Protesta para bashkisë së Tiranës, kërkohet dorëheqja e kryetarit Erjon Veliaj

Protesta para Bashkisë së Tiranës

Në Tiranë, mbështetës të opozitës dhe të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit protestuan sot para bashkisë së kryeqytetit, duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, pas arrestimit të disa drejtorëve dhe ish drejtorëve të bashkisë në dyshime për korrupsion.

Këshilltarët bashkiakë të opozitës erdhën me një kërkesë për mbledhje urgjente të këshillit bashkiak për transparencë mbi këto arrestime, por policia i pengoi ata që të hynin në bashkinë e Tiranës.

Your browser doesn’t support HTML5

Protesta para bashkisë së Tiranës, kërkohet dorëheqja e Veliajt

Këshilltarët bashkiakë të opozitës u përpoqën të dorëzonin në bashki një kërkesë për mbledhje urgjente të këshillit bashkiak për të diskutuar mbi arrestimet e 9 zyrtarëve të lartë drejtues të bashkisë nga drejtësia, nën akuza për korrupsion, pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera publikë.

Këshilltari bashkiak i opozitës mjeku i njohur Ilir Alimehmeti tha se gjendja në bashki është e rëndë, por dhuna e policisë ndaj këshilltarëve bashkiake ishte e pajustifikuar dhe pengim i paligjshëm në detyrat e tyre qytetare, ndërsa ata u munduan të dorëzonin një kërkesë të thjeshtë në protokoll.

“Kjo është kërkesa jonë. Duam të shqyrtohet pse kemi drejtor të përgjithshëm të bashkisë së Tiranës të arrestuar me burg, dhe të tjerë me arrest shtëpie. Numri i tyre sa vjen e rritet përditë. Ne duam të dimë se çfarë dëmi kanë bërë? Si mund ta përmbajmë këtë dëm, që të mos bëhet nga sot e tutje? Por policitë nuk na lanë ta dorëzonim”, tha zoti Alimehmeti.

Ai u bëri thirrje punonjësve të bashkisë që të mos heshtin as të bëhen palë me korrupsionin përmes veprimeve apo mosveprimeve, por ta denoncojnë atë.

Këshilltarët bashkiakë të opozitës përbëjnë afro një të tretën e këshillit bashkiak të Tiranës, megjithatë ata besojnë se e kanë të drejtën që të kërkojnë mbledhje të tilla në shërbim të transparencës së institucionit aq shumë të akuzuar së fundi edhe nga SPAK-u.

Shumë qytetarë të Tiranës dhe rrethinave problematike si lagja e Kombinatit, lagja 5 Maji, dhe zona e Astirit, iu bashkuan protestës së organizuar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit.

Prej disa vitesh kjo Aleancë mbrojti ndërtesën 80 vjeçare të Teatrit Kombëtar nga shembja prej bashkisë, dhe prej planeve për të ndërtuar aty disa kulla prapa një teatri të ri.

“Thonë që kanë ndërtuar dhe e kanë bërë Shqipërinë lule. Por pse njerëzi janë kaq të palumtur? Kjo ndodh se pushtetarët socialistë kanë një filozofi shkatërruese. Veprimi i tyre është ndërtimi, por qëllimi i tyre është shkatërrimi. Ajo që ndodhi me Teatrin Kombëtar po përsëritet në të gjihtë vendin”, thotë artistja e njohur Adriana Tolka.

Protestuesit brohorisnin vazhdimisht duke kërkuar dorëheqjen e kryebashkiakut Erjon Veliaj, ndërsa mbanin në duar tabela me shkrime që dënonin korrupsionin në bashkinë më të madhe të vendit.

Pasi policia i ndaloi këshilltarët bashkiakë që të hynin në bashki për të dorëzuar kërkesën për mbledhje urgjente, protestuesit shkarkuan mbi fasadën e ndërtesës një breshër vezësh edhe mollësh.

Ndërsa megafonin e kapnin herë pas here qytetarë dhe politikanë të ndryshëm, mes tyre ish presidenti Ilir Meta, kryetar i Partisë së Lirisë.

“I bëjmë thirrje gjithë qytetarëve të Tiranës, gjithë qytetarëve shqiptarë që të bashkohemi kundër projektit shfarrosës të kombit tonë nga ky sekt kriminal”, tha zoti Meta.

Protestës iu bashkuan edhe deputetë opozitarë, të cilët herë pas here kanë denoncuar korrupsionin e dyshuar të bashkisë së Tiranës si në rastin e inceneratorit ashtu edhe në afera të tjera, që po hetohen nga SPAK-u.

“Ajo që ka ndodhur me bashkinë e Tiranës, ku 5 zyrtarë, njerëzit më të afërt të Erjon Veliajt, brenda një periudhe të shkurtër i kanë dhënë vetes 22 milionë euro, është një këmbanë alarmi se në çfarë gjendje të mjerë ka shkuar qeverisja qendrore dhe qeverisja lokale. Erjon Veliaj sot nuk duhet të ishte në zyrën e kryetarit të Bashkisë, por duhet të ishte dhe të shoqëronte 5 vartësit e tij atje në qeli, ku janë edhe ata”, tha deputeti opozitar Gazment Bardhi.

Prokuroria e Posaçme kundër Krimit dhe Korrupsionit arrestoi në fund të marsit disa drejtorë dhe ish drejtorë të bashkisë së kryeqytetit, e disa të tjerëve u dha masën detyrim paraqitje, nën akuzat për korrupsion pasiv, fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë, shkelje të barazisë në tendera, lidhur me aferën e dyshuar të shoqërisë 5D konstruksion.

Kjo shoqëri ka fituar një seri tenderash nga agjencitë në varësi të bashkisë dhe nga Ujësjellësi i kryeqytetit, por Prokuroria e Posaçme theksoi se kompania është favorizuar me privilegje të padrejta, duke fituar prokurime në mënyrë të parregullt. Bashkia nuk ka reaguar ende për këtë çështje të hapur nga drejtësia.

Në dhjetor Gjykata e Posaçme nxori 15 urdhëra arresti, si pjesë e hetimeve për inceneratorin e Tiranës, mes tyre në arrest me burg është drejtori i përgjithshëm i punëve publike në bashkinë e kryeqytetit, Taulant Tushe, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryebashkiakut Erion Veliaj.