LONDËR – Mbi 600 juristë britanikë, përfshirë tre gjykatës në pension të Gjykatës së Lartë të Britanisë së Madhe, po i bëjnë thirrje qeverisë që të pezullojë shitjen e armëve Izraelit, duke shtuar trysninë ndaj Kryeministrit britanik Rishi Sunak pas vdekjes së tre punonjësve britanikë të ndihmave nga një sulm izraelit.
Britania është vetëm njëri nga disa shtete aleate të Izraelit qeveria e së cilës po përballet me trysni për të ndaluar eksportimin e armëve për shkak të numrit të të vrarëve në luftën gjashtë mujore në Gazë.
Në një letër të hapur dërguar Kryeministrit Sunak të mërkurën mbrëma, avokatët dhe gjykatësit theksuan se Britania e Madhe mund të konsiderohet bashkëfajtore për “shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar” nëse vazhdon t’i dërgojë armë Izraelit.
Nënshkruesit e letrës, mes së cilëve edhe ish Kryetarja e Gjykatës së Lartë Brenda Hale, thanë se Britania është e detyruar me ligj të respektojë përfundimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë se ekziston “rrezik i mundshëm i gjenocidit” në Gazë.
Në letër thuhet se “shitja e armëve dhe sistemeve të armatosura Izraelit… nuk i përmbush detyrimet ndaj ligjit ndërkombëtar nga ana e qeverisë tuaj.”
Britania është një aleat i ngushtë i Izraelit, por marrëdhëniet mes dy vendeve po lëkunden për shkak të numrit të lartë të të vdekurve, kryesisht civilë, gjatë luftës. Thirrjet për t’i dhënë fund eksportimit të armëve u shtuan që kur sulmi ajror izraelit vrau shtatë punonjës të ndihmave të organizatës bamirëse World Central Kitchen, tre prej të cilëve ishin shtetas britanikë.
Izraeli thotë se sulmi ndaj punonjësve të ndihmave u shkaktua nga “gabim në identifikim”.
Partitë kryesore opozitare në Britani janë shprehur në favor të ndaljes së shitjes së armeve nga qeveria konservatore për Izraelin nëse ky vend shkel ligjin ndërkombëtar në Gazë.
Disa politikanë të lartë konservatorë, përfshirë kryetaren e Komisionit për politikën e jashtme të parlamentit britanik Alicia Kearns, kanë shprehur të njejtin qëndrim.
Zoti Sunak nuk është zotuar se do të ndalojë eksportin e armëve, por deklaroi të mërkurën se “ndonëse natyrisht mbështesim të drejtën e Izraelit të mbrojë veten dhe popullin e vet ndaj sulmeve të Hamasit, këtë duhet ta bëjë në përputhje me ligjin humanitar ndërkombëtar.”
Kompanitë britanike i shesin një numër relativisht të ulët armësh dhe pjesësh përbërëse të tyre Izraelit. Sekretari i Mbrojtjes Grant Shapps ka njoftuar se eksportet ushtarake Izraelit kapën një vlerë prej 42 miliona paund (52 milionë dollarë) në vitin 2022.
Aleatë të tjerë të Izraelit po përballen me thirrje të ngjashme për t’ia ndërprerë furnizimin me armë dhe për të nxitur armëpushim në luftën që ka shkaktuar vdekjen e mbi 32 mijë palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në Gazë.
Gjatë muajit shkurt, Kanadaja njoftoi se do të ndalojë dërgesa të tjera të armëve në të ardhmen, ndërkohë që një gjykatë holandez urdhëroi qeverinë e vendit të ndalojë eksportimin e pjesëve të avionit luftarak F-35 në Izrael. Qeveria holandeze tha se do ta apelojë vendimin e gjykatës.
Vendet e tjera, mes tyre edhe dy furnizuesit më të mëdhenj të Izraelit me armë, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania, vazhdojnë të lejojnë shitjen e armëve.
Ish këshilltari i sigurisë kombëtare i Britanisë, Peter Ricketts tha se pezullimi i shitjes së armëve nga Britania nuk do të ndryshojë drejtimin e luftës, por “do të ishte një mesazh i fuqishëm politik.”
“Dhe ka gjasa të nxisë debat edhe në Shtetet e Bashkuara, gjë që do të përbënte ndryshim real,” deklaroi ai për televizionin publik BBC.