Parlamenti i Republikës Serbe të Bosnjës miratoi të enjten një raport në të cilin thuhet se vrasja e 8,000 myslimanëve në Srebrenicë gjatë luftës në Bosnje, nuk paraqet gjenocid, duke sfiduar kësisoj vendimet e gjykatave ndërkombëtare.
Masakra e korrikut të vitit 1995, e cila ndodhi një javë pasi Srebrenica që ishte shpallur nga Kombet e Bashkuara si zonë e sigurt u sulmua nga forcat serbe të Bosnjës, është vlerësuar si mizoria më e rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Aktualisht Serbia dhe Republika Serbe po bëjnë fushatë kundër një rezolute për të përkujtuar gjenocidin e Srebrenicës, që po debatohet në Kombet e Bashkuara dhe që pritet votohet në Asamblenë e Përgjithshme në fillim të muajit maj.
Lexoni edhe këtë Serbia në fushatë kundër Kosovës në Këshillin e Evropës dhe kundër rezolutës së OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë"Gjenocidi nuk ka ndodhur. Një kualifikim i tillë duhet të hidhet poshtë", u tha ligjvënësve presidenti nacionalist i Republikës Serbe, Milorad Dodik. “Populli serb nuk ka kryer gjenocid”, shtoi ai.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, tha javën e kaluar se Serbia do të luftojë kundër miratimit të rezolutës së OKB-së, e cila do të fajësonte serbët, nga frika se mund të formojë një bazë që Bosnja të kërkojë dëmshpërblime lufte nga Serbia.
Autoritetet në Republikën Serbe organizuan të enjten në mbrëmje një tubim në kryeqytetin de fakto të rajonit, Banja Lukë, për të protestuar kundër rezolutës së OKB-së, të cilën ata thanë se nuk do ta pranojnë kurrë.
Milorad Dodiku tha gjatë tubimit në të cilin mori pjesë edhe kryetarja e parlamentit të Serbisë dhe kryeministrja në largim Ana Bërnabiç se operacioni i ushtrisë serbe të Bosnjës në Srebrenicë ishte një "gabim i madh".
"Ishte një krim, por nuk ishte një gjenocid," u tha Dodik mbështetësve që duartrokisnin dhe valëvitnin flamujt serbë. Ai u bëri thirrje myslimanëve boshnjakë që të tërhiqnin mbështetjen e tyre për rezolutën, duke thënë se përndryshe serbët nuk do të jetojnë me ta në të njëjtin shtet.
“Ne nuk duam të jetojmë në të njëjtin shtet me ju dhe nuk do të jetojmë në të njëjtin shtet me ju”, tha Milorad Dodik, një politikan pro-rus, i cili është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania për shkak të politikës ndarëse të tij. Ai ka udhëtuar në Rusi dhe është takuar me presidentin rus Vladimir Putin pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë dhe në kundërshtim me perëndimin.
Gjykata Ndërkombëtare për krime të luftës në ish-Jugosllavi, me seli në Hagë, vendosi në një seri vendimesh gjatë dy dekadave të fundit se masakra e 8,000 burrave dhe djemve myslimanë në Srebrenicë paraqet gjenocid.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e konfirmoi në vitin 2007 një pohim të tillë, duke theksuar gjithashtu se Serbia dështoi të parandalojë gjenocidin.
Burrat, shumica e tyre të paarmatosur, u ekzekutuan ndërsa përpiqeshin të iknin nga enklava lindore pasi ajo ra në duart e forcave serbe të Bosnjës më 11 korrik të vitit 1995. Ata u vranë masivisht dhe eshtrat e tyre u gjetën më vonë nëpër vite nëpër varreza masive.
Forcat serbe komandoheshin nga gjenerali Ratko Mlladiç, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2017, nga Gjykata e Hagës për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe organizim të masakrave dhe spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnje.
Lexoni edhe këtë Ratko Mladiç – përjetësisht në burgNjë raport i vitit 2021 i hartuar nga një grup ekspertësh të huaj dhe i porositur nga qeveria e Republikës Serbe, arriti në përfundimin se krimet ndodhën në Srebrenicë, por jo gjenocid, duke përgjysmuar numrin e të vrarëve dhe duke thënë se shumica e tyre u vranë përgjatë luftimeve.
Projekt rezoluta e OKB-së, nismë e Gjermanisë dhe Ruandës, e mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Bosnja dhe Hercegovina dhe vende të tjera, kërkon që 11 korriku të jetë një ditë zyrtare ndërkombëtare e përkujtimit të viktimave të gjenocidit në Srebrenicë.
Lexoni edhe këtë OKB, projektrezolutë për gjenocidin në SrebrenicëAjo gjithashtu bën thirrje për dënimin e çdo mohimi të gjenocidit në qytetin boshnjak.
Bosnja mbetet e ndarë etnikisht dhe politikisht e tensionuar shumë kohë pas përfundimit të luftës së viteve 1992-1995, që la pas vetes mbi 100 mijë te vrarë dhe miliona të zhvendosur. Kombi i trazuar ballkanik po kërkon anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por ndarjet e brendshme e kanë penguar përpjekjen mes frikës së paqëndrueshmërisë, ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë.