Netanjahu: Izraeli nuk do të pranojë armëpushim pa u liruar pengjet në Gazë

Kryeministri Benjamin Netanjahu tha të dielën, gjashtë muaj pas sulmit të Hamasit, se Izraeli nuk do të bjerë dakord për një armëpushim në Gazë, pa u liruar pengjet.

Zoti Netanjahu tha se pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje, Izraeli nuk do të dorëzohet ndaj kërkesave "të skajshme" të Hamasit.

Ai i bëri komentet në një takim të kabinetit qeveritar, ndërsa pritet një raund i ri bisedimesh në Egjipt në përpjekje për një armëpushim.

Një zyrtar i qeverisë izraelite konfirmoi të dielën se një delegacion izraelit do të marrë pjesë në negociatat që synojnë arritjen e një armëpushimi në konfliktin e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Ndërkohë, ushtria izraelite ka tërhequr një numër trupash tokësore nga pjesa jugore e Rripit të Gazës, duke lënë vetëm një brigadë atje gjashtë muaj pas fillimit të ofensivës, tha të dielën një zëdhënës i ushtrisë.

Izraeli ka reduktuar numrin e trupave në Gazë duke filluar nga fillimi i vitit për të lehtësuar rezervistët dhe nën presionin në rritje nga aleati i tij, Uashingtoni për të përmirësuar situatën humanitare.

Ushtria nuk dha detaje mbi arsyet e tërheqjes së ushtarëve apo se sa prej tyre do të largoheshin.

Është e paqartë nëse tërheqja do të thotë që do të shtyhet një inkursion i paralajmëruar prej kohësh në qytetin jugor të Gazës, Rafah, që zoti Netanjahu thotë se është i nevojshëm për të eliminuar Hamasin.

Banorët palestinezë të qytetit jugor të Gazës, Khan Younis, i cili ka qenë nën bombardimet izraelite muajt e fundit, thanë se kishin parë forcat izraelite të largoheshin nga qendra e qytetit dhe të tërhiqeshin nga pjesët lindore.