Presidenti Joe Biden dhe udhëheqësit e 17 vendeve të tjera, që kanë shtetas të tyre që mbahen peng nga Hamasi, po kërkojnë që grupi militant palestinez të pranojë një marrëveshje të propozuar armëpushimi me Izraelin dhe të lirojë menjëherë pengjet.
Marrëveshja e ofruar do të mundësonte një armëpushim të menjëhershëm në Gazë, do të lehtësonte rritjen e ndihmave humanitare për Gazën dhe do të çonte në përfundimin e luftimeve, shkruajnë ata në një deklaratë.
“Banorët e Gazës do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpitë dhe tokat e tyre ndërsa paraprakisht do të bëheshin përgatitje për të siguruar strehim dhe kushte humanitare”, thuhet në deklaratë.
Përveç Shteteve të Bashkuara, 17 vendet e tjera janë Argjentina, Austria, Brazili, Bullgaria, Kanadaja, Kolumbia, Danimarka, Franca, Gjermania, Hungaria, Polonia, Portugalia, Rumania, Serbia, Spanja, Tajlanda dhe Mbretëria e Bashkuar.
Hamasi e ka refuzuar marrëveshjen që do të mundësonte një armëpushim të menjëhershëm në Gazë në këmbim të lirimit të grave, të plagosurve, të moshuarve dhe pengjeve të sëmurë, tha gjatë një konference për shtypin të enjten një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden. Megjithatë, ai tha se ka sinjale nga grupi që sugjerojnë se ata janë ende duke e shqyrtuar atë.
Raporte të ndryshme sugjerojnë se Hamasi po kërkon një armëpushim të plotë, tërheqje të plotë të trupave të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF) nga Rripi i Gazës. Ata gjithashtu duan rritje të ndihmës humanitare dhe kthimin e plotë të banorëve të Gazës të zhvendosur në veri. Grupi i shpallur si organizatë terroriste nga Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian thotë se Izraeli nuk po i lejon banorët e Gazës të kthehen në shtëpi pasi IDF nuk është tërhequr nga pjesa qëndrore e Gazës.
Zyrtari tha se marrëveshja që i ofrohet Hamasit lejon “kthimin e pakufizuar” të palestinezëve në pjesën veriore të territorit dhe përfshin dispozita për dërgimin e një misioni të Kombeve të Bashkuara për të siguruar strehim dhe ndihmë “gjatë javëve të para të armëpushimit” për popullsinë që kthehet në veri.
Deklarata pason publikimin e një videoje nga Hamasi të mërkurën që tregon pengun izraelito-amerikan Hersh Goldberg-Polin. Videoja duket të jetë prova e parë që 24-vjeçari i mbijetoi një dëmtimi të rëndë gjatë kapjes së tij më 7 tetor në festivalin Nova, gjatë sulmit të Hamasit në Izrael që vrau 1200 njerëz.
Grupi militant mori peng rreth 250 persona, disa prej të cilëve u liruan gjatë një armëpushimi të shkurtër në muajin nëntor. Ofensiva e mëpasshme ushtarake e Izraelit në Gazë, sipas të dhënave të autoriteteve të Hamasit, të pa konfirmuara nga burime të pavarura, ka vrarë më shumë se 34,000 njerëz, kryesisht civilë, dhe ka rritur tensionet në Lindjen e Mesme.
Videoja e filmuar më 7 tetor gjatë marrjes peng të zotit Goldberg-Polin tregoi dorën e tij të majtë të këputur, me gjasë si pasojë e një granate. Videoja që Hamasi publikoi të mërkurën është pa datë dhe e tregon atë pa një pjesë të krahut të majtë.
Presidenti Biden dhe udhëheqësit e tjerë thanë të enjten se mbështesin fuqimisht përpjekjet e vazhdueshme për arritjen e armëpushimit. “Le t'i japim fund kësaj krize që së bashku të përqendrojmë përpjekjet tona në arritjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, thanë ata në deklaratën e përbashkët.
Zyrtari i lartë i administratës së zotit Biden fajëson udhëheqësin e Hamasit, Yahya Sinwar për dështimin e negociatave. Zyrtari tha se Sinwari është “personi që merr vendimin përfundimtar” nëse Hamasi e pranon marrëveshjen.
Zyrtari nuk pranoi të konfirmojë raportet se Sinwari së fundmi doli për pak kohë nga tunelet e Hamasit për t'u takuar me militantët e tij.
“Sinwari do të përballet me drejtësinë”, tha ai.