Hidhen raketa nga Iraku drejt një baze ushtarake amerikane në Siri

Të paktën pesë raketa u hodhën të dielën nga qyteti irakian Zummar drejt një baze ushtarake amerikane në Sirinë verilindore, i thanë agjencisë së lajmeve Reuters dy burime irakiane të sigurisë dhe një zyrtar amerikan.

Sulmi kundër forcave amerikane është i pari që nga fillimi i muajit shkurt, kur grupet e mbështetura nga Irani në Irak ndaluan sulmet e tyre kundër trupave amerikane.

Ngjarja ndodhi një ditë pasi kryeministri irakian, Mohammed Shia al-Sudani, u kthye nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara, ku u takua me presidentin Joe Biden në Shtëpinë e Bardhë.

Një postim në rrjetin Telegram në një grup të lidhur me Kataib Hezbollah, thuhet se fraksionet e armatosura në Irak kishin vendosur të rifillonin sulmet pas një pauze gati tre mujore, pasi panë pak përparim në bisedimet për t'i dhënë fund koalicionit ushtarak të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në vend.

Një tjetër grup i njohur i njohur në Telegram, i afërt me Kataib Hezbollah-un, Sabreen Neës, njoftoi më vonë se nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga fraksioni i mbështetur nga Irani.

Një zyrtar amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se më shumë se pesë raketa u hodhën nga Iraku në drejtim të trupave në një bazë të koalicionit në Rumalyn të Sirisë, por askush nga personeli amerikan nuk u lëndua.

Zyrtari e përshkroi ngjarjen si “një sulm të dështuar me raketa", por nuk ishte menjëherë e qartë nëse raketat nuk kishin arritur të goditnin bazën ose ishin shkatërruar para se të arrinin. Gjithashtu nuk ishte e qartë nëse baza ishte vetë objektivi i sulmit.

Pas kësaj, tha zyrtari, një aeroplan nga koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Irak dhe Siri kreu një kundërsulm.

Dy burime të shërbimeve të sigurisë dhe një oficer i lartë i ushtrisë në Irak thanë se një kamion i vogël me një raketë të fiksuar në anën e pasme ishte parkuar në Zummar, një qytet në kufi me Sirinë.

Një oficer i ushtrisë tha se kamioni i shkatërruar u sekuestrua për hetime të mëtejshme ndërsa hetimet fillestare treguan se ai u shkatërrua nga një sulm ajror.

“Ne po komunikojmë me forcat e koalicionit në Irak për të këmbyer informacione mbi këtë sulm”, shtoi ai.

Qendra Mediale e Sigurisë në Irakut, një organ zyrtar përgjegjës për shpërndarjen e informacioneve të sigurisë, tha në një deklaratë se forcat irakiane kanë nisur "një operacion të gjerë kërkimi dhe inspektimi" me synim gjetjen e autorëve pranë kufirit sirian, duke u zotuar që t'i nxjerrin ata para drejtësisë.