Në ditën e dytë të dëshmisë së tij në gjyqin penal ndaj ish-presidentit Donald Trump në Nju Jork, David Pecker, ish-botuesi i tabloidit të njohur ‘National Enquirer’, tha se ai i kishte pretmtuar zotit Trump të ishte "sytë dhe veshët" e tij gjatë fushatës presidenciale në vitin 2016.
Zotit Pecker u thirr nga prokuroia për të dëshmuar me synimin për të përforcuar pohimet e prokurorëve, për një miqësi disa dekada të gjatë mes tij dhe zotit Trump, që kulmoi me një marrëveshje për të parandaluar bërjen publike të historive të dëmshme për jetën personale të zotit Trump para zgjedhjeve.
Sipas akuzës këtë çështje zoti Trump, zoti Pecker si dhe ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, e kanë diskutuar gjatë një takimi në gusht të 2015-s, në kullën Trump.
Prokurorët thonë se zotit Pecker ka paguar me 150 mijë dollarë modelen Karen McDougal, e cila pretendon se ka patur një marrëdhënie 10-mujore me zotin Trump, për të blerë të drejtat e historisë së saj, një histori që nuk u publikua asnjëherë.
Pjesë e së njëjtës skemë, ishte dhe pagesa bërë yllit të filmave pornografikë Stormy Daniels prej 130 mijë dollarësh, që ajo të heshtte mbi marrëdhënien e dyshuar me zotin Trump. Prokurorët thonë se aktorja i mori paratë nga ish-avokati i zotit Trump, Michael Cohen, e më pas ky i fundit u rimbursua nga zoti Trump. Por paratë thotë prokuroria u regjistruan në mënyrë të paligjshme, si shpenzimeve ligjore, ndërsa nuk ishin të tilla.
Zoti Trump i ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga të dyja gratë se kanë patur marrëdhënie jashtëmartesore me to. Avokatët po përdorin strategjinë e goditjes së besueshmërisë së zotit Cohen, i cili tashmë ësjhtë dhe dëshmitari kyç i prokurorisë. Ata thonë se pagesat që i janë bërë zoti Cohen, nuk ishin rimbursim për zonjën Daniels, por detyrime ligjore që kompania Trump kishte ndaj tij për shërbime ligjore, që ai kishte kryer.
Seanca gjyqësore e së hënës
Donald Trump u përpoq të ndikonte në mënyrë të paligjshme në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, duke ndalur publikimin e historive të dëmshme rreth jetës së tij personale, u tha anëtarëve të jurisë prokurori të hënën gjatë gjyqit të parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan.
“Ky ishte një konspiracion i planifikuar dhe i zgjatur për të influencuar zgjedhjet e vitit 2016, për ta ndihmuar Donald Trump-in të zgjidhej nëpërmjet pagesave të paligjshme për të heshtur njerëzit që do të kishin diçka të keqe për të thënë rreth sjelljes së tij”, tha prokurori Matthew Colangelo. “Ishte manipulim zgjedhor, asgjë më shumë”.
Avokati mbrojtës u kundërpërgjigj duke e kritikuar padinë si të pabazë dhe duke sulmuar integritetin e personit dikur të besuar nga zoti Trump, që tashmë shërben si dëshmitari kryesor i akuzës.
“Presidenti Trump është i pafajshëm. Presidenti Trump nuk ka bërë ndonjë shkelje. Prokuroria e Manhatanit nuk duhet ta kishte ngritur fare këtë padi”, tha avokati Todd Blanche.
Deklaratat fillestare paraqitën për jurinë prej 12 personash dhe për publikun e gjerë, dy këndvështrime krejt të ndryshme se si do të zhvillohet kjo çështje gjyqësore, ndërsa në sfond vazhdon gara zgjedhore për Shtëpinë e Bardhë. Zoti Trump është jo vetëm kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane, por edhe i akuzuar në një proces penal, që mund të përfundojë me dënim me burg nëse gjendet fajtor.
Ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan dhe është çështja e parë hetimore nga katër çështjet e ngritura ndaj tij, që arrin deri në gjyq. Në këtë kuadër, prokurorët u përpoqën që në fillim të çështjes të ngrenë rëndësinë e saj, duke thënë se kishte të bënte kryesisht me ndërhyrjen në zgjedhje, të reflektuar tek pagesat e bëra për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump.
“I akuzuari, Donald Trump, orkestroi një skemë kriminale për të korruptuar zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Më pas ai e mbuloi këtë konspiracion duke gënjyer në të dhënat e biznesit të tij në Nju Jork, disa herë dhe në mënyrë të përsëritur”, tha prokurori Colangelo.
