Bashkëthemeluesve të kompanisë Google, Larry Page dhe Sergey Brin u pëlqenin shakatë, kështu që ata filluan të shpërndanin ide të çuditshme çdo vit më 1 prill, në ditën e gënjeshtrave, pak kohë pasi themeluan kompaninë e tyre më shumë se 25 vjet më parë. Një vit, Google njoftoi se kishte “hapur” një vend pune për një qendër kërkimore “Copernicus” në Hënë. Një vit tjetër, kompania tha se po planifikonte të krijonte një seksion "gërvisht dhe nuhat" në motorin e saj të kërkimit në internet.
Idetë ishin kaq jorealiste sa ishte e lehtë të kuptohej që ishin thjesht shaka dhe njerëzit u mësuan të qeshnin me idetë e kompanisë Google. Pikërisht për këtë arsye, Page dhe Brin vendosën të njoftonin diçka që askush nuk do ta besonte se ishte e mundur 20 vjet më parë, pikërisht në ditën e 1 prillit.
Bëhej fjalë për Gmail-in, një shërbim falas që ofronte 1 gigabajt kapacitet për çdo llogari, një ofertë që tani është shumë e vogël krahasuar me 1 terabajt që ofron kompania Apple për përdoruesit e telefonave inteligjentë iPhone. Por, në atë kohë 1 gigabajt tingëllonte si një kapacitet absurd i postës elektronike, që ishte i mjaftueshëm për të ruajtur rreth 13,500 emeile sepse shërbimet e tjera të postës elektronike si Yahoo dhe Microsoft ofronin kapacitetet të ulët, sa për 30 deri në 60 emeile. Pra, Gmail ofronte një kapacitet 250 deri në 500 herë më të lartë se sa rivalët e saj nga kompanitë Yahoo dhe Microsoft.
Përveç hapit gjigant të kapacitetit për të ruajtur emeile, Gmail përfshinte edhe motorin e kërkimit në internet të kompanisë Google, në mënyrë që përdoruesit të mund të merrnin shpejt informacione nga një emeil i vjetër, foto ose informacione të tjera personale të ruajtura më parë.
"Projekti origjinal kishte për qëllim të realizonte objektivin e bashkimit të tre shërbimeve, atë të ruajtjes së të dhënave, kërkimin në internet dhe shpejtësinë", thotë Marissa Mayer, një nga ishte drejtueset ekzekutive të kompanisë Google, që ka ndihmuar në krijimi e Gmail-it dhe produkteve të tjera të kompanisë përpara se të bëhej më vonë shefe ekzekutive e kompanisë Yahoo.
Ishte një koncept kaq i mrekullueshëm saqë menjëherë pasi Associated Press publikoi një histori për Gmail-in vonë pasditen e 1 prillit 2004, lexuesit filluan të telefononin dhe të dërgonin emeile për të informuar agjencinë e lajmeve se kishte rënë në kurthin e shakave të kompanisë Google.
“Kjo ishte pjesë e kuriozitetit, krijimi i një produkti, që njerëzit nuk do ta besonin se është i vërtetë. Ai ndryshoi disi perceptimet e njerëzve për llojet e aplikacioneve që ishin të mundshme brenda një platforme të internetit", thotë ish-inxhinieri i kompanisë Google, Paul Buchheit.
Agjencia e lajmeve Associated Press e dinte se Google nuk po bënte shaka me projektin Gmail sepse gazetari i saj ishte ftuar të vizitonte selinë e kompanisë në Kaliforni për ta parë këtë produkt të ri.
Pasi mbërriti në zyrat e kompanisë Google, gazetari i Associated Press u prit me një buzëqeshje cinike nga bashkëthemeluesi Larry Page, i cili ishte ulur para kompjuterit të tij portativ, i gatshëm për të demonstruar aftësitë e shërbimit Gmail.
Zoti Page, në atë kohë 31 vjeç, i tregoi gazetarit me mburrje si funksiononte Gmail-i duke demonstruar se sa shpejt hapej ai në programin e Microsoft-it për kërkime në internet ‘Explorer’, që sot nuk përdoret më. Po ashtu ai tregoi se si Gmail-i, nuk kishte një boton më vete për të fshirë emeilet, meqë Gmail-i, kishte një kapacitet të lartë për ruajtjen e dokumenteve dhe ato mund të kërkoheshin me lehtësi në përmbajtjen e postës elektronike. “Njerëzve do t’iu pëlqejë shumë,” u shpreh zoti Page.
Si dhe për gjëra të tjera, zoti Page pati të drejtë. Gmail aktualisht ka rreth 1.8 miliardë llogari aktive – secila me një arkiv 15 gigabajt pa pagesë, krahas Google Photos dhe Google Drive. Edhe pse kjo përbën një hapësirë arkivimi rreth 15 herë më të madhe se sa ofroi fillimisht Gmail, për shumë përdorues, që rrallë e shohin të nevojshme të pastrojnë llogaritë e tyre siç kishte shpresuar Google, ajo nuk mjafton.
Ruajtja e postës elektronike, fotografive dhe përmbajtjeve tjera është arsyeja përse kompanitë si Google, Apple dhe të tjera tani shesin kapacitet shtesë në serverat e tyre për ruajtjen e të dhënave. (Në rastin e firmës Google, kjo kompani shet 200 gigabajt për ruajtjen e të dhënave për 30 dollarë në vit, ose 250 dollarë në vit për 5 terabajt). Gmail është arsyeja përse shumë shërbime të tjera pa pagesë të postës elektronike dhe llogari të brendshme që punonjësit i përdorin për punë ofrojnë shumë më shumë hapësirë se sa ishte paramenduar 20 vjet më parë.
Gmail solli ndryshim edhe për përdorime të tjera, duke u kthyer në hapin e parë të zgjerimit të kompanisë Google përtej funksionit si motori kryesor i kërkimit në internet.
Pas Gmail-it, erdhën Google Maps dhe Google Docs. Pastaj kjo kompani bleu rrjetin YouTube, solli në treg programin për kërkim në internet Google Chrome dhe sistemin operues për Android, me të cilin funksionojnë shumica e celularëve në botë. Gmail po ashtu skanon postën elektronike për të kuptuar interesin e përdoruesve të tij, duke i mundësuar kompanisë Google që përmes këtij vëzhgimi digjital të shesë reklama për t’i ndihmuar ambicieve të kompanisë për t’u zgjeruar.
Ndonëse menjëherë joshi publikun, Gmail fillimisht pati një përdorim të kufizuar për shkak se Google pati një kapacitet kompjuterik që mund të mbështeste një grup të vogël përdoruesish.
Por ky kufizim krijoi një ndjesi eskluziviteti për Gmail-in, duke nxitur kërkesa për ftesa për të krijuar llogari email-i. Në një moment, ftesat për të hapur llogari në Gmail shiteshin për 250 dollarë. “U bë si simbol statusi, njerëzit thoshin “Hej, e kam një ftesë për Gmail, a e do një?” thotë zoti Buchheit.
Por kompania i mbajti shërbimet e postës elektronike të kufizuara deri në vitin 2007, kur kompania dërgoi një ftesë globale për ditën e Shën Valentinit, duke pranuar çdo kërkesë për një adresë emeili.