Kosova dhe Serbia sërish pa përparim në bisedimet për dinarin serb

  • Leonat Shehu

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë i dhanë fund sërish pa ndonjë përparim takimit të së enjtes në Bruksel, në të cilin u diskutua lidhur me përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

I dërguari evropian për bisedimet Miroslav Lajçak tha se gjatë takimit janë mbushur disa boshllëqe midis propozimeve të dy palëve dhe se do të vazhdojnë diskutimet bazuar në idetë e Bashkimit Evropian për kompromis.

Takimi i sotëm ishte i katërti me radhë dhe siç tha kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi, u përshkua me dallime të mëdha me palën serbe.

“Përderisa pala e Kosovës ka diskutuar për opsionet me të cilat qytetarët serbë mund të marrin mbështetje financiare edhe më tej nga Serbia, pala serbe ka punuar si avokate e Bankës së Postës serbe dhe gjithë kohës kanë diskutuar se si të rregullohet licencimi i kësaj banke, e cila nuk është as kompetencë e as interes e palëve të involvuara”, tha ai.

Zoti Bislimi tha se i dërguari i Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak ka paraqitur një propozim. “Për të cilin ne besojmë se është propozim konstruktiv dhe në rrugën e duhur për të gjetur një zgjidhje e cila më së shumti i shkon përshtati qytetarëve serbë në Kosovë, por në të njëjtën kohë respekton në tërësi rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës”, tha zoti Bislimi.

Ai tha se pala serbe ka kërkuar kohë shtesë për shqyrtimin e propozimit për të cilin nuk dha më shumë hollësi. Takimi i radhës tha ai, pritet të mbahet pas dy javësh.

Kryenegociatori serb Petar Petkoviç tha ndërkaq se Beogradi është palë e përgjegjshme që po kërkon marrëveshje ne kuadër të dialogut.

“Ne ripërsëritëm propozimin tonë që është i drejtpeshuar që nënkupton një zgjidhje kompromisi. Në anën tjetër nuk ka pasur vullnet të mjaftueshëm nga ana e Prishtinës dhe ne kemi një takim tjetër për këtë temë, do të shohim se si do të zhvillohen gjërat”, tha ai duke nënvizuar se ka kërkuar sërish formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe i cili do të përmbyllte problemet aktuale.

Diskutimet në Bruksel pasuan rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa të gatshme në Kosovë.

Rregullorja që ka hyrë në fuqi me një shkurt, nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit, dhe shqetësimet e diplomacisë perëndimore për ndikimin e saj në jetën e serbëve të Kosovës që vazhdojnë të mbështeten financiarisht nga Beogradi si dhe në tensionet ndërmjet palëve.

Your browser doesn’t support HTML5

Kosova dhe Serbia sërish pa përparim në bisedimet për dinarin serb

Kryeministri Albin Kurti tha të mërkurën gjatë një vizite të paparalajmëruar në veri të vendit se Kosova dëshiron të gjejë zgjidhje ligjore për të gjitha problemet që janë ngritur për çështjen e rregullores së Bankës Qendrore. Ai tha se qeveria nuk mund të negociojë për këtë rregullore por vetëm për të mbështetur një periudhë të lehtë kalimtare për personat e prekur.

Diplomatët i kanë bërë thirrje qeverisë së Kosovës të pezullojë rregulloren e Bankës Qendrore dhe t’u jepet kohë qytetarëve të prekur për t’u përshtatur me situatën e re. Kjo çështje është shndërruar në temë mospajtimesh mes qeverisë në Prishtinë dhe diplomacisë perëndimore.

Shtetet e Bashkuara kanë theksuar se mungesa e bashkërendimit nga qeveria e Kosovës lidhur me këtë çështje ka ndikuar në cilësinë e partneritetit ndërmjet të dy qeverive.