Dita Botërore e Monumenteve, dhjetëra prej tyre në rrezik në Shqipëri

  • Raimond Kola

18 Prilli shënon Ditën Botërore të Monumenteve, shumë prej të cilave janë në gjendje kritike në Shqipëri si pasojë e degradimit natyror, moskujdesit nga organet shtetërore apo dëmeve të shkaktuara nga dora e njeriut.

Një nga monumentet më të rrezikuara është “Muri i Portës” në Porto Romano, në Durrës, të cilin organizata kulturore europiane “Europa Nostra” e përfshiu pak kohë më parë në 11 objektet më të rrezikuara të trashëgimisë kulturore europiane, por duke mos e klasifikuar në një listë me 7 objekte ku organizata pritet të ndërhyjë këtë vit me financime.

Monumenti arkeologjik "Muri i Portës" që daton nga periudha romake, përfshinte mbetjet e një muri, i cili mbyllte dikur rripin e ngushtë të tokës, ndërmjet detit dhe kënetës dhe ka qenë nën mbrojtjen e autoriteteve shqiptare që nga viti 1948 si Monument i Kategorisë së Parë.

"Muri i Portë”, thotë Geri Emiri i organizatës joqeveritare “Amfora” në Durrës, është dëmtuar rëndë vitet e fundit gjatë punimeve të kompanisë koncensionare Porti MBM (Multi Buoy Mooring) për ndërtimin e portit në Porto Romano.

Në vitin 2015, Kuvendi i Shqipërisë miratoi koncesionin për ndërtimin e një porti hidrokarburesh në Porto-Romano si dhe operimin e tij për një periudhë 35 vjeçare dhe kontrata u amendamentua në vitin 2020, kur kompanisë iu dha gjithashtu e drejta e zgjerimit të aktivitetit si një port tregtar.

Sipas vlerësimit të ekspertëve të trashëgimisë gati gjysma e murit perëndimor është dëmtuar në mënyrë të pakthyeshme gjatë punimeve pas viteve 2020, ndërsa edhe pjesa tjetër mbetet e rrezikuar.

“Një zinxhir institucionesh të drejtësisë, kulturës dhe të territorit, dështuan të ndalonin dëmtimin e monumentit në Porto-Romano, megjithëse u sinjalizuan në kohë nga organizata “Amfora” , thotë zoti Emiri.

Vendndodhja e fragmentit të murit të mbetur sipas zotit Emiri është tepër e ekspozuar, nga ngarkim-shkarkimet e materialeve të portit të mallrave dhe ndotja nga aktiviteti i portit është një tjetër kërcënim.

I kontaktuar nga Zëri i Amerikës për një reagim lidhur me shpalljen e Monumentit “Muret e Portës” në Durrës në programin “7 më të rrezikuarit” në Europë në shkurt të këtij viti, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore tha se kishte marrë masat e nevojshme prej vitit 2019.

"Bazuar në Ligjin për Trashëgimine Kulturore dhe Muzetë, institucionet e specializuara në varesi të Ministrisë së Kulturës (sot Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit) që prej vitit 2019, kanë marrë të gjithë masat e nevojshme në përputhje me legjislacionin ne fuqi për trashëgiminë kulturore për ndërhyrjet në objektin pasuri kulturore 'Muret në Porto Romano', Durrës,” thuhej në përgjigjen e Insitutit për Zërin e Amerikës.