Sulmet ajrore izraelite rrafshojnë konsullatën iraniane në Damask

Një sulm ajror izraelit që shkatërroi konsullatën e Iranit në Siri të hënën, la pas vetes dy gjeneralë iranianë dhe pesë oficerë të vrarë, sipas zyrtarëve sirianë dhe iranianë. Sulmi duket një përshkallëzim i veprimeve të Izraelit ndaj zyrtarëve ushtarakë nga Irani, i cili ofroj para dhe armë për Hamasin dhe militantët e tjerë përgjegjës për sulmin e 7 tetorit kundër Izraelit.

Që nga fillimi i luftës në Gaza gati gjashtë muaj më parë, përleshjet midis Izraelit dhe Hezbollahut, një grup tjetër militant i mbështetur nga Irani, janë shtuar përgjatë kufirit verior të Izraelit me Libanin.

Izraeli, i cili rrallë i pranon sulmet e tilla, tha se nuk kishte asnjë koment për sulmin e fundit në Siri, megjithëse një zëdhënës ushtarak fajësoi Iranin për një sulm me dron herët të hënën, kundër një baze detare në Izraelin jugor.

Sulmi ajror i së hënës në Siri vrau gjeneralin Ali Reza Zahdi, i cili udhëhoqi forcat elitare Quds në Liban dhe Siri deri në vitin 2016, sipas Rojave Revolucionare të Iranit. Ai vrau gjithashtu zëvendësin e Zahdiut, gjeneralin Mohammad Hadi Hajriahimi dhe pesë oficerë të tjerë.

Një anëtar i Hezbollahut, Hussein Youssef, gjithashtu u vra në sulm, i tha agjencisë së lajmeve Associated Press, një zëdhënës i grupit militant që foli me kushtin që të mos i përmendej emri.

Dy oficerë policie që ruanin konsullatën janë në mesin e të plagosurve, ndërsa ekipet e shpëtimit janë në kërkim të trupave nën rrënoja.

Ambasadori i Iranit, Hossein Akbari, u zotua për hakmarrje "me të njëjtat përmasa dhe ashpërsi".

Ekspertët thanë se nuk ka dyshim që Irani do të hakmerret. Sulmi në Siri ishte një "përshkallëzim i madh", shkroi në rrejtin X, Charles Lister, një ekspert për Sirinë në Institutin e Lindjes së Mesme në Uashington.

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme të Iranit, Nasser Kanaani, u bëri thirrje vendeve të tjera që të dënojnë sulmin.

Izraeli ka kryer qindra sulme në pjesët e kontrolluara nga qeveria siriane në vitet e fundit. Sulme të tilla ajrore janë përshkallëzuar që nga fillimi i luftës midis Izraelit dhe Hamasit.