Ish-presidenti Trump në gjyq në Nju Jork, presidenti Biden vazhdon fushatën në Pensilvani

Gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan fillon këtë javë në qytetin e Nju Jorkut. Çështja penale për pagesën e bërë nga ish-presidenti Donald Trump për të fituar heshtjen e një aktoreje të filmave pornografikë, fillon të hënën me përzgjedhjen e jurisë. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Balderas Iglesias, ndërkohë presidenti Joe Biden do të shkojë në Pensilvani për të vazhduar fushatën e tij për rizgjedhjen.

Your browser doesn’t support HTML5

Ish-presidenti Trump në gjyq në Nju Jork, presidenti Biden vazhdon fushatën në Pensilvani

Shteti i rëndësishëm për zgjedhjet, Pensilvania, ishte ndalesa e fundit në fushatën elektorale të ish-presidentit Donald Trump, përpara fillimit të gjyqit në Nju Jork.

Ai përballet me 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit, në përpjekje për të fshehur një marrëdhënie në vitin 2006 me aktoren e filmave pornografikë Stormy Daniels.

Gjatë aktivitetit elektoral të shtunën në Schnecksville, kandidati i pritshëm republikan për president e quajti sërish këtë padi një gjueti shtrigash.

“Janë të gjitha gjyqe të Biden-it. E dini këtë, apo jo? Jam krenar që po e bëj këtë për ju. Ndiqeni me kënaqësi”, tha ish-presidenti Trump.

Duke qenë se ky është gjyqi i parë penal ndaj një ish-presidenti, vëmendja do të jetë e lartë, thotë analisti politik Calvin Dark.

“Mendoj se deri më tani, gjykatësit dhe prokurorët kanë bërë një punë të mirë për t’u siguruar që trajtimi që merr ish-presidenti Trump të jetë sa më i ngjashëm me atë që mund të pritej për një amerikan të zakonshëm në një situatë të ngjashme”, thotë zoti Dark.

Në emisionin “This Week” të kanalit televiziv ABC, guvernatori republikan i Nju Hempshërit, Chris Sununu, tha se nuk mendon se gjyqi do të ketë pasoja madhore politike për ish-presidentin Trump.

“Ndoshta do t’i rikthehen fushatës duke përmendur ato që kanë ndodhur; viktimizimi ka funksionuar mirë”, tha guvernatori Sununu.

Vëmendja ndërkohë e presidentit Joe Biden është marrë nga reagimi për sulmin e Iranit të shtunën ndaj Izraelit. Ai megjithatë pritet të vazhdojë fushatën këtë javë me një vizitë tre-ditore në Pensilvani, ku tematika kryesore pritet të jetë ekonomia.

“Ai do të flasë për faktin se ka tregues për një përmirësim të ekonomisë, megjithëse raporti i javës së kaluar për inflacionin nuk ndihmoi”, thotë Karlyn Bowman, nga Instituti Amerikan i Sipërmarrjes.

Një tjetër tematikë ku është përqëndruar fushata elektorale e presidentit Biden është çështja e të drejtave riprodhuese, në veçanti pasi ish-presidenti Trump tha javën e kaluar se vendimmarrja për abortin u duhet lënë shteteve.