Ndërkohë që negociatat për arritjen e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve dhe armëpushim po vazhdojnë në Kajro, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se tashmë është caktuar data për fillimin e sulmit ndaj qytetit jugor të Rafahut në Rripin e Gazës, në kufi me Egjiptin, ku po strehohen rreth 1.4 milionë palestinezë, shumica të zhvendosur nga pjesët tjera të territorit gjatë luftës gjashtë mujore të Izraelit kundër Hamasit. Shtetet e Bashkuara, aleati kryesor i Izraelit, e kanë kundërshtuar operacionin tokësor në Rafah dhe kanë kërkuar një plan që të ofrojë mbrojtje për civilët.
Your browser doesn’t support HTML5
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkallëzoi të hënën zotimin e tij për të pushtuar qytetin e Rafahut, në pjesën jugore të Gazës, përkundër kundërshtimit të aleatëve kryesorë të Izraelit.
“Sot mora një raport të detajuar për bisedimet në Kajro, të gjithë po punojmë që të arrijmë qëllimet tona, në veçanti lirimin e pengjeve dhe arritjen e fitores së plotë kundër Hamasit. Fitorja kërkon hyrjen në Rafah dhe eliminimin e batalioneve terroriste atje. Do të ndodhë - data është caktuar,” deklaroi ai.
Zoti Netanyahu nuk dha detaje të tjera. Por kërcënimi i tij për operacion tokësor në Rafah vjen një ditë pasi Izraeli tërhoqi forcat ushtarake nga qyteti Khan Younis, në pjesën qendrore të Gazës, duke përmbyllur një fazë të rëndësishme të luftës.
Zyrtarët ushtarakë thanë se tani janë në përgatitje për ofensivën në pjesën jugore të territorit, ku po strehohet gjysma e popullsisë së Gazës, shumë prej të cilëve janë zhvendosur nga pjesët tjera të enklavës.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar Izraelin kundër sulmit në Rafah, të cilin Izraeli e konsideron si bastionin e fundit të madh të grupit militant Hamas. Uashingtoni ka theksuar se Izraeli gabon nëse sulmon Rafahun dhe ka kërkuar një plan të besueshëm për të mbrojtur civilët.
“Ia kemi bërë të qartë Izraelit se ne mendojmë që një sulm ushtarak në Rafah do të ketë një efekt shumë të dëmshëm ndaj civilëve dhe në afat të gjatë do ta cenojë sigurinë e Izraelit. Pra nuk është vetëm çështje e prezantimit të një plani nga Izraeli, e kemi bërë të qartë se mendojmë që ka mënyra më të mira për të përmbushur qëllimin legjitim të tyre, që është shkatërrimi dhe disfata e batalioneve të Hamasit që ende vazhdojnë të jenë në Rafah,” tha zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Matthew Miller.
Ndërkohë, banorët palestinezë të Khan Younis-it, të cilët u kthyen për t’i parë shtëpitë e tyre, thanë se forcat izraelite lanë prapa një qytet që nuk e njohin më, me mijëra ndërtesa të shkatërruara ose të dëmtuara, dëshmi të njërit prej sulmeve ushtarake më shkatërruese dhe vdekjeprurëse në botë në dekadat e fundit. Shumica e Rripit të Gazës, një territor i ngushtë përgjatë detit me 2.3 milionë banorë, tani është e pabanueshme.
“Kurrë nuk e kam imagjinuar se mund të arrinim në këtë gjendje. E kam të vështirë ta përshkruaj, shumë të vështirë, ëndrra e jetë të humbura në këto ndërtesa, fëmijët që luanin në këto rrugë,” thotë banori palestinez Hatem al-Masri.
Vëzhguesit druhen se një fat i ngjashëm e pret edhe qytetin e Rafahut.
Sipas zyrtarëve izraelitë, Izraeli është në proces të blerjes së 40 mijë tendave në përgatitje për evakuimin e qindra mijëra palestinezëve që po strehohen në Rafah si pjesë e përgatitjeve për operacionin ushtarak.
Ndërkohë, zyrtarët egjiptianë njoftuan të martën se ndërmjetësit ndërkombëtarë u dorëzuan delegacioneve të Izraelit dhe Hamasit një plan të ri, që përfshin një ndërprerje gjashtë javore të luftimeve dhe këmbimin e 40 pengjeve, që po mbahen nga Hamasi me lirimin e të paktën 700 të burgosurve palestinezë nëçga burgjet e Izraelit, dhjetëra prej të cilëve që vuajnë dënime për vrasjen e izraelitëve gjatë sulmeve të grupeve militante.
Propozimi po ashtu përfshin edhe kthimin e një numri të dukshëm të palestinezëve në pjesën veriore të Gazës, prej nga qindra mijëra palestinezë u larguan në fazat e hershme të luftës.