Dronë të teknologjisë së lartë hapin një epokë të re të luftës në Ukrainë

Që nga fillimi i agresionit rus ndaj Ukrainës, dronët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në realizimin e misioneve të vëzhgimit dhe sulmeve me rreze të gjatë veprimi. Vitin e kaluar, Ukraina përdori një lloj të ri droni që po ndryshon mënyrën e betejës në vijën e parë të frontit. Korrespondenti i Zëri të Amerikës, Yan Boechat, njofton nga rajoni i Donbasit në Ukrainë, se droni që i krijon mundësi operatorit të shohë fushën e betejës sikur të ishte brenda mjetit fluturues, është kthyer në makth për ushtarët në të dy anët e fushës së betejës.

Your browser doesn’t support HTML5

Dronë të teknologjisë së lartë hapin një epokë të re të luftës në Ukrainë


Ekipi mjekësor ushtarak ukrainas po stërvitet që të jetë edhe më i shpejtë dhe të evakuohet më me nxitim. Kjo është edhe më kritike, pasi të dyja palët po përdorin dronë që u mundësojnë operatorëve që të shohin sikur të ishin brenda mjetit të vogël fluturues me kosto të ulët dhe më vdekjeprurës. Këta dronë njihen ndryshe si FPV.


“Armiku po përdor një metodë të re; filloi rreth gjashtë muaj më parë, nëse jo më herët”, thotë një pjesëtar i forcave ukrainase.


Në pjesën jugore të Donbasit, ushtarët ukrainas po stërviten për të rritur shpejtësinë e veprimit, duke e ditur se dronët e rinj mund t’i ndjekin ata këmba-këmbës për t’i asgjësuar. Ata e kuptojnë se dislokimi i tyre i radhës në vijat e frontit mund të jetë i fundit.


“Një nga sfidat më të mëdha gjatë evakuimit është prania e dronëve FPV. Kjo çon shpesh në vonesa deri në 12 orë ose më shumë. Çdo vonesë rrezikon jetët”, thotë për Zërin e Amerikës një pjesëtar i forcave mjekësore ukrainase.


Dronët FPV janë të pajisur me kamera që transmetojnë pamje drejtpërdrejt në syzet speciale të operatorëve të tyre, të cilët e shohin fushën e betejës sikur të ishin brenda mjetit fluturues. Operatori e komandon dronin e pajisur me mjete shpërthyese, përmes një tableti dhe e përplas atë me objektivin.


Zyrtarët ukrainas i thanë Zërit të Amerikës se dronët kushtojnë rreth 300 dollarë. Dronët fluturojnë shumë ulët, duke e vështirësuar kapjen nga radarët, ndryshe nga dronët konvencionalë, të cilët gjurmohen lehtë dhe eliminohen lehtësisht nga njësitë kundërajrore.


Kostoja e ulët dhe efikasiteti i lartë ka bërë që këta dronë të përhapen gjerësisht që nga mesi i vitit 2023. Falë teknologjisë së avancuar të komunikimit dhe transmetimit të sinjalit, dronët godasin më ashpër dhe futen më thellë në territorin e armikut.


“Në skenë kanë dalë pajisje të ndryshme transmetimi, duke i rritur ndjeshëm kapacitetet e dronëve FPV. Kjo ka çuar në rritjen e efektshmërisë në fushën e betejës”, thotë komandanti i njësisë së dronëve.


Nga një dhomë e errët në thellësi të pyjeve të Donbasit, komandanti i njësitit drejton flotën e dronëve. Një operator ukrainas ka vënë në shënjestrën e dronit një automjet të blinduar rus dhe përplaset me të. Një dron tjetër gjurmon nga distanca për të konfirmuar rezultatin e sulmit.


Në dhomën tjetër, printerat 3D po prodhojnë pjesë plastike që do të montohen në motorët elektrikë të blerë në Kinë. Dhjetëra nga këta dronë dërgohen në vijat e para të frontit çdo ditë duke i shkaktuar dëme forcave ruse.


Dronët FPV mund të duken si lodra, por transportojnë bomba të afta për të shkatërruar pajisjet dhe gjymtuar personelin. Irina është specialiste në fushën e kompjuterave dhe pilote vullnetare që ka shkatërruar një numër të lartë të objektivave të armikut.


“Është një ndjenjë e çuditshme, sepse brenda automjeteve ka njerëz. Por ne po mbrojmë veten duke i eliminuar ata”, thotë operatorja ukrainase.


Ajo thotë se i pëlqejnë dronët por shpreson që lufta të përfundojë së shpejti dhe asaj të mos i duhet të përdorë më armë.