Një anketë e publikuar pas përfundimit të zgjedhjeve lokale dhe rajonale të Polonisë të dielën, tregoi se partia pro Bashkimit Evropian e kryeministrit Donald Tusk, renditet pak pas partisë opozitare konservatore që qeverisi Poloninë për tetë vjet me radhë. Por, kryetari social liberal i Varshavës, një aleat i zotit Tusk, fitoi lehtësisht një mandat tjetër në kryeqytet.
Zgjedhjet e së dielës ishin prova e parë elektorale për qeverinë e koalicionit të kryeministrit Tusk, gati katër muaj që kur mori pushtetin.
Anketat kanë një shkallë të vogël gabimi dhe rezultatet përfundimtare nuk priten deri të hënën. Por, ato treguan se partia konservatore Ligj dhe Drejtësi, e cila qeverisi Poloninë nga viti 2015 deri në vitin 2023, është ende një forcë politike me peshë në kombin me 38 milionë banorë.
Sipas kompanisë së anketimeve Ipsos, partia Ligj dhe Drejtësi fitoi 33.7 për qind të votave, ndërsa Koalicioni Civil i kryeministrit Tusk fitoi 31.9 për qind të votave.
Udhëheqësi i partisë Ligj dhe Drejtësi, Jaroslaë Kaczynski, shpalli fitoren dhe tha se rezultati ishte një mesazh për ata që kishin menduar se kjo parti është jashtë loje.
"Siç tha dikur Mark Twain, lajmi për vdekjen time është disi i parakohshëm," tha zoti Kaczynski, duke cituar lirshëm autorin amerikan.
Zgjedhësit hodhën votat për kryetarët e bashkive, si dhe për anëtarët e këshillave bashkiakë dhe asambletë krahinore, një zhvillim rëndësishëm në sistemin e vetëqeverisjes që është një nga arritjet e mëdha të transformimit demokratik që Polonia bëri kur shembi komunizmin 35 vjet më parë.
Lexoni edhe këtë Zgjedhjet lokale në Poloni, provë për qeverisjen pro-evropiane të kryeministrit TuskBalotazhi do të zhvillohet më 21 prill në rastet kur kandidatët për kryetar bashkie nuk fitojnë të paktën 50 për qind të votave në raundin e parë.
Kryebashkiaku i Varshavës Rafal Trzaskowski do të shmangë balotazhin pasi fitoi gati 60 për qind të votave, sipas anketave.
Qeveria e koalicionit e kryeministrit Tusk, fitoi zgjedhjet kombëtare në tetor. Rezultati dhe një pjesëmarrje rekorde e votuesve në zgjedhje, shënoi fundin e tetë viteve të vështira të sundimit të partisë Ligj dhe Drejtësi, që u akuzua nga Bashkimi Evropian për shkelje të standardeve demokratike me ndryshimet në sistemin gjyqësor dhe median publike.
Zoti Tusk fitoi me premtimet për të anuluar shumë prej këtyre ndryshimeve dhe po përpiqet ta zbatojë atë program, por nuk është e lehtë. Për shembull, një premtim për të liberalizuar ligjin e rreptë të abortit, po pengohet nga konservatorët në koalicionin e kryeministrit Tusk.
Qeveritë vendore kanë luajtur një rol të rëndësishëm në dy krizat e mëdha të viteve të fundit, duke zbatuar vaksinimin kundër COVID-19 dhe duke ndihmuar numrin e madh të refugjatëve ukrainas që arritën në vend pas agresionit rus në Ukrainë në vitin 2022.
Brukseli po vëzhgon nga afër se si do të funksionojë koalicioni i zotit Tusk, ndërsa Bashkimi Evropian pret zgjedhjet e reja në qershor, mes pohimeve që dalin nga anketat se e djathta populiste do të mund të rritet.