DEPARTAMENTI I SHTETIT- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken nënvizoi sot nevojën për “angazhim të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm” mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës gjatë takimit të tij të parë zyrtar në Shangai, ku operojnë më shumë se 1 mijë kompani amerikane.
Zoti Blinken zhvilloi bisedime me Sekretarin e Partisë Komuniste Kineze në Shangai, Chen Jining, zyrtari më i lartë lokal dhe anëtar i Byrosë Politike të Partisë Komuniste Kineze.
Sekretari Blinken tha se do të parashtronte "dallimet” mes dy vendeve, të cilat janë “reale", por se synonte që të bëheshin përpjekje përtej dallimeve dhe të “arrihej bashkëpunim në ato fusha ku është e mundur”.
Duke i uruar mirëseardhjen Sekretarit Blinken në Shangai, zoti Chen tha përmes një përkthyesi se që nga vendosja e lidhjeve diplomatike, marrëdhënia midis dy kombeve nuk ka qenë gjithmonë e qetë, ka pasur gjithmonë "ulje e ngritje", por në tërësi ka shënuar përparim me zhvillime historike.
Zoti Blinken vizitoi për here të fundit Shangain në 2015 kur ishte Nën Sekretar Shteti.
“Në një komunikim konstruktiv dhe të sinqertë, Sekretari Blinken ngriti shqetësimet mbi politikat tregtare të Republikës Popullore të Kinës dhe praktikat ekonomike që bien ndesh me tregun dhe vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kërkojnë konkurrencë ekonomike të shëndetshme me Kinën, treg të barabartë për punonjësit amerikanë dhe kompanitë amerikane që veprojnë në Kinë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
Gjatë një diskutimi me studentë amerikanë dhe kinezë të Universitetit të Nju Jorkut në Kinë, zoti Bliken nënvizoi rëndësinë për rritjen e shkëmbimeve mes studentëve, akademikëve dhe sipërmarrjeve.
“Duhet të sigurohemi se po i flasim njëri-tjetrit, po e dëgjojmë dhe kuptojmë njëri-tjetrin”, tha ai.
Sipas Departamentit të Shtetit, aktualisht në këtë universtet ka rreth 2000 studentë, gjysma e tyre nga Kina dhe gjysma tjetër nga Shtetet e Bashkuara dhe afro 70 vende të tjera. Atje studiojnë rreth 500 studentë amerikanë.
Po të enjten, zoti Bliken u takua edhe me sipërmarrës të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shangai, duke nxitur zgjidhjen e një sërë çështjesh tregtare me të cilat po përballen dy ekonomitë më të mëdha të botës.
Përmes një videoje të shkurtër të shpërdarë të mërkurën vonë, zoti Bliken tha se ndodhej në Kinë “për të shënuar përparim në çështje që kanë më tepër rëndësi për popullin amerikan, përfshirë “frenimin e trafikimit të fentanilit”.
Ai shtoi se zyrtarët amerikanë dhe kinezë do të diskutojnë edhe për çështje të tjera pët të cilat dy vendet kanë “mosmarrëveshje të rëndësishme”.
Në një kohë që Uashingtoni dhe Pekini janë të ndarë mbi një sërë çështjesh delikate, zoti Blinken e nisi vizitën e tij në Kinë këtë javë duke u përqëndruar në rëndësinë e angazhimit të drejtpëdrejtë. Ai tha se ky zotim është thelbësor për të trajtuar çështje kyçe për të dyja vendet dhe për botën.
Analistët thanë për Zërin e Amerikës se vizita e zotit Bliken do të nxjerrë në pah një sërë çështjesh që qëndrojnë në raportet mes dy vendeve, por gjithashtu vizita do të ruajë “përmirësimin” e marrëdhënieve, që filloi me takimin e Presidentit Biden me Presidentin e Kinës Xi Jinping, nëntorin e kaluar.
“Në këtë marrëdhënie po shtohet konkurenca në fushën ushtarake, diplomatike dhe në teknologji, por kjo po ndodh në një mënyrë më të parashikueshme dhe kontrolluar nga sa ishte vjet për shkak të investimit të vazhdueshem të të dyja vendeve në diplomacinë e nivelit të lartë”, tha Ali Wyne, ekspert nga organizata Grupi për Kriza Ndërkombëtare, përmes një emaili për shërbimin kinez të Zërit të Amerikës.
Diplomacia intensive mes Uashingtonit dhe Pekinit ka sjellë pak përparim në uljen e sasisë së substancave kimike që vijnë nga Kina për prodhimin e fentanilit të paligjshëm që hyn në Shtetet e Bashkuara. Tensionet po përshkallëzohen për shkak të mbështetjes së Kinës për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, duke nxitur Shtetet e Bashkuara që të paralajmërojnë veprime të mëtejshme kundër Kinës.
"Jam shumë pesimist për këtë vizitë. Xi Jinping është i përkushtuar të ndihmojë mikun e tij të ngushtë Putinin dhe nuk do të tregojë shumë gatishmëri për t’iu përgjigjur kërkesave të Amerikës," tha për shërbimin kinez të Zërit të Amerikës, Dennis Wilder, bashkëpunëtor i lartë në Nismën për Dialogun SHBA-Kinë mbi Çështjet Globale, pranë Universitetit Georgetown.
Një ditë përpara se zoti Blinken të udhëtonte për në Shangai ai bëri publik raportin vjetor të Departamentit të Shtetit mbi të Drejtat e Njeriut, në të cilin thuhej se qeveria kineze vazhdon të kryejë gjenocid dhe krime kundër njerëzimit ndaj ujgurëve dhe pakicës myslimane në rajonin Xinjiang.
Zoti Blinken u tha gazetarëve se do të ngrinte çështjen e respektimit të të drejtave të njeriut në takimet me qeverinë kineze.
Sekretari Blinken do të takohet me Presidentin e Kinës Xi Jinping në Pekin, të premten pasdite.