PEKIN – Udhëheqësi kinez Xi Jinping u takua të martën me ministrin e Jashtëm rus Sergey Lavrov në shenjë mbështetjeje të ndërsjellë dhe opozite të përbashkët ndaj demokracive perëndimore, ndërsa Moska vazhdon sulmin në Ukrainë.
“Do të donim të shprehnim vlerësimin tonë më të lartë dhe admirimin për sukseset që keni arritur ndër vite dhe mbi të gjitha gjatë dekadës së fundit nën udhëheqjen tuaj”, i tha zoti Lavrov zotit Xi, sipas mediave ruse.
“Jemi sinqerisht të kënaqur me këto suksese, pasi këto janë suksese mes miqsh, megjithëse jo të gjithë në botë ndajnë këtë qëndrim dhe po përpiqen në çdo mënyrë të mundshme për të frenuar zhvillimin e Kinës – në fakt siç bënë me zhvillimin e Rusisë”, tha zoti Lavrov.
Izolimi në rritje në planin ekonomik dhe diplomatik të Rusisë ka bërë që ajo të mbështetet gjithnjë e më shumë tek Kina, ish-rivalja e saj për kryesimin e bllokut komunist gjatë Luftës së Ftohtë. Në dekadat e fundit, dy vendet kanë përafruar gjithnjë e më shumë politikat e tyre të jashtme, kanë bërë ushtrime të përbashkëta ushtarake dhe janë përpjekur të fitojnë mbështetjen e vendeve të treta në organizma si Organizata për Bashkëpunimin e Shangait.
Zoti Lavrov u shfaq më herët të martën në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun kinez Wang Yi, gjatë së cilës riafirmuan solidaritetin për çështjet ndërkombëtare.
Zoti Lavrov tha se Rusia dhe Kina kundërshtojnë çdo nismë ndërkombëtare që nuk merr parasysh pozicionin e Rusisë.
Ai tha se “formula e ashtuquajtur e paqes” e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ishte “krejtësisht e shkëputur nga çdo realitet”.
Zoti Zelensky ka bërë thirrje për tërheqjen e forcave ruse dhe rikthimin e të gjitha territoreve të pushtuara ukrainase. Por, Ukraina mbështetet më së shumti tek Shtetet e Bashkuara, ku shumica republikane në Dhomën e Përfaqësuesve po mban pezull një projektligj për ndihma të reja ushtarake.
Kina dhe Rusia janë partnerët më të rëndësishëm diplomatikë për njëri-tjetrin, ndërsa janë të dyja anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe bashkëpunojnë për të bllokuar nismat e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve për të përhapur vlerat demokratike dhe të të drejtave të njeriut, në vende si Venezuela dhe deri në Siri.
Megjithëse Kina nuk ka dhënë mbështetje të drejtpërdrejtë ushtarake për Rusinë, ajo e ka mbështetur diplomatikisht, duke fajësuar Perëndimin si shkaktar për vendim-marrjen e presidentit rus Vladimir Putin fillimin e luftës. Kina gjithashtu nuk e ka quajtur ndërhyrjen sulm ushtarak, duke iu përmbajtur kështu linjës së Kremlinit. Megjithëse ka thënë se nuk po i ofron Rusisë ndihma ushtarake apo në armatime, Kina ka ruajtur marrëdhënie të fuqishme ekonomike me Moskën, së bashku me Indinë dhe vende të tjera, ndërsa vazhdojnë sanksionet e vëna nga Perëndimi dhe vendet aleate.
Në konferencën e përbashkët për shtypin, zoti Wang përsëriti kërkesën e Kinës për armëpushim dhe “përfundim të shpejtë të luftës”.
“Kina mbështet mbajtjen në kohën e përshtatshme të një takimi të ndërkombëtar të pranuar nga Rusia dhe Ukraina, ku palët mund të marrin pjesë në mënyrë të barabartë dhe të diskutojnë në mënyrë të drejtë të gjitha zgjidhjet për paqen”, tha zoti Wang.
Propozimi i Kinës për paqen nuk ka zënë vend, pjesërisht për shkak të mbështetjes së vazhdueshme për Rusinë dhe mungesës së një vizioni se si mund të duket një zgjidhje e ardhshme, në veçanti se cili do të ishte fati i territoreve të pushtuara ukrainase dhe banorëve të tyre.
Zoti Wang gjithashtu tha se presidentët Xi dhe Putin do të vazhdojnë kontaktet e ngushta gjatë këtij viti, ndërsa pritet të zhvillohen edhe vizita në kryeqytetet e dy vendeve.
“Kina dhe Rusia kanë patur ulje-ngritje të marrëdhënies dhe të dyja palët kanë nxjerrë mësime nga eksperiencat historike dhe kanë gjetur trajektoren e duhur për të mbështetur një zhvillim të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm të marrëdhënies dypalëshe”, tha zoti Wang. “Marrëdhëniet e mira të sotshme mes Kinës dhe Rusisë janë të fituara me shumë mund dhe meritojnë të mbrohen me kujdes nga të dyja palët”.
Zoti Lavrov mbërriti në Kinë të hënën, ndërsa zoti Wang dhe udhëheqës të tjerë kinezë kanë vizituar rishtazi Rusinë dhe kanë mbajtur përgjithësisht një qëndrim në mbështetje të pikëpamjeve të Rusisë për shkaqet e konfliktit.
Kina ka përdorur herë pas here një ton të ngjashëm luftarak ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Kina dhe Rusia kanë bërë stërvitje të përbashkëta ushtarake dhe mendohet se përpiqen të zëvendësojnë demokracitë me diktatura në zonat ku ushtrojnë ndikimin e tyre. Kina është vetë e përfshirë në mosmarrëveshje territoriale, në veçanti për ishullin e vetëqeverisur të Tajvanit, si dhe në Detin e Kinës së Jugut dhe të Lindjes.
Vetëm disa javë përpara se Rusia të sulmonte Ukrainën, presidenti Putin vizitoi Pekinin për ceremoninë e çeljes së Lojërave Olimpike të vitit 2022 dhe palët nënshkruan një pakt duke u zotuar për një marrëdhënie “pa kufij”, me mbështetje të Kinës për qëndrimet e Rusisë, megjithëse formalisht Kina bën thirrje për bisedime për paqe.
Në një telefonatë javën e kaluar me udhëheqësin kinez Xi Jinping, Presidenti amerikan Joe Biden ngriti çështjen e marrëdhënies së Kinës me Rusinë në fushën e mbrojtjes. Rusia po përpiqet të rindërtojë bazën e saj industriale, ndërsa vazhdon sulmin në Ukrainë. Presidenti Biden i bëri thirrje Pekinit të ushtrojë ndikimin ndaj Koresë së Veriut për ta frenuar këtë fuqi të re dhe të paparashikueshme bërthamore.