Gjatë gjyqit që mund të zgjasë deri në dy muaj, do të duhet që zoti Trump t’i kalojë ditët e tij në sallën e gjykatës në vend të aktiviteteve të fushatës. Ai u ankua për këtë të hënën pasi doli nga salla e gjykatës, duke u thënë gazetarëve se: “Unë jam kandidati kryesor... dhe po përpiqen të më nxjerrin nga pista për këtë gjë. Për pagesat me çek për një avokat”.
Sidoqoftë, ish-presidenti Trump është përpjekur ta shndërrojë statusin e të akuzuarit penalisht në një vlerë për fushatën e tij, duke mbledhur fonde për sfidat e tij ligjore dhe duke sulmuar vazhdimisht një sistem gjyqësor për të cilin ka pretenduar prej vitesh se është përdorur si mjet kundër tij. Në javët në vazhdim kjo çështje gjyqësore do të testojë aftësinë e jurisë për ta gjykuar zotin Trump në mënyrë të paanshme, si dhe aftësinë e tij për të ndjekur rregullat e sallës së gjykatës, apo urdhërat për të mos sulmuar dëshmitarët, anëtarët e jurisë, prokurorët etj.
Zoti Trump përballet me 34 akuza penale për falsifikimin e të dhënave të biznesit, që mund të shoqërohen me deri në katër vite burgim, megjithëse nuk është e qartë nëse gjykatësi do të kërkonte një dënim të këtillë. Dënimi nuk do ta përjashtonte zotin Trump nga marrja sërish e presidencës, por duke qenë se është çështje gjyqësore e një shteti, ai nuk do të mundet ta falë veten me dekret nëse gjendet fajtor. Ai e ka mohuar në mënyrë të përsëritur të ketë bërë ndonjë shkelje.
Çështja gjyqësore e hapur nga prokurori i Manhatanit, Alvin Bragg i rikthehet një kapitulli të vjetër të biografisë së zotit Trump, kur e shkuara e tij si person i njohur i skenës u përplas me ambiciet e tij politike, dhe kur sipas prokurorëve u përpoq të heshte historitë që mund të dëmtonin fushatën e tij.
Deklaratat fillestare që u bënë të hënën shërbejnë si prezantim për një gamë shumëngjyrëshe personazhesh që do të kenë rol të rëndësishëm, si Stormy Daniels, aktorja e filmave pornografikë që thotë se iu dhanë paratë për të heshtur; Michael Cohen, avokati për të cilin prokurorët thonë se bëri pagesën; si dhe David Pecker, publicisti që pranoi të shërbejë si “sytë dhe veshët” e fushatës elektorale të zotit Trump dhe që u ul në bankën e dëshmitarëve si personi i parë i thirrur nga prokuroria të hënën.
Zoti Pecker do të rikthehet në bankën e dëshmitarëve të martën, kur gjykata pritet gjithashtu të dëgjojë argumentat nëse zoti Trump ka shkelur urdhërin e gjykatës gjatë javës së shkuar me postimet e bëra në rrjetin Truth Social në lidhje me dëshmitarët.
Lexoni edhe këtë Fillon gjyqi ndaj ish Presidentit TrumpGjatë deklaratës së tij hapëse, prokurori Colangelo paraqiti një përpjekje gjithëpërfshirëse nga zoti Trump dhe aleatët e tij për të ndalur bërjen publike gjatë fushatës zgjedhore në vitin 2016 të tre historive të veçanta, dy prej të cilave nga gra që pretendonin për lidhje seksuale. Prokurori tha se kjo përpjekje u bë edhe më urgjente pas publikimit të një regjistrimi ku zoti Trump dëgjohej duke u mburrur për kontaktet seksuale me gratë pa lejen e tyre.
Prokurori Colangelo lexoi komentet e zotit Trump në regjistrimin e atëhershëm, ndërsa zoti Trump e ndiqte nga salla e gjyqit pa reaguar.
“Ndikimi i kësaj kasete tek fushata ishte i menjëhershëm dhe tronditës”, tha prokurori Colangelo.
Pak ditë pasi kaseta u bë publike, prokurori Colangelo u tha anëtarëve të jurisë se tabloidi “National Enquirer” paralajmëroi avokatin Cohen se Stormy Daniels po planifikonte të dilte publikisht me pretendimin e saj për një marrëdhënie seksuale me zotin Trump në vitin 2006.
“Me udhëzimin e Trump-it, Cohen negocioi një marrëveshje për të blerë historinë e zonjës Daniels, për t’ua ndaluar votuesve amerikanë që ta dëgjonin këtë histori përpara ditës së votimeve”, i tha jurisë prokurori.
Por, shtoi prokurori, “as Trump-i dhe as Organizata Trump nuk mund të lëshonin një çek ku shkruhej ‘rimbursim për pagesën për një pornostare’, kështu që ata ranë dakord të manipulonin regjistrat dhe ta bënin të dukej sikur shumat ishin të ardhura, pagesa për shërbimet e bëra”.
Këto të dhëna të falsifikuara shërbejnë si shtylla kryesore e 34 akuzave ndaj zotit Trump. Vetë ai e ka mohuar të ketë patur një marrëdhënie seksuale me zonjën Daniels.
Avokati mbrojtës Blanche u përpoq të godiste besueshmërinë e zotit Cohen, i cili pranoi fajësinë për akuzat federale për rolin e tij në skemën e pagesave. Avokati e paraqiti atë si “të fiksuar” pas zotit Trump dhe që të cilit nuk mund t’i zihet besë. Avokati Blanche tha se zoti Trump nuk ka bërë asgjë të paligjshme, kur kompania e tij i regjistroi çeqet për zotin Cohen si shpenzime ligjore.
“Nuk ka asgjë të gabuar nëse përpiqesh të influencosh zgjedhjet. Quhet demokraci”, dhe jo krim, tha avokati Blanche.
Ai kundërshtoi parimin se zoti Trump ra dakort ta paguajë zonjën Daniels për të mbrojtur fushatën e tij dhe tha se transaksioni synonte të neutralizonte një përpjekje “dashakeqe” për ta turpëruar zotin Trump dhe njerëzit e tij të dashur.
“Presidenti Trump u kundërpërgjigj, siç ka bërë gjithnjë, dhe siç ka të drejtën ta bëjë, për të mbrojtur familjen e tij, reputacionin e tij dhe emrin e tij, dhe ky nuk është krim”, i tha jurisë avokati Blanche.
Në sektorin e revistave tabloide, përpjekjet për të heshtur historitë e dëmshme njihen si përpjekje për të identifikuar dhe neutralizuar një histori, duke blerë të drejtat për botimin e saj dhe duke ia ndaluar kështu personit rrëfimin e kësaj historie tek palë të tjera.
Krahas pagesës për zonjën Daniels, prokurori Colangelo përshkroi edhe marrëveshje të tjera, ndër to një pagesë 150 mijë dollarëshe për një ish-modele të revistës Playboy për të heshtur pretendimet për një marrëdhënie gati njëvjeçare me zotin Trump, ndërsa ai ishte i martuar. Prokurori Colangelo tha se zoti Trump “nuk dëshironte absolutisht që ky informacion për Karen McDougal të bëhej publik, pasi shqetësohej për ndikimin që mund të kishte tek zgjedhjet”.
Prokurori i tha jurisë se ata do të dëgjonin një regjistrim që zoti Cohen bëri në shtator 2016, ndërsa informonte zotin Trump për planin për të blerë historinë e zonjës McDougal. Regjistrimi u bë publik në korrik 2018. Prokurori Colangelo u tha anëtarëve të jurisë se do ta dëgjonin vetë zërin e zotit Trump ndërsa thotë: “Sa do të duhet të paguajmë për këtë? 150?”.
Ish-presidenti Trump hedh poshtë pretendimet e zonjës McDougal për një marrëdhënie mes tyre.
Dëshimtari i parë dhe i vetëm i së hënës ishte zoti Pecker, në atë kohë botues i revistës tabloid National Enquirer dhe një mik i hershëm i zotit Trump. Prokurorët thonë se ai u takua me zotin Trump dhe zotin Cohen në Kullën Trump në gusht 2015 dhe ra dakord të ndihmojë ekipin elektoral që të identifikojë historitë negative për zotin Trump.
Zoti Pecker e përshkroi praktikën e ndjekur nga tabloidi si “gazetari çeqesh”, një praktikë që parashikon pagesa për personat që shërbejnë si burim informacioni.
“U thashë redaktorëve që të mos harxhonin mbi 10 mijë dollarë” për një histori, pa marrë paraprakisht miratim nga unë, tha zoti Pecker.
Çështja gjyqësore e Nju Jorkut ka marrë rëndësi të shtuar pasi mund të jetë çështja e vetme që mbërrin në fazën e gjyqit përpara zgjedhjeve të nëntorit. Tre çështjet e tjera janë vonuar nga apelimet dhe sfidat e ndryshme ligjore.