Programi amerikan i transplantimeve njoftoi se ka ndalur përdorimin e një algoritmi me përllogaritje të bazuara tek raca, që pati shkaktuar shtyrjen prej vitesh të transplatimeve për afrikano-amerikanët. I tillë është edhe rasti i Jazmin Evans, historinë e të cilës mund ta ndiqni në vijim.
Your browser doesn’t support HTML5
29 vjeçarja Jasmin Evans kishte qenë në pritje për një veshkë prej katër vitesh, kur spitali i bëri të ditur zbulimin tronditës: Ajo duhet të ishte përfshirë në listën për transplantime që në vitin 2015 dhe jo në vitin 2019.
Fajin për këtë shtyrje e kishte një sistem i padrejtë testimi për organet.
Zonja Evans është deri më tani vetëm një nga 14 mijë afrikano-amerikanët që presin për një transplantim të veshkës, të cilët janë njoftuar tashmë për kohën e humbur dhe janë zhvendosur më lart në listë.
“Më kujtohet se si e lexova letrën disa herë nga fillimi dhe mendoja se ç’po ndodh këtu? A e ka dëgjuar ndonjë tjetër më parë këtë gjë? Nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë”, tregon zonja Evans.
Testimi në fjalë ekzagjeronte funksionimin e veshkave të afrikano-amerikanëve, duke i nxjerrë ata më të shëndetshëm se ç’ishin realisht. Fajin për këtë e kishte formula e automatizuar që përdorej për të bërë përllogaritje të ndryshme për pacientët afrikano-amerikanë nga ato për pacientët e tjerë.
Kështu vonohej diagnoza për dështim të organeve dhe vlerësimi për transplantimin, duke e shtuar kështu pabarazinë për pacientët afrikano-amerikanë, të cilët kanë më shumë nevojë për një veshkë të re.
Pak vite më parë, Fondacioni Kombëtar për Veshkën dhe Shoqata Amerikane e Nefrologjisë u bëri thirrje laboratorëve të ndryshonin formulat e tyre për përllogaritjen e funksionimit të veshkave.
Në vazhdim, rrjeti amerikan i transplantimeve i udhëzoi spitalet të përdornin vetëm rezultate testimesh që nuk bazohen tek raca, kur përgatisin listat e pritjes së pacientëve për transplantimin e veshkës.
“Ky është një shembull shumë i mirë i faktit se pabarazitë shëndetësore janë krejtësisht të shmangshme. Janë të padrejta dhe gjithashtu të korrigjueshme”, thotë Dr. Michelle Morse, mjeke në qytetin e Nju Jorkut.
Afrikano-amerikanët janë tre herë më shumë të prirë që të kenë një dëmtim të organit të veshkës, krahasuar me të bardhët. Nga gati 89 mijë persona që janë aktualisht në listën e pritjes për transplantim veshke, 30% janë afrikano-amerikanë.
Formula e gabuar, eGFR, vlerësonte shëndetin e veshkave duke përllogaritur shpejtësinë e filtrimin në gjak të një elementi të quajtur kreatininë. Për shkak të teorive të vjetra dhe të gabuara për nivelet normale të kreatininës, laboratorët rendisnin dy rezultate të ndryshme, njërin të përllogaritur për pacientët afrikano-amerikanë dhe tjetrin për pacientët e tjerë.
“Nëse duhet ndonjëherë të përdorim racën për ndonjë nga formulat, duhet të sigurohemi se do të ketë përfitime të qarta klinike nga përfshirja e racës. Dhe formula në fjalë nuk e kaloi sprovën”, thotë Dr. Pooja Singh, nga sistemi universitar spitalor “Jefferson Health”.
Zonja Evans mori një veshkë të re më 4 korrik 2023 dhe është sërish e shëndetshme. Ajo e di se sa me fat është që ndryshimi i rregullave u bë në kohën e duhur për të.
“Dallimi mes jetës sime të mëparshme dhe asaj pas transplantimit është një kthesë e plotë prej 180 gradësh”, thotë ajo.