Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien tha të mërkurën se Kosova duhet të përparojë urgjentisht drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Ai i bëri këto komente në një postim në rrjetin X, të njohur deri vonë si Twitter, në të cilin njoftoi se është takuar në Gjermani me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të cilin e ka siguruar për mbështetjen e Shtetet të Bashkuara për rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.
“Për të ecur përpara, ne kemi nevojë për zbatimin e zotimeve që dalin nga bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, duke përfshirë përparimin urgjent drejt Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, shkroi ai.
Të shtunën zoti O’Brien, gjatë një vizite në Beograd tha se Shtetet e Bashkuara do të bëjnë çdo gjë që është e mundur për të siguruar përmbushjen e zotimit të Kosovës për themelimin e Asociacionit.
Kosova dhe Serbia u morën vesh në vitin 2013 për themelimin e Asociacionit, ndërsa në vitin 2015 u pajtuan për parimet e tij. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës gjeti se një pjesë e madhe e këtyre parimeve janë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.
Themelimi i këtij mekanizmi është pjesë e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, për të cilën palët u pajtuan vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Kosova ka hezituar të hedh hapa për këtë çështje nga frika se një mekanizëm i tillë do të mund të shndërrohej në një entitet të ngjashëm me Republikën Serbe në Bosnje.
Në tetor të vitit të kaluar, diplomatët evropianë dhe amerikanë u dorëzuan palëve një projekt statut të Asociacionit dhe e siguruan Kosovën se nuk do të jetë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Udhëheqësit e të dyja vendeve i thanë po në parim dokumentit, por gjërat nuk kanë lëvizur nga vendi.
Në projektstatutin e hartuar nga diplomatët perëndimorë thuhet se ai do t’i nënshtrohet shqyrtimit të kushtetutshmërisë së tij nga Gjykata Kushtetuese para themelimit.
Diplomatët presin që autoritetet në Prishtinë ta dërgojnë projektstatutin në Gjykatën Kushtetuese dhe për ta bërë këtë, ai duhet të miratohet nga qeveria dhe të shndërrohet në dokument juridik të shqyrtueshëm nga Gjykata.
Të martën presidenti francez Emmanuel Macron, pas një bisede telefonike me kryeministri Albin Kurti theksoi “rëndësinë e përparimit të shpejtë dhe të pakthyeshëm nga autoritetet e Kosovës drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në kuadër të përpjekjeve për anëtarësimin e saj në Këshillin e Evropës”.
Lexoni edhe këtë Macron: Asociacioni i komunave me shumicë serbe i rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e EvropësNdërkaq kryeministri Kurti në një njoftim “shprehu besimin e tij se Franca do të vazhdojë ta mbështesë anëtarësim e Kosovës në Këshillin e Evropës, pa parakushte shtesë, në përputhje me opinionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe votën historike të 16 prillit”.
Ai, thuhet në një njoftim të zyrës së tij, nguli këmbë për “respektimin dhe zbatimin e plotë” të marrëveshjes së arritur vitin e kaluar.
Beogradi i ka akuzuar autoritetet në Prishtinë dhe Bashkimin Evropian për mos themelimin e asociacionit, ndërsa është vënë në fushatë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ndonëse në marrëveshjen e vitit të kaluar palët janë pajtuar se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese.
Bashkimi Evropian javën që lamë pas e përfshiu zbatimin e marrëveshjes në kuadrin negociues të Serbisë për anëtarësim në bllok.