Pas dy muajsh të miratimit nga Senati, projektligji për sigurinë kombëtare, që përfshinë ndihmat për Ukrainën, Izraelin dhe rajonin e Indo-Paqësorit me gjasë do të votohet të premten nga Dhoma e Përfaqësuesve. Udhëheqësi republikan i Dhomës, Mike Johnson, megjithë kundështimet e ashpra të ligjvënësve konservatorë, njoftoi se teksti i projekligjit do të publikohet të martën pasdite duke krijuar mundësinë që votimi të mbahet në fund të javës.
Your browser doesn’t support HTML5
Sipas kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, ligjvënësit do të kenë 72 orë kohë të njihen me projekt-ligjin, deri në votimin e tij të premten.
Të hënën në mbrëmje, zoti Johnson njoftoi se projekligji do të ndahet në katër pjesë.
"Ne do të votojmë për ndihmën për Izraelin, për Ukrainën dhe Indo-Paqësorin. Më pas edhe për një projekt-ligj tjetër, që përfshin prioritetet tona të sigurisë kombëtare dhe që ndër të tjera parashikon t'i japë Presidentit të drejtën të shfrytëzojë pasuritë e ngrira ruse për rindërtimin e Ukrainës dhe disa sanksione të tjera ndaj Iranit dhe masa të tjera për të cilat ne kemi diskutuar për një kohë të gjatë”, tha zotit Johnson.
Duke u përballur me një rebelim të drejtpërdrejtë nga konservatorët që kundërshtojnë sidomos ndihmën për Ukrainën, vendimi i kryetarit republikan për të dërguar projektligjin për votim vlerësohet si një moment vendimtar.
"Ky është një mashtrim dhe njerëzit janë lodhur nga republikanët që thonë se si po luftojmë për Amerikën dhe më pas dërgojnë taksat e tyre të fituara me aq vështirësi te vendet e tjera. Të gjithë duhet të paguajnë taksat për të financuar këtë qeveri të cilës nuk i intereson të zgjidhë problemet në vendin tonë", tha ligjvënësja republikane, Marjorie Taylor Greene.
Për të kapërcyer paknaqësitë brenda partisë së tij, zoti Johnson tha se ndarja e projekligjit në katër pjesë përfshin ndryshimin që një pjesë e ndihmës për Kievin të jepet si kredi. Jo zyrtarisht mësohet se demokratët nuk e kundërshtojnë këtë ndryshim.
Ndarja e projektligjit megjithatë e la të hapur mundësinë për ndryshimin e vlerës origjinale të ndihmave prej 95 miliardë dollarësh që Senati miratoi në muajin shkurt. Projektligji i miratuar nga Senati përfshinte 14 miliardë dollarë për Izraelin dhe 60 miliardë për Ukrainën. Disa ligjvënës po bëjnë përpjekje që të shtojnë edhe masa të tjera për kontrollimin e kufirit me Meksikën.
Të hënën, ndërsa takonte Kryeministrin e Çekisë, Presidenti Joe Biden vazhdoi trysninë publike ndaj zotit Johnson duke kërkuar që projektligji të dërgohet për votim në Dhomën e Përfaqësuesve.
"Kongresi duhet të votojë projektligjin që u miratua në Senat me mbështetje dypartiake. Ka një mbështetje të madhe në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senat nëse këta njerëz do të lejonin një votim", tha Presidenti Biden ndërsa falenderoi Republikën Çeke për vendimin për të dërguar një milion predha artilerie në Ukrainë.
Ministri i jashtëm i Ukrainës Dmitry Kuleba iu bëri thirrje sërish aleatëve të hënën të ndërmarrin "hapa të jashtëzakonshëm dhe të guximshëm" për të dërguar sisteme të mbrojtjes ajrore për të ndihmuar vendin të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse.