirën tonë dhe prej mosveprimit tonë, në zëdhënësa të zyrave të shtypit të qeverisë dhe partive politike. Me krijimin e Agjencisë për mediat është centralizuar edhe informacioni; gjithkush që kërkon informacion, duhet të marrë leje te drejtuesi i kësaj agjencie për t’u lidhur më pas me gjithë institucionet e tjera. Nuk lejohemi me kameran tonë në asnjë event të partive politike dhe kjo është një alarm, që ne kemi lënë të kalojë kjo gjë. Kjo edhe për faj. Është edhe vetëkritikë kjo protestë. Por duhet të organizohemi, që të përmirësojmë gjithçka. Në këndvështrimin tim të paktën gjërat kanë degraduar, ndaj duhet të përpiqemi fort që të mos degradojë më tej, dhe duhet të përpiqemi më shumë që të jetë një zë më i qartë i qytetarëve”, thotë gazetari Klevin Muka.

Gazetarët në këtë protestë vinin nga shumë media dhe profile të ndryshme gazetareske, reporterë terreni, dhe editor redaksish, gazetarë investigativë, spikerë dhe kameramanë, nga më të rinjtë dhe me shumë vite përvojë, të gjithë me shqetësimin e përbashkët se sulmet dhe dhuna fizike e verbale ndaj tyre janë shtuar, presionet dhe kërcënimet i pengojnë në punë dhe u shkaktojnë autocensurë.