Ministrat e Jashtëm të NATO-s kremtuan të enjten 75-vjetorin e aleancës me flamuj, tortë dhe orkestër muzikore, ndërsa sekretari i përgjithshëm i saj u kujtoi Shteteve të Bashkuara se kishin nevojë për aleatët e tyre më shumë se kurrë, ndërsa lufta në Ukrainë hyn në vitin e saj të tretë.
Të 32 vendet anëtare të aleancës u pajtuan të mërkurën të fillojnë planifikimin për një rol më të madh në bashkërendimin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, për ta mbështetur atë në luftën me Rusinë, konfliktin më të madh të Evropës që nga Lufta e Dytë Botërore dhe të tregojë unitetin e saj, ndërsa Ukraina pret një paketë me vlerë rreth 60 miliardë dollarësh që mbetet e bllokuar në Kongresin amerikan.
Në ditën e dytë të një takimi në Bruksel, ministrat shënuan përvjetorin e nënshkrimit në Uashington më 4 prill të vitit 1949 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, që themeloi aleancën politike dhe ushtarake transatlantike.
“Evropa ka nevojë për Amerikën e Veriut për sigurinë e saj”, tha sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, në një ceremoni në selinë e aleancës në Bruksel.
"Në të njëjtën kohë, Amerika e Veriut gjithashtu ka nevojë për Evropën. Aleatët evropianë ofrojnë ushtri të klasit botëror, rrjete të mëdha të zbulimit dhe leva unike diplomatike, duke shumëfishuar fuqinë e Amerikës", tha ai.
Udhëheqësit e vendeve evropiane, që përbëjnë pjesën më të madhe të anëtarëve të NATO-s, janë të shqetësuar jo vetëm për të ardhmen e NATO-s nëse ish presidenti amerikan Donald Trump fiton në garën me presidentin aktual Joe Biden në nëntor, por edhe për bllokimin e ndihmës për Ukrainën në Kongres, ndërsa republikanët kërkojnë masa të sigurisë kufitare në këmbim të miratimit të projektligjit.
Lexoni edhe këtë Biden – Trump, qëndrime të ndryshme për NATO-n dhe sigurinë evropianeNATO-ja në fillet e saj kishte 12 vende anëtare nga Amerika e Veriut dhe Evropa dhe u themelua si përgjigje ndaj frikës në rritje se Bashkimi Sovjetik paraqiste një kërcënim ushtarak për demokracitë evropiane.
Në thelbin e saj është koncepti i mbrojtjes kolektive, ideja që një sulm ndaj një anëtari konsiderohet si një sulm ndaj të gjithëve, duke i siguruar Evropës Perëndimore mbrojtjen ushtarake të Shteteve të Bashkuara.
Shtatëdhjetë e pesë vjet më vonë, ajo ka 32 vende anëtare dhe ka rimarrë një rol qendror në çështjet botërore pasi Rusia filloi agresionin e saj në Ukrainë me 22 shkurt të vitit 2022, duke bërë që qeveritë evropiane ta shohin Moskën edhe një herë si një kërcënim të madh për sigurinë.
Dy vendet e reja anëtare të NATO-s, Finlanda dhe Suedia, u bashkuan në përgjigje të drejtpërdrejtë ndaj agresionit rus në Ukrainë.
"Kombet demokratike, njerëzit e lirë, zgjodhën të anëtarësohen në NATO, ndryshe nga mënyra sesi Rusia zgjerohet me aneksim ose agresion të paligjshëm", tha ministrja e Jashtme finlandeze Elina Valtonen.
Rusia tha të mërkurën se NATO-ja është kthyer në një mentalitet të Luftës së Ftohtë. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, u tha gazetarëve se NATO-ja nuk ka vend në "botën multipolare" që Moska thotë se kërkon ta ndërtojë, për t'i dhënë fund dominimit të Shteteve të Bashkuara.
Ministrat e NATO-s u pajtuan të mërkurën të fillojnë planifikimin për një rol më të madh të aleancës në bashkërendimin e ndihmës dhe trajnimit për forcat e Ukrainës.
Sipas një propozimi të sekretarit Stoltenberg, NATO-ja do të marrë përsipër punën e bërë nga një koalicion i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i njohur si grupi Ramstein, pjesërisht për t'u mbrojtur nga çdo shkurtim i mbështetjes amerikane nëse Donald Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, thanë diplomatët.
Lexoni edhe këtë Stoltenberg kërkon 100 miliardë euro për pesë vjet për UkrainënSekretari Stoltenberg ka propozuar gjithashtu një fond pesëvjeçar ndihme për Ukrainën, me vlerë prej 100 miliardë eurosh.