Muzeu arabo-amerikan në shtetin e Miçiganit

  • Dora Mekouar

Muzeu Kombëtar Arabo-Amerikan në qytetin Dearborn në shtetin e Miçiganit

Prilli është muaji i trashëgimisë arabo-amerikane në Shtetet e Bashkuara. Ky muaj vë në qendër të vëmendjes një komunitet që shpesh duhet të luftojë stereotipet negative. Një institucion që ndihmon në këtë drejtim është Muzeu Kombëtar Arabo-Amerikan në qytetin Dearborn në shtetin e Miçiganit, të cilin e vizitoi së fundmi korrespodentja e Zërit të Amerikës, Dora Mekouar.

Your browser doesn’t support HTML5

Muzeu arabo-amerikan në shtetin e Miçiganit


Emigrantët arabë erdhën në Amerikë që së paku në vitet 1890. Shumë erdhën fillimisht për mundësi më të mira ekonomike dhe më pas për shkak të trazirave politike në vendet e tyre. Misioni i Muzeut Kombëtar Arabo-Amerikan është të tregojë se si këta emigrantë u bënë pjesë e shoqërisë amerikane.

“Ne e përcjellim historinë e arabo-amerikanëve përmes zërit të arabo amerikanëve. Ata e tregojnë me fjalët e tyre përvojën që kanë patur. Kjo bën të mundur që njerëzit të kenë një dëshmi autentike dhe reale mbi domethënien e të qenit arabo-amerikan”, shprehet Diana Abouali nga Muzeu Kombëtar Arabo-Amerikan.
Historia e këtyre emigrantëve nuk është e njohur për amerikanët e zakonshëm. Dhe shpesh, ato infomacione, që pak amerikanë dinë rreth tyre, bazohen tek stereotipet negative.


“Stereotipi i dukshëm është ai i arabëve të zemëruar, arabëve terroristë, i të qenit të frikësuar nga arabët që vijnë nga jashtë vendit. Mendoj se ky është stereotipi që shihet lehtësisht, por gjykoj se po teprohet pak. Ndaj idenë se një nga stereotipet më të dëmshme që ekziston sot në median amerikane lidhet me shtypjen e grave arabe”, shprehet
Jasmine Hawamdeh nga Komiteti Kundër Diskriminimit Amerikano-Arab.

Muzeu përpiqet të korrigjojë përshkrime dhe cilësime të tilla. Një ekspozitë krahason se si portretizohen arabët nga të tjerët dhe se si e shohin ata veten.

Muzeu tregon përvojën në shkallë të gjerë të arabo- amerikanëve. Përfshirë punën, historinë e atyre që i shërbyen vendit, historinë e artistëve dhe veprat e tyre.
Dhe jetën e tyre të përditshmme, përfshirë erëzat dhe ushqimet tradicionale të kuzhinës arabe.

“Jo përherë i përgjigjemi këtyre cilësimeve dhe perceptimeve të gabuara edhe pse është një pjesë e rëndësishme e punës sonë dhe një nxitje kryesore për ngritjen e një muzeu si ky, por në një fare mënyre ne po prezantojmë veten, ashtu si jemi, me vetëbesim”, shprehet zonja Abouali.


Në muze shfaqen edhe portretet e arabo-amerikanve të njohur. Atje gjendet tavolina e emigrantit libanez Joseph Haggar, i cili themeloi markën e njohur të pantallonave Haggar në 1926.

Muzeu përmban gjithashtu listën e arabo-amerikanëve që ishin pasagjerë në anijen Titanik, që u fundos në 1912. Po ashtu edhe sfida që lidhen me keqkuptimtet fetare.

“Gjysma e komunitetit arabo-amerikan është i krishterë. Dhe në fakt, emigrantët të cilët erdhën në fund të shekullit të 19-të, në fillim të shekullit të 20-të, ishin kryesisht të krishterë”, shton zonja Abouali.

Arabo-amerikanët janë një komunitet i larmishëm nga 22 vende arabe që shtrihen nga Afrika veriore në Azinë perëndimore. Por sapo vendosen në Shtetet e Bashkuara, thotë drejtoresha e muzeut, ata bëhen po aq amerikanë, sa ç’janë edhe arabë.