Gordana Siljanovska Davkova dhe Stevo Pendarovski do të shkojnë në balotazhin e 8 majit të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut. Bujar Osmani u rendit i treti me rreth 121 mijë vota, ndërsa Arben Taravari mori 83 mijë vota. Ndërkohë, misoni vëzhgues i ODIHR-it vlerëson se liritë themelore u respektuan në fushatë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve “retorika u bë mjaft negative dhe në disa raste, diskriminuese”. ODIHR po ashtu vëren mosgatishmërinë e autoriteteve për të pranuar një sërë rekomandimesh të misionit për reformat zgjedhore.
Your browser doesn’t support HTML5
Gordana Siljanovska Davkova nuk kishte besuar se do të arrinte këtë rezultat në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale. Ajo mori dyfishin e votave, përkatësisht 360 mijë ndaj 180 mijë votave sa fitoi Stevo Pendarovski i LSDM-së, i cili po garon për një mandat të dytë.
Ndonëse Siljanovska Davkova dhe Pendarovski do të përballen në balotazh më 8 maj, VMRO-DPMNE-ja festoi me daulle e fishekzjarre para selisë në Shkup.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim festoi mbrëmë rezultatin e kandidatit të tij, Bujar Osmani. Disa qindra përkrahës me zëvendës-kryeminisrtin Artan Grubi dhe eksponentë të lartë të BDI-së në kryeqytet u mblodhën në sheshin Skenderbej, para selisë së koalicionit opozitar shqiptar VLEN dhe policisë iu desh të mobilizohej dhe të sigurojë shtabin zgjedhor të opozitës shqiptare. Ky veprim i partisë në pushtet u cilësua si provokim nga opozita.
Procesin e votimit dje e ndoqën me interes vëzhguesit e misionit të ODIHR-it; të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe të Parlamentit Evropian. Shefja e misionit të ODIHR-it, Jillian Stirk e cilësoi si konkurrues raundin e parë të zgjedhjeve të djeshme. Ndërsa tha se ndryshimet e fundit në Kodin Zgjedhor u bënë në mungesë transparence dhe të debatit publik.
“Liritë themelore u respektuan në fushatë, por me afrimin e ditës së zgjedhjeve retorika u bë mjaft negative dhe në disa raste – diskriminuese”, vërejti zonja Stirk. ODIHR vëren po ashtu numrin e ulët të grave si në jetën politike edhe në procesin e votimit.
Por, siç tha shefja e misionit autoritetet e zgjedhjeve në përgjithësi patën besueshmërinë e publikut dhe menaxhuan procesin në mënyrë efikase.
Zonja Stirk vlerëson se autoritetet në Shkup nuk pranuan një sërë rekomandimesh të ODIHR-it që të zinin vend në reformat zgjedhore. Vërejtje pati edhe për financimin e fushatës dhe për mënyrën e financimit sidomos të medias në internet, për çka u hodhën dyshime se mjetet financiare të kësaj medie të ishin kthyer në llogaritë e partive politike. Vëzhguesit e huaj do të ndjekin me mbi 200 pjesëtarë edhe balotazhin dhe zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Sidoqoftë, votimi i së mërkurës shikohet si një matës i elektoratit për zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
Garuesja opozitare Siljanovska tha se ishte krenare me qytetarët dhe në veçanti me anëtarët e VMRO-DPMNE-së: “Pa të cilët, siç tha, nuk do ta njihja popullin dhe as ai mua”.
Edhe zoti Pendarovski nuk e kishte pritur një rezultat kaë të thellë. Por për të nga sot gjithçka fillon nga zeroja:
“Nga dita e nesërme fillojmë takimet me qytetarë. Janë me mijëra dhe qindra mijë qytetarë të cilët i besojnë konceptit tonë kundër izolimit dhe për integrimin evropian të vendit”, u shpreh ai, duke theksuar bindjen për një mbështetje të madhe në balotazh.
Pak orë më pas u pa se epërsia e zotit Osmani ndaj zotit Taravari është rreth 700 vota në Tetovë.
Drejtuesi opozitar maqedonas Hristijan Mickovki e ka telefonuar mbrëmë zotin Taravari për t’i uruar rezultatin në zgjedhje. Ndërkaq, ky i fundit ende nuk mund të thotë se kë do ta mbështesë në balotazhin e presidencialeve më 8 maj:
“Nuk kemi vendosur se kë do të mbështesim në raundin e dytë. Si koalicion do të ulemi dhe do të bisedojmë për këtë”, tha zoti Taravari.
Vlerësohet se mbështetja për VMRO-në në pak vitet e fundit është rezultat i zvarritjes së procest të integrimit të vendit në drejt Bashkimitevropian. VMRO-ja ka gjasa të mëdha t’i fitojë edhe zgjedhjet parlamentare pas dy javësh, ndërsa kanë filluar debatet në publik se si do të formohet qeveria e re.