Biden: Rendi duhet të mbizotërojë gjatë protestave të studentëve

ISRAEL-PALESTINIANS/USA-PROTESTS-POLITICS

Presidenti Joe Biden mbrojti të enjten të drejtën për të protestuar, por këmbënguli se "rendi duhet të mbizotërojë" ndërsa universitetet amerikane në të gjithë vendin përballen me trazira për shkak të luftës në Gazë.

"E drejta për të mos u pajtuar është thelbësore për demokracinë", tha ai gjatë fjalimit në Shtëpinë e Bardhë. "Por mospajtimi nuk duhet të çojë kurrë në mungesë rendi."

Tensionet në disa universitete janë shtuar ndërsa demonstruesit refuzojnë të heqin tendat. Administratorët e universiteteve u kanë kërkuar organeve të rendit që t’i largojnë me forcë protestuesit, gjë që ka çuar në përleshje që kanë tërhequr vëmendjen e politikanëve dhe mediave.

Presidenti Biden tha se nuk i mbështet thirrjet për të dërguar Gardën Kombëtare për të vendosur rendin. Ai gjithashtu tha se protestat nuk e kanë nxitur atë që të rishqyrtojë qasjen ndaj luftës në Rripin e Gazës. Presidenti demokrat ka kritikuar herë pas here sjelljen e Izraelit, por ka vazhduar ta furnizojë me armë.

Deklaratat e tij, që i bëri pak para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë për një udhëtim në Karolinën e Veriut, erdhën pas disa ditë heshtjeje lidhur me protestat.

"Ky nuk është një moment për të bërë politikë," tha ai. "Është një moment për qartësi."

Më shumë se një javë më parë Presidenti Biden i dënoi publikisht “protestat antisemite” dhe "ata që nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh me palestinezët".

Shtëpia e Bardhë, e cila është përballur me një mori pyetjesh nga gazetarët, shprehu një qendrim më të ashpër se presidenti. Të mërkurën, sekretarja e shtypit Karine Jean-Pierre tha se zoti Biden po "vëzhgon nga afër situatën" duke shtuar se disa demonstrata kishin kaluar cakun që ndan fjalën e lirë nga sjellja e paligjshme.

"Marrja me forcë e një ndërtese", si ajo që ndodhi në Universitetin 'Columbia' në Nju Jork, "nuk është paqësore," tha ajo.

Presidenti Biden nuk ka qenë kurrë i prirur për të protestuar. Karriera e tij në politikë filloi si një zyrtar qarku kur ai ishte vetëm 28 vjeç. Ai gjithmonë ka përkrahur rëndësinë politike të kompromisit mbi zellin.

Ndërsa universitetet amerikane u tronditën nga zemërimi i protestuesve për Luftën në Vietnam në vitin 1968, zoti Biden studionte për drejtësi në Universitetin e Sirakuzës.

Megjithë kritikat ndaj Shtëpisë së Bardhë dhe refuzimin e Presidentit Biden për të pranuar kërkesat e protestuesve për të ndërprerë mbështetjen amerikane për Izraelin, republikanët i fajësojnë demokratët për përshkaëllizimin e protestave dhe e kanë përdorur këtë si shkak për konferenca për shtypin.

"Ne kemi nevojë që presidenti i Shteteve të Bashkuara të flasë për këtë çështje dhe të thotë se kjo është e gabuar", tha të martën Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Mike Johnson. "Ajo që po ndodh në universitete tani është e gabuar."

Ish Presidenti Donald Trump, kandidati i pritshëm i Partisë Republikane për Shtëpinë e Bardhë, gjithashtu e kritikoi zotin Biden në një intervistë me televizionin 'Fox News'.

"Biden-i duhet të bëjë diçka," tha ai. “Biden-i supozohet të jetë zëri i vendit tonë dhe sigurisht i vakët. Është një zë që askush nuk e dëgjon.”

Zoti Trump i përsëriti kritikat të mërkurën gjatë një tubimi në shtetin Viskonsin.

"Ekstremistët radikalë dhe përfaqësuesit e të majtës ekstreme që përshkallëzojnë protestat po terrorizojnë universitetet, siç e keni vënë re", tha zoti Trump. " Biden-i nuk gjendet askund. Ai nuk ka thënë asgjë."

Kate Berner, e cila shërbeu si zëvendësdrejtoreshë e komunikimit për fushatën e zotit Biden në vitin 2020, tha se republikanët tashmë kanë provuar të njëjtën taktikë katër vjet më parë gjatë protestave pas vrasjes së afrikano-amerikanit George Floyd nga një punonjës policie.

"Njerëzit e refuzuan atë përpjekje", tha ajo. “Ata e panë se ishte thjesht nxitje e frikës. Ata e panë që nuk bazohej në realitet.”

Përveç dënimit të antisemitizmit, Shtëpia e Bardhë ka hezituar të angazhohet drejtpërdrejt në këtë çështje. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, i shmangu në mënyrë të përsëritur pyetjet gjatë një konference shtypi të hënën.

E pyetur nëse universitetet duhet të marrin masa ndaj protestuesve, ajo tha se "universitetet i marrin vendimet e tyre" dhe "ne nuk do të japim mendim për këtë ".

E pyetur nëse policia duhet të ndërhyjë, ajo tha se "kjo varet nga universitetet".

Kur u pyet në lidhje me udhëheqësit e universiteteve që po ndryshojnë datat e ceremonive të diplomimit, ajo tha se "ky është një vendim që u takon atyre" dhe se "kjo është në dorën e tyre".

Presidenti Biden do të vizitojë një universitet më 19 maj, ku ai është planifikuar të mbajë fjalimin e fillimit të vitit shkollor në Universitetin Morehouse në Atlanta